3 Mars 2023

Një person humbi jetën e 5 të tjerë mbetën të plagosur nga një shpërthim përpara një gjykate në Podgoricë, njëri prej të lënduarve është në gjendje të rëndë.

Një 39-vjeçar me inicialet M.B. mendohet të ketë aktivizuar një bombë dore në hyrje të ndërtesës së Gjykatës Themelore, nga e cila humbi jetën vetë.

Të plagosurit janë persona që ndodheshin aty pranë. Policia ka nisur menjëherë hetimet por ende nuk ka të dhëna mbi motivet e ngjarjes së rëndë, e cila pason një periudhë kërcënimesh të rreme për vendosje bombash, prej të cilave ditët e fundit janë evakuuar godinat ku mblidhet Këshilli Bashkiak i Podgoricës, ajo e Gjykatës së lartë dhe ajo e Apelit.

Një person u arrestua sakaq në komunën e Tuzit pasi dyshohet se ka shtënë me pushkë gjuetie mbrëmjen e djeshme. Sipas policisë, 40-vjeçari Emin Beçoviç ka tentuar të pengojë tubimin zgjedhor të një koalicioni politik, e aty ka qëlluar dy herë me pushkë.

Fatmirësisht, nga ë shtënat nuk pati të lënduar. Në Tuz, një komunë kjo me shumicë shqiptare afër Podgoricës, zgjedhjet lokale janë caktuar mbahen në 5 mars. Forumi Shqiptar njoftoi se e kishin anuluar tubimin zgjedhor në zonë e Mileshit atje pikërisht për shkak të sulmit të Beçoviçit.

Forumi shqiptar udhëhiqet nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeljoshaj, ku bëjnë pjesë edhe Aleanca Demokratike e Shqiptarëve, Bashkimi Kombëtar Shqiptar dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi. Këto dy lista janë konkurrentet kryesorë në zgjedhjet lokale në Tuz.

Gazeta Sot