8 Nentor 2023

Nga BEDRI ISLAMI

Botuar në DITA

Nga të gjitha gjërat më të pabesueshme që mund të bëjë kryeministri i një vendi, aq më tepër i një shteti që nuk është as monarki dhe feud i një njeriu të vetëm, më e pabesueshmja, njëkohësisht edhe më antikombëtare, është kjo që zgjodhi të vetë vendosë shefi ynë i qeverisë, Edi Rama.

Në mënyrën më autokratike të mundshme, në kufij të pabesuar, ai  nënshkroi pasi e kishte para vendosur, që një pjesë të territorit shqiptar t’ia vërë në dispozicion qeverisë italiane, e cila në këtë pjesë të “huazuar” do të vendosë në një vit deri në 40 mijë emigrantë afrikanë, të cilët, në të gjitha kohrat, kjo qeveri i ka përzënë, i ka ndjekur, i ka keq trajtuar, ashtu si ka ndodhur edhe me bashkë kombasit tonë 33 vite më parë.

Me cilën të drejtë shefi i qeverisë vendos për diçka që është tej tagrit të tij, që nuk ka të bëjë aspak me fuqinë e tij kushtetuese dhe qeverisëse? Cila dispozitë ligjore ia jep atij fuqinë për të vënë në dispozicion pjesë të teritorit të vendit të tij, ku është votuar për ta qeverisur, jo për ta sunduar; ku është thirrur për të drejtuar në dobi të shtetasve të tij, jo për të marrë pozën e liderit ndërkombëtar, që pasi zgjidhi hallet e opullit ukrainas, pasi ia sqaroi bisedat dhe i vuri në vijë me presidencën serbe, pasi ngriti statusin e Zajednicës, duke u bërë pjesë e pa dashur e qeverisë së Kosovës, pasi u fut në lojë si i treti i rëndësishëm në paktet mes Scholz dhe presidentit francez, Makron, pra, pasi i zgjidhi gjithë hallet e botës, tani merr përsipër të zgjidhë edhe hallet e zonjës Meloni?!

Të jesh kryeministër i vendit tënd duhet të duash njerëzit e këtij vendi, që po ikin e po ikin, përherë e më shumë, ku dhe si të munden. Të duash begatitë e tij për popullin dhe jo për konçensionarët e PPP-ve që u bënë grangrenë e ekonomisë sonë. Të duash Shqipërinë do të thotë të mos të zërë gjumin për të vobektët, që zënë radhën për ushqime, me çmim më të ulët, jo të zgjidhësh pjesë nga halli i Zonjës Meloni për afrikanët që e djathta ekstreme italiane nuk i ka dashur kurrë, ashtu si nuk deshi emigrantët e parë shqiptarë, të cilët i mbylli në stadiume, në kampe, në strehimore të ngushta, ku edhe ushqimi hidhej përmes telave.

Italia ka bërë për emigrantët, por, më tepër se sa qeveritë, kanë bërë njerëzit e zakonshëm. Ata, italianët e thjeshtë, që nuk do të vijnë të strehohen në Shqipëri. Prindësit e tyre që po bëhen rezidentë kanë qenë të mirë pritur, investitorët e ndershëm, po ashtu. Por, hedhja e dorashkës , sipas së cilës, “ ia kemi borxh shtetit italian për çfarë ka ndodhur 33 vite më parë”, në mos tjetër, fyen inteligjencën e shqiptarëve, pasi këtu do të vijnë refugjatë nga Afrika apo Lindja, që nuk kanë asgjë të përbashkët me Italinë, dhe që nuk janë nisur në rrugëtimin e tyre drejt Shqipërisë.

Ku të çon mushka, zoti kryeministër?

E di se pas jush janë përgjithsisht një tufë frikacakësh politikë, që më shumë shohin buzëqeshjen dhe inatin tënd, se sa hallet e njerëzve. Një tufë deputetucësh, mes të cilëve pak gjen me integritet dhe të denjë për atë vend. Ata, ashtu si janë, qyqarë dhe të verbër, do e votojnë edhe çfarë nënshkuat, sepse atë kanë bërë gjithnjë, por turpi mbi të gjitha është turpi juaj.

