Masakër në Iran, rrugët mbushen me njerëz të vdekur

13 Janar 2026

Kryengritja kundër regjimit të mullahëve në Iran po merr gjithnjë e më shumë jetë njerëzish. Foto dhe pamje video tronditëse nga Qendra Mjeko-Ligjore Kahrizak në Teheran tregojnë familjarë të dëshpëruar e në zi si dhe rreshta të pafund trupash të pajetë në thasë plastikë, nën qiell të hapur.

Dhjetëra, ndoshta qindra, trupa shtrihen në dysheme brenda një hangari. Disa janë të mbështjellë me qese kufomash, të tjerë të shtrirë në barela. Burra dhe gra që kërkojnë të dashurit e tyre enden midis kufomave, duke i shqyrtuar me kujdes fytyrat e tyre.

Një grua, e përkulur mbi një trup të pajetë, qan me dënesë. E publikuar në mediat sociale të shtunën, më 10 janar, kjo video e shkurtër, e filmuar nga afër në morgun e qendrës mjeko-ligjore Kahrizak në jug të Teheranit, sugjeron se goditja e vazhdueshme në rrugët e kryeqytetit po shndërrohet në një masakër.

Që nga fillimi i protestave kundër udhëheqjes iraniane dy javë më parë, sipas rrjetit të të drejtave të njeriut Human Rights Activists News Agency (HRANA), me seli në SHBA, të paktën 544 persona janë vrarë deri tani, mes tyre edhe fëmijë dhe 47 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Numri real i viktimave mendohet të jetë më i lartë; raporte të pakonfirmuara flasin për më shumë se 2000 të vrarë. Protestat janë përhapur në 186 qytete.

BBC-ja britanike citoi të dielën një burim nga Teherani që tha: “Gjendja këtu është shumë, shumë e rëndë”.

Forcat e sigurisë kanë qëlluar me municion të vërtetë.

“Është si në një zonë lufte, rrugët janë plot gjak. Kufomat po i transportojnë me kamionë”, thuhej më tej. Këto të dhëna nuk mund të verifikoheshin fillimisht.

Masakër në Iran, rrugët mbushen me njerëz të vdekur

Njerëzit mblidhen pranë trupave të vendosur në qese jashtë Qendrës Ligjore Kahrizak në Teheran. Kjo pamje e ekranit është nga një video që qarkullon në mediat sociale më 11 janar 2026. MEDIAT SOCIALE / NËPËRMJET REUTERS

Sipas HRANA-s, deri tani në Iran janë arrestuar më shumë se 10.600 persona. Organizata mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit. Regjimi në Teheran nuk ka publikuar ende shifra zyrtare për viktimat. Vëzhguesit jashtë vendit frikësohen se mullahët po e shfrytëzojnë bllokimin e internetit për t’i shtypur protestat edhe më brutalisht.

Maskakër në Iran/ Rrugët mbushen me njerëz të vdekur,

Që prej së enjtes, udhëheqja iraniane ka bllokuar internetin, pjesërisht edhe lidhjet telefonike. Qëllimi është të vështirësohet komunikimi mes protestuesve dhe të shtypet publikimi i raporteve, fotove dhe videove mbi protestat masive. Një lidhje me botën e jashtme do të ishte e mundur përmes sistemit satelitor Starlink të miliarderit të teknologjisë Elon Musk (54), nëse do të ekzistonin terminalet e nevojshme.

Maskakër në Iran/ Rrugët mbushen me njerëz të vdekur,

Teherani ka njoftuar se do të veprojë me ashpërsi ndaj demonstruesve. Secili prej tyre mund të akuzohet si “armik i Zotit”, deklaroi në televizionin shtetëror Prokurori i Përgjithshëm Mohammed Mowahedi Asad.

Edhe ata që ndihmojnë nxitësit e trazirave mund të dalin para gjykatës nën këtë akuzë, e cila dënohet me vdekje.

Presidenti amerikan Donald Trump e kishte paralajmëruar Iranin kundër vrasjes së demonstruesve. “Ua kam bërë të ditur se do t’i ndëshkojmë ashpër nëse fillojnë të vrasin njerëz, gjë që ata e bëjnë me dëshirë gjatë trazirave të tyre, të cilat ndodhin shpesh”, tha ai. Aktualisht, presidenti thekson se Irani dëshiron të negociojë dhe se po përgatitet një takim.