Voskopoja është një komunë që ndodhet rreth 21 km larg nga qyteti i Korçës mbi një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit. Voskopoja ishte qëndër e zhvilluar kulturore e themeluar në vitin 1330 e përbërë nga shqiptarë, arumunë e grekë. Në Voskopojë u vendos shtypshkronja e dytë në Perandorinë Osmane (pas asaj në Konstandinopojë), u themelua Akademia e Re, një jetimore (e para në botën post-Bizantine), një spital si dhe 24-30 kisha unikale. Anastas Kavaljoti ishte ai qe mendohet se përgatiti alfabetin e parë shqip, madje shkroi dhe disa traktate por që janë zhdukur.

Voskopja u shkatërrua nga disa djegie të njëpasnjëshme. Në 1769 osmanët e dogjën dhe e plaçkitën. Kulmi arriti në 1788 kur trupat e Ali Pashës e rrafshuan përfundimisht. Një pjesë e tregtarëve voskopojarë u vendosën në Korçë e Berat ndërsa shumica u largua për në Thesali, Austri, Mbretërinë e Hungarisë si dhe në Transilvani. Këtu ata luajtën një rol kyç në Rilindjen Kombëtare Rumune. Ndonëse Daniel Voskopojari rindërtoi një shkollë në 1802 qyteti nuk e mori më veten kurrë.

Vendbanimi shfaqet në dokumentacionin historik me trajtat Voskopojë, Voskopol ose Moskopol. Për historianin Pëllumb Xhufi dyzimi në onomastikën e vendbanimit nuk është i parëndësi, tek konstaton që në dokumentet osmane gjendet rregullist trajta e parë Voskopojë. Ndërsa ndër aktet e Patrikanës së Ohrit, emri shfaqet rrallë, por gjithnjë në formën Moschopolis. Në aktet tregtare, veneciane apo franceze, shfaqet të dy format, Voscopolis e Moschopolis. Kronisti Gjon Muzaka përdor formën Voscop për fshatin fqinj, thuajse homonim të Voskopojës.

Në këtë vështrim duket se forma Moskopolis lidhet me popullsinë vllahe të vendit dhe të komuniteteve të tjera vllahishtfolëse e greqishtfolëse në Maqedoni e Thesali. Në kodikun e Shën Prodromit gjendet forma Moschopolis. Por kur hartuesi ish-peshkopi i Gorës, Mihali, transkripton dokumente arkivore në kodik, gjithnjë ruan trajtës Voskopojë.

Nga Shën Prodhomi hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Në të njëjtën periudhë në këtë qytetërim ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, 1720, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi. Shkatërrimin e parë e ka pasur në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. Voskopoja ruan vlera të mëdha të artit mesjetar.

Voskopoja, djepi i kapitalizmit të munguar

Zhvillimi në Voskopojë i profesioneve të zejeve të kohës së vet u bë një nxitës real konkurencë në të gjithë Ballkanin duke dhënë shenjat e para të një kulturë paraindustriale që do të sillte padyshim një zhvillim parakapitalist të domosdoshëm për zhvillimin e rajonit. Mallrat që prodhoheshin në Voskopojë kanë qenë të famshme dhe ndonjëherë për t’u dalluar mbanin të gdhendur shqiponjën siç ndodhte me sënduqet (Referenca vjen nga Dumont në veprën e tij për Ballkanin të cituar nga Ligor Mile: “Zejtaria fshatare shqiptare gjatë Rilindjes Kombëtare” f. 120) Sipas Aurel Plasarit, “Në qytet kishte 14 korporata. “Mund të themi pa e zmadhuar, se historia e qytetit është historia e korporatave të saj” (V. Papacostea “Despre corporatiile” f358). Në një studim gjeografik të botuar në Vjenë (të quajtur “Geografia neoterike eranistheisa nga shkrimtare te ndryshem para Dheniel ieromonakou dhe Gregoriou ierodhiakonou ton Dhimetrieon, vëll.I, Vienë 1791, f.27) nën kujdesin e Daniel Jeronomakut dhe Gregor Jerodjakut pohoet se voskopojarët qenë grupuar në 14 korporata, që përfaqësonin kategoritë e mëdha industriale dhe tregtare; interesante është vërejtja e tyre: “me një fjalë ekziston në Turqi një qytet i pajisur me gjithë sa është pajisur një qytet europian” (Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit, f43).

Por duke pasur parasysh se në Perandorinë otomane (Historia e Perandorisë Osmane nën drejtimin e Robert Mantranit , f.316), profesioni i tregtarit ishte një profesion të krishterësh dhe ebrenjsh është e kuptueshme që paria e qytetit ishte një pari e krishterë (të mos harrojmë edhe faktin se në Voskopojë ende dhe sot e kësaj dite janë mbetjet e 24 kishave dhe të asnjë xhamie).

Voskopoja e demokracisë urbane mesjetare

Elementi më i çuditshëm i Voskopojës ishte standarti demokratik i administrimit. Ajo drejtohej nga borgjezia tregtare dhe zejtare në mënyrë të pavarur nga Porta e Lartë nëpërmjet parimit të votimit. Këtë e konstatojnë shumë studiues të huaj (të cilat citohen edhe në librin “Historia e Perandorisë Osmane” nën drejtimin e Robert Mantranit, f. 314) Voskopoja ishte një qytet autonom brenda Perandorisë Otomane i përbërë nga shqiptarët, grekët dhe vllehët. Po ti referohemi referimeve të studiuesit Aurel Plasari, “Voskopoja nuk ekzistonte as në Suret Defter-in e Sanxhakut Arvanid”, (botuar nga H. Inalcik, pjesa Defteri i Përmetit dhe i Korçës përkthyer shqip nga V. Buharaja, Tiranë 1969). Nuk përjashtohet mundësia që Voskopoja të jetë trajtuar prej autoriteteve osmane “jashtë Shqipërisë”; rast i ngjashëm do të ishte ai i vilajetit të Përmetit, i vënë në dukje nga vetë Inalciku: ky vilajet “iu dha si shtojcë Jakub Beut, të birit të Teodor Muzakës” dhe si i tillë, “kjo krahinë konsiderohej jashtë Shqipërisë”.(Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit, f. 15) Gjithashtu Plasari i referohet edhe V. Papacosteas (tek “Despre corporatiile” f.358) i cili i përckton Voskopojën si një qytet “jashtë pushtetit të Portës” i cili në fakt ishte një “qytet tentakular në kuptimin e plotë të fjalës” i cili tërhiqte rreth vetes gjithë sa i vlente: tregtarë, afaristë, intelektualë të kohës, rini të fshatrave” (Fenomeni Voskopojë, Aurel Plasari,shtëpia botuese Phoenix dhe Shtëpia e Librit f. 31). Ky është fakti më kuptimplotë që Voskopoja ishte shqiptare sepse duke qenë një qytet tentakular që thithte mes trojeve shqiptare një popullsi prej dhjetra mijë banorësh, kuptohet që elementi joshqiptar nuk mund të ishte kurrë minorancë.