(vijon). Pushtimi turk solli një ndryshim të rëndësishëm në jetën e Shqipërisë. Për arsye që janë tepër të gjata për t’i shtjelluar këtu, shumë shqiptarë e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, e kjo lëvizje vijoi për dy shekuj, derisa rreth 65 % e popullsisë u bë myslimane; pjesa tjetër mbeti e krishterë. Në Veri, si besimtarë të kishës Perëndimore e në Jug të asaj Lindore, që shpesh quhet gabimisht kisha greke. Meqë në kishën e dytë shërbesat bëhen greqisht dhe kleri është në pjesën më të madhe grek, u krijua mundësia për grekët që të shkombëtarizonin shqiptarët, duke e përsosur kishën si mjet të propagandës.

Një faktor tjetër ka qenë ardhja tinzare e banorëve që flisnin greqisht, shpesh të favorizuar me budallallëk nga pronarët shqiptarë, të cilët kishin nevojë për bujqër, për të zëvendësuar shqiptarët që iknin në luftërat e pafund të Perandorisë Osmane. Ngritja e Greqisë si shtet i pavarur i dha një shtysë të fuqishme propagandës greke. Tashmë grekët nisën haptas të shpallnin se çdo besimtar i kishës Lindore, pavarësisht nga gjuha dhe kombësia, ishte grek.

Një nga marifetet më të padëgjuara të grekëve ka qenë dhënia e rryshfeteve zyrtarëve të lartë në Stamboll për të nxjerrë një ferman që të ndalonte qarkullimin apo mbajtjen e librave shqip. U quajt një veprim i dënueshëm, madje, edhe po të mbaje libra kaq të padëmshëm si gramatika ose aritmetika, po të ishin shkruar shqip. Grekët ranë, madje, edhe më poshtë: nuk e kishin për gjë të kallëzonin atdhetarët shqiptarë të ndershëm si rebelë dhe bënin që ata t’i degdisnin në burgje të largëta.

(IV)

Pas luftërave ballkanike Turqia Evropiane u copëtua dhe Fuqitë e Mëdha nuk mund ta injoronin ekzistencën e kombësisë më të lashtë të gadishullit. Shqipëria u bë shtet, por u rrëgjua në një të katërtën e madhësisë së vet natyrore. Dikush mund ta mendonte se pas kësaj do të ishin të kënaqur dhe do të rrinin urtë, se do të përpiqeshin, po të ishte e mundur, të zhvillonin marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me pjesën që mbetej të Shqipërisë. Mirëpo ndodhi e kundërta. Duke përfituar nga fakti që Turqia, një vit më parë i kishte çarmatosur plotësisht shqiptarët, një ushtri me grekë, e organizuar dhe e maskuar si njerëz civilë, vërshoi mbi gjithë Shqipërinë dhe nisi të djegë e të vrasë gjithçka i dilte përpara. Në Shqipëri, në atë kohë kanë qenë në qendër të këtyre krimeve të organizuara dy dëshmitarë të huaj: autorja e njohur angleze, Meri Edit Durham, dhe një korrespondent gjerman. Të dy ata u tmerruan dhe u morën vesh që t’ia bënin të njohur të gjithë botës çdo gjë që këta e quanin si një nga krimet më të mëdha të organizuara në të gjitha kohërat. Për fat të keq, plasi Lufta Botërore dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Por më 1920, me titullin “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Miss Durham botoi një libër, ku një kapitull i plotë i kushtohet njoftimeve për këto masakra. Kushdo që dëshiron ta kuptojë konfliktin e sotëm nuk mund të bëjë pa e parë këtë libër.

