8 Nentor 2023

Prej disa javësh, Lulzim Basha ka propozuar që të bëhet vetting për politikanët.

Kërkesa e tij rrëzohet për 24 orë dhe kjo për shkak të veprimeve të vetë Bashës dhe lidhjeve të tij të papërshtatshme me krimin e organizuar.

Lulzim Basha ka zgjedhur në Këshillin e tij Kombëtar Mustafë Martinajn, babain e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, “mbretit” të lojërave të fatit, i cili thuhet se është zhdukur që prej gushtit të 2022-shit.

Madje Basha del hapur me në krah babain e Ervis Martinajt. Ditën e djeshme ai shkoi dhe mbajti një takim në Laç, ku ishte i pranishëm edhe Mustafë Martinaj. Në foto, Luli dhe babai i të shumëkërkuarit shiheshin shumë të afërt, teksa ngrinin dolli me raki.

Basha, nga njëra anë del dhe kërkon vetting për politikanët dhe nga ana tjetër mban takime me babain e Ervis Martinajt dhe me persona me precedentë kriminalë.

Kjo tregon se nisma e Lulit bie direkt. Vetingu, në fakt, është një shashkë, pasi Basha jo vetëm që nuk e kalon procesin e vettingut, por duhet që të shkojë te “313”-ta.

Madje, ai akuzohet edhe për financim të fushatave zgjedhore nga persona të inkriminuar.

Nëse nis një proces vettingu ndaj politkanëve, Basha do të renditet ndër të parët që rrezikon të lihet jashtë politikës dhe brenda mureve të qelive, pa përmendur edhe pasuritë e tij marramendëse dhe vilat luksoze, për të cilat ngrihen shumë pikëpyetje se si janë përfituar./ CNA