Miratohet projekti i restaurimit për Kishën e Shën Venerandës në Lezhë. (Lexo: Kisha e Shna Prendes). –

28/06/2018

Instituti i Monumenteve të Kulturës bën me dije se ka hartuar projektin për restaurimin e pikturës murale në Kishën e Shën Venerandës, në Pllanë Lezhë. “Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve konsiston në kryerjen e ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese në pikturën murale të kishës”, njofton Instituti i Monumenteve të Kulturës në faqen zyrtare, material që është publikuar dhe në faqen e Ministrisë së Kulturës. Kisha e Shën Venerandës ndodhet në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë), dhe ngrihet në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi. Monumenti është një ndërtim i shek XIV-të i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe. Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit. Kisha përmendet në dokumente historike të shek të XVII-të, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit. Piktura në Naos ruhet në anën e djathtë të hyrjes perëndimore, ajo ka gjerësi 1.8 metra dhe lartësi 1.95 metra, duke filluar në lartësinë 0.45 metra nga dyshemeja. Piktura është realizuar në teknikën e afreskut në një suport jo shumë të trashë. Skena paraqit Shën Jakovin dhe Shën Venerandën të vendosur pranë njëri-tjetrit. Figura e Shën Jakovit paraqitet me trupin përballë, me pelerinën që zbret deri në tokë, kokën e ka kthyer (në gjysëm profil) në drejtim të figurës pranë. Shën Veneranda paraqitet veshur me të bardha dhe mbuluar me një pelerinë të kuqe me pala të mëdha. Ajo është përballë me qëndrim drejt. Në dorën e djathtë mban një degë ulliri, kurse në dorën para gjoksit mban një rrotë të dhëmbëzuar

/Agjensia e Lajmeve Sot News/