Piktura me vlerë 300 mijë dollarë gjindet në kontejner të riciklimit

13 dhjetor 2020

Një pikturë me vlerë më shumë se 300 mijë dollarë është gjetur në një kontejner të riciklimit të plehrash në aeroportin e Dyseldorfit në Gjermani dhe është marrë nga policia.

Piktura surrealiste, nga artisti francez Yves Tanguy, vlerësohet rreth 280 mijë euro. “Përralla” e gjetjes së pikturës është pothuajse po aq surreale sa vetë piktura. Peizazhi abstrakt u zhduk për herë të parë më 27 nëntor, kur një biznesmen, i cili nuk është identifikuar, e harroi atë në zonën e “check”-init në aeroport. Vepra e artit ishte e paketuar në një kuti kartoni me madhësi 40 x 60 centimetra.

Vetëm kur biznesmeni po hipte në avionin që udhëtoi për në Tel Aviv, e kuptoi se ai kishte lënë pas bagazhet e tij me vlerë të madhe. Pas mbërritjes në Izrael, ai kontaktoi me autoritetet e aeroportit, por nuk arriti të bënte asgjë.

Më tej, ai kontaktoi nipin e tij që udhëtoi nga Belgjika në Dyseldorf, aty ku bëri edhe një raport për policinë lokale, e cila kontaktoi me kompaninë e pastrimit që mirëmbante aeroportin. Më në fund, piktura u gjet në një kontejner të riciklimit të plehrave, ndërsa detajet se si ajo përfundoi nga tavolina e “check”-init në koshin e plehrave janë të paqarta.

Piktura me vlerë 300 mijë dollarë gjindet në kontejner të riciklimit

Gazeta Epoka e Re