Eurodeputetët zbarkojnë në Shqipëri për protestat masive që kanë përfshirë vendin: Po vijmë të dëgjojmë qytetarët, JO institucionet!

26 Qershor 2026
Eurodeputetja e Partisë së Të Gjelbërve Evropianë, Cristina Guarda, ka konfirmuar se një delegacion i kësaj force politike do të vizitojë Shqipërinë në ditët në vijim, në një mision të fokusuar te protestat e qytetarëve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë, e çështjet mjedisore.
Në deklaratën e saj, Guarda thekson se qëllimi i vizitës është takimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe shoqërinë civile, për të kuptuar më thellë protestat që po zhvillohen në vend “pa ndërmjetësim institucional”. Sipas saj, protestat lidhen me çështje mjedisore, të drejtat e njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe kërkesën për një model zhvillimi që nuk varet nga interesat private dhe spekulative.
“Po vijmë për t’ju takuar dhe për të kuptuar drejtpërdrejt domethënien e këtyre protestave,” thuhet në mesazhin e saj publik.
Guarda shton se procesi i integrimit europian të Shqipërisë duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe përmirësimit të jetës së tyre, duke garantuar dinjitet dhe të drejta themelore. Ajo thekson gjithashtu se standardet mjedisore dhe të të drejtave të njeriut nuk janë të mirëqena, por duhet të mbrohen dhe forcohen vazhdimisht. Vizita pritet të sjellë vëmendje të shtuar europiane mbi zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri. Po ashtu protestës do t’i bashkohet edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus. Kjo e fundit ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së qytetarëve në Tiranë, duke e cilësuar mbrojtjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit si një kauzë me rëndësi të veçantë.
