Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, një udhëtim në historinë e artit ikonografik

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë
23 Gusht 2026
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë vijon të mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit kulturor në Shqipëri, duke ruajtur një prej koleksioneve më të pasura të artit mesjetar në vend. Përmes rrjeteve sociale, muzeu ndan herë pas here pamje nga ikonat e ekspozuara dhe objektet e koleksionit, duke u dhënë mundësi vizitorëve të njihen më nga afër me vlerat e këtij trashëgimie kulturore.
Çdo ikonë apo objekt muzeal i nënshtrohet restaurimit dhe konsolidimit përpara se të ekspozohet. Sipas një programi të hartuar çdo fillim viti, në Laboratorin e Restaurimit dhe Konservimit të këtij muzeu restaurohen çdo vit ikona nga autorë të mirënjohur, të cilët ia shtojnë vlerat artistike dhe historike këtij koleksioni muzeal.
Fondi i tij ka objekte kulti e arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri, metali e tekstili të krijuara nga mesjeta e hershme deri në fillim të shekullin XX prej artistësh anonimë e të mirënjohur, nga treva të ndryshme të vendit. Aty ka vepra të autorëve anonimë të shekullit XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi, etj.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Vlerat e këtij koleksioni prezantohen edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Veprat ikonografike shqiptare u ekspozuan në Chambéry të Francës në ekspozitën “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, ku u përzgjodhën 45 ikona nga fondi i këtij muzeu.
Projekti u realizua në kuadër të bashkëpunimit kulturor Korçë-Chambéry, mes Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe Muséedes Beaux-Arts de Chambéry, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