Shqipëria nuk është plaçkë dhe as peng i politikës suaj për imazh personal fals lideri medemek botëror! Një njeri i vetëm nuk mund të vendosë për teritoret e saj, të lëshojë hapësira, të firmosë marrëveshje e traktate, të cilat nuk i bëjnë nder rolit dhe detyrës së tij, për më tepër, mjerisht, janë akte që bien ndesh me interesat e kombit.

Ka shumë enigma në marrëveshjen e tanishme. Shumë të paqarta, që nuk mund të jenë të besueshme dhe të pranuara nga njerëzit, përmes një komunikate të thatë, që hedh hije mbi inteligjencën njerëzore të kujtdo qoftë.

Enigma e parë qëndron në faktin se me cilët struktura, të qeverisë, të presidencës, të parlamentit, të banorëve të Lezhës jeni konsultuar? Mbi cilën bazë kushtetuese dhe ligjore është ndërtuar, hartuar dhe nënshkruar një vendim i tillë? A ka fuqi prapavepruese dhe a duhet nënshtruar vendimi juaj institucioneve që mbi baza kushtetuese, qëndrojnë mbi ju, në detyrën tuaj si shefi i qeverisë shqiptare?

Pra, shkurt e thjeshtë: cili ka qenë motivi juaj i vërtetë, zoti kryeministër, në nënshkrimin e këtij akti, që uroj të mos ratifikohet dhe të mbesë në kujtesë si një lajthitje kryeminstrore?

Enigma e dytë: çfarë marrëveshjesh të tjera, po kështu si kjo, enigmë, janë parashikuar mes dy qeverive , apo qeverive të treta, që kjo mos të shkaktojë më pas habi dhe të ngjall revoltë?

Nëse kjo ndodh vetëm me qeverinë italiane, përse? Një qeveri e së djattës që nuk e fsheh mllefin e saj ndaj të huajve dhe që ka ardhur në pushtet kryesisht me refuzimin e emigracionit dhe përçmimin e të huajve, a mund të jetë garanci  në sinqeritetin e saj politik?

Enigma e tretë: çfarë do të ndodh me plahin e bukur të Shengjinit, ku janë bërë investime të mëdha nga banorët e ardhur nga të gjitha pjesët e kombit?

Do të abandonohet ajo nga turmat afrikane, që janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një jetë më të mirë, por që Shengjin e ndoshta Shqipërinë as nuk e kanë ditur se ku bie? Çfarë do të ndodhë me banorët e Zadrimës, ku ju mendoni të ngrini kampet , në të cilat do të kalojnë rreth 40 mijë vetë në një vit, por që, jam i bindur, nëse marrëveshja kalon, do të jetë shumë fish më i madh i refugjatëve të strehuar aty.

Veriu,  zoti shefi i qeverisë , ka nevojë për rrugë të reja, pasi edhe tani bën dyfishin e kohës në një udhëtim nga Tirana në Shkodër, ka nevojë për qendra të reja pune, për turizëm elitar, për investime të rëndësishme, jo për kampe refugjatësh, që nuk dihet sa do të jenë, nga do të jenë dhe çfarë do të bëjnë.

Si do të jeni të bindur që mes këtyre refugjatëve nuk do të ketë ekstremistë, njerëz që kanë mbi vete të kaluar të dhimbshme dhe nganjëherë mizore , dhe, në një mjwedis të mbyllur, si një geto, nuk do të përsëritin ngjarje të dhimbshme?

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 qeveria e djathtë italiane, e njohur për ndjenja të theksuara nacionale dhe kundër emigracionit ka riatdhesuar vetëm 12 për qind të azilkërkuesve që u është refuzuar qëndrimi. 88 për qinde tyre vazhdojnë të jenë në Itali, të shpërndarë kudo apo të mbyllur në kampe. Po me azil kërkuesit që do të jenë në Shqipëri, të gjithë burra, çfarë do të ndodhë?

Të drejtosh do të thotë që mbi të gjitha të kesh respekt për vendin tënd. Por, kur shtetasit tuaj mësojnë një marrëveshje të tillë përmes mediave italiane, atëherë ky respekt, ose ka humbur, ose nuk ka ekzistuar kurrë.

Ju qofshi! Shqipëria nuk ta ka borxh një marrëveshje që askush tjetër nuk e pranon. As vetë vendet afrikane!

—-