Pal Dedgjonaj.

26 Qershor 2026
Bashkia Lezhë shpreh me pikëllim të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të Mjeshtrit të Madh të artit dhe kulturës lezhjane.
Ai ishte një figurë e shquar e trashëgimisë sonë kulturore, një mjeshtër i rrallë i instrumenteve folklorike frymore të trevës së Lezhës, të cilat i punoi dhe i promovoi me përkushtim të jashtëzakonshëm në skenat dhe Festivalet Folklorike Kombëtare që prej vitit 1968. Me aftësinë e tij të veçantë interpretuese dhe kontributin e çmuar artistik, ai është ndër themeluesit e Ansamblit “Qiftelia” të Lezhës.
Vepra dhe trashëgimia e tij artistike mbeten një pasuri e vyer për kulturën tonë kombëtare dhe një krenari e përhershme për Lezhën.
Në këtë moment të dhimbshëm, Bashkia Lezhë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, si dhe për gjithë komunitetin artistik dhe Ansamblin “Qiftelia”.
U prehsh në paqe, Mjeshtër i madh.