Në Bergamo dëgjon vetëm këmbana morti dhe sirena. “Dhembja të këput shpirtin kur s’i jep dot lamtumirën babait”.

20 MARS 2020

Italia është një nga shtetet që po e vuan më shumë situatën e shkaktuar nga koronavirusi. Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 5322 të prekur nga koronavirusi, ndersa kanë humbur jetën 427 persona.

Roberta Zaninoni, një italiane që jeton në Durrës rrëfeu historinë e saj në programin e mëngjesit në televizionin italian “Canale 5”, “Mattino Cinque”.

“Është e dhimbshme mos t’i japësh dot lamtumirën babait”, – deklaroi Roberta, duke shprehur mllefin edhe për mosreagimin në kohë të autoriteteve italiane për të marrë më shumë masa për të parandaluar frenimin e përhapjes së koronavirusit. Roberta tha edhe se autoritetet informuan gabim, pasi thanë se për njerezit e shendetshëm nuk ka problem.

“Nuk është e vertetë. Im atë ishte 72 vjeç, por i shëndetshëm. Pa asnjë sëmundje. Vdiq në katër ditë. Kjo është e papranueshme”. Klithja e dhembjes së saj ishte për faktin se deri tani, i ati, viktimë e koronavirusit që ka gjunjëzuar botën, ndodhet në një strukturë në mëshirë të fatit pasi asnjë s’ka mundësi t’i japë siç duhet lamtumirën e fundit.

“Shpresoj që kjo situatë të mbarojë shpejt, që të kemi mundësi të bëjmë një funeral dinjitoz, pasi deri tani, unë, ime ëmë dhe im vëlla po vajtojmë në vetmi secili në shtëpi të ndryshme”, – tha Roberta.

“Nuk ishte e drejtë që im atë të vdiste kështu. Po vdesin të gjithë si qen, si derra. Akoma sot njerëzit thonë që ishin të vjetër, ishin të sëmurë; ishte im atë, nuk ishte i vjetër dhe nuk ishte i sëmurë”, shprehet me dënesë Roberta Zaninoni, e bija e Giuseppe-s, vdekur në Alzano, Lombardi, nga koronavirusi.

Roberta shton se, “tashmë dëgjohen vetëm sirenat e ambulancave dhe këmbanat që bien për mort”.

“Ndoshta njerëzit që nuk jetojnë këtu nuk e kuptojnë, por këtu tek ne po vdesim sikur të ishim në luftë. U bëj më shumë se 10 ngushëllime në ditë miqve dhe të njohurve në Facebook. Agjencitë funerale janë të detyruara të mbledhin arkivolët. Për tim atë duhet të presim të paktën tre javë para se ta djegim”.

Gazeta Sot