Anila Zajmi Katanolli, ka eksperimentuar një jetë të tërë mes pikturës, kostumeve skenike dhe stilit në mode. Por kësaj here ajo shpërfaq botën e saj me nje ekspozitë personale pikture të cilën e ka titulluar “Mirazh” çelur në galerinë Art & the City. Rritur në një familje artistësh, piktura ka qenë dhe mbetet pasqyra ku ajo hedh bojna për të shprehur ndjesi që vijnë si mirazhe nga rrënjët dhe nga e ardhmja që nuk pëson shkëputje pasi ajo i mbetet besnike vetvetes si në kostume po aq në pikturë.


“Piktura ka qenë gjithmonë brenda meje dhe jashtë meje. Sigurisht kam ekspozuar në ekspozita brenda dhe jashtë vendit. Piktura ka qenë një frymëmarrje, mundësi për të qenë tërësisht e lirë, pa asnjë lloj kufizimi pa ju përshtatur kërkesave të dikujt tjetër” i thotë zonja Katanolli gazetares së RTSH Mira Tuci.
Mediumi tek një artist është thjesht një mjet për të shprehur botën e tij, e tillë është edhe për artisten Anila Zajmi Katanolli e cila prej 2-3 vitesh kohën e lirë e kalon duke pikturuar me kolonite e artisteve “Plein Air” me një liri e cila shpërfaqet si kur pikturon liqenet e Belshit ashtu dhe kur zbulon peisazhin arbëresh në Kalabri.


“Mediumi për mua nuk është fare i rëndësishëm. Për mua teknika dhe zhanri që unë përdor nuk është fare i rëndësishëm. artisti duhet të jetë shumë dimensional. Është një përshtypje, përsiatje mes reales dhe ireales, të kaluarës dhe të sotmes, mbase dhe të ardhmes” thotë Katanolli.


Një ekspozitë që të përcjell frymë etno jo vetëm përmes peisazheve të cilat janë plot dritë dhe trajta efemere gati të dala nga fantazia e artistes, por edhe me minipikturat të cilat sjellin kostumet shqiptare me një madhështi mbretërore.