Gjykata e Lartë rrëzon ankimin e Arbër Veliajt/ Lë në fuqi sekuestrimin e për 4.2 mln eurot e koncertit të Kanye West dhe 15 kontratave të “Gogel”

Arber Veliaj
21 Shtator 2026
Gjykata e Lartë ka rrëzuar ankimin e Arber Veliaj, vëllait të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Trupa gjykuese ka lënë në fuqi sekuestrimin e 15 kontratave të kompanisë “Gogel. Mes dokumenteve të sekuestruara në kuadër të hetimit për Erion Veliaj dhe vëllait te tij, është edhe marrëveshja me kompaninë “Redcloud”, e lidhur me fondin prej rreth 4.2 milionë eurosh për koncertin e reperit amerikan Kanye West.
Arbër Veliaj është pjesë e një hetimi për “pastrim të produkteve të veprës penale” që SPAK po zhvillon në një prej degëzimeve të dosjes së hapur ndaj vëllait të tij. Hetimi ndaj Veliajt nisi në vitin 2024 dhe lidhet me dyshime për ‘korrupsion’, ‘pastrim të produkteve të veprës penale’ dhe ‘fshehje ose mosdeklarim të pasurisë’. Më 10 shkurt 2025, Veliaj u arrestua me kërkesë të SPAK-ut dhe vijon të jetë ende në qeli.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka verifikuar edhe aktivitetin e kompanisë “Gogel” sh.p.k., në pronësi të Arbër Veliajt. Sipas raportimeve, hetuesit kanë ngritur dyshime për lidhjen e aktivitetit të kompanisë me skemën financiare që po hetohet në dosjen e Erion Veliajt. Në shkurt 2025, si pjesë e veprimeve hetimore, u kontrolluan edhe ambiente dhe prona të lidhura me Arbër Veliajn dhe kompaninë e tij.
Në prill 2026, sipas materialeve të dosjes, GJKKO miratoi kërkesën e SPAK-ut për kontrollin dhe sekuestrimin e dokumenteve në kompaninë “Gogel”. Gjatë operacionit, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan dokumente financiare, si dhe kontrata e marrëveshje të lidhura mes “Gogel” dhe shoqërive të tjera. Mes dokumenteve të sekuestruara ishte edhe një marrëveshje mes “Gogel” dhe kompanisë “Redcloud”, e cila është përfshirë në verifikimet e prokurorëve.
Çështja e “Redcloud” u bë publike edhe në muajt e fundit për shkak të një fondi prej rreth 4.2 milionë eurosh të miratuar nga qeveria shqiptare për organizimin e koncertit të reperit amerikan Kanye West në Shqipëri. Arbër Veliaj dhe kompania e tij e kanë kundërshtuar sekuestron e dokumenteve, por pas vendimit të shkallës së parë, çështja është shqyrtuar edhe në Apel dhe në Gjykatën e Lartë.
Hetimi i SPAK vijon.