Pas Luftës Botërore, Greqia ua ndaloi shqiptarëve të kishin shkollat e tyre në Greqi dhe vijoi punën e saj për të eliminuar elementin shqiptar me çfarëdo mjeti. Një rast i rrallë iu paraqit grekëve nga Traktati i Lozanës, i cili nxiti shkëmbimin e familjeve turke me ato greke. Siç e kam thënë më sipër, një shumicë shqiptarësh, disa shekuj më parë, e lanë krishtërimin dhe u bënë myslimanë, por ata i ruajtën gjuhën dhe traditat kombëtare dhe kurrë nuk e kanë mësuar turqishten. Mashtrimi i grekëve kishte për qëllim që t’i paraqiste si turq shumë myslimanë shqiptarë dhe t’i dërgonte me anije në thellësinë e Azisë së Vogël, duke i bërë objekt shkëmbimi. Kjo është njësoj sikur të syrgjynosësh irlandezët në Poloni, duke u nisur nga fakti se edhe irlandezët, edhe polakët, janë katolikë edhe prandaj qenkan të një kombësie. Komisioni Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Popullsisë e zbuloi mashtrimin, në pak raste, dhe e ndaloi, por shumë herë të tjera atij ia hodhën me mjeshtëri.

Po të shqyrtohen dëshmitë e vjetra për gjendjen e kombësisë në viset e ndryshme të rajonit të diskutuar, habitesh me ndryshimet që janë bërë nëpërmjet dredhive dhe mashtrimeve të organizuara. Në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, një anëtar i kishës së Anglisë me emrin Stjuart Hjuz, ka bërë një udhëtim nëpër Shqipëri dhe ka lënë shënime për vëzhgimet e veta.

Ka vizituar dhe qytetin tim të lindjes, Konicën, një vend i lashtë i cili mendohet nga disa studiues si Pukevili, se ka qenë në mesjetën e hershme kryeqyteti i Ilirisë Jugore. (Emri i vendit tingëllon në mënyrë të çuditshme si prusian, por kjo vjen ngaqë po ai ndikim sllav mbi toponiminë, ka vepruar në Prusi, ashtu edhe në Shqipëri). Hjuzi ka shënuar se Konica kishte 800 shtëpi, nga të cilat 600 ishin shqiptare dhe 200 greke. Ku janë këta 75 % shqiptarë sot?

Megjithatë, në rajonin e diskutuar ka një krahinë të gjerë, qëndresa e patrembur e së cilës i ka kapërcyer të gjitha format e organizuara të vrasjeve, mashtrimeve dhe grabitjeve. Kjo është Çamëria, të cilën grekët e shtrembërojnë në Camuria. (Nuk u vë faj grekëve, për këtë shtrembërim që vjen nga paaftësia e alfabetit grek për të riprodhuar gjithë tingujt e gjuhës shqipe dhe të shumë gjuhëve të tjera për këtë çështje). I ndjeri senator Kabot Loxh (Cabot Lodge) në shtypin grek dilte gjithmonë me emrin Kampot Lone. Popullsia e Çamërisë tani vonë, më 1913, ka qenë 96 % shqiptare. Ky përpjesëtim tani është ulur me akte dhune dhe unë mund të sjell si shembull shumë punëtorë që derdhin djersën në fabrikat e Amerikës, të cilët i kanë pasur prindërit pronarë të lulëzuar në Çamëri, më pak se një vit më parë.

E megjithatë, në kundërshtim me gjithë këtë përndjekje, ende shqiptarët përbëjnë 80 % të popullsisë së Çamërisë.

(V)

Ndërsa tani Italia është gati të ndërhyjë, duke na shpallur si qëllim se kërkon të vërë në vend dëmet që i janë shkaktuar kombit shqiptar dhe të rivendosë kufijtë natyrorë e historikë të Shqipërisë. Është e arsyeshme të presësh nga çdo shqiptar i vërtetë se do të jetë i pakënaqur nga ky veprim. Por ndonjë mund të kundërshtojë se, megjithë metodat e dënueshme të përdorura nga grekët, ata kanë arritur që ta përmbysin gjendjen e kombësive në shumë vise të rajonit të diskutuar; kështu që të ndreqet një padrejtësi e vjetër me një padrejtësi të re, nuk tingëllon aq mirë. Për këtë unë do të përgjigjesha se nuk mund të ketë një akt ligjor që të përligjë krimet e organizuara e të vazhdueshme.

Por, ka dhe më. Shumë larg nga Shqipëria historike, në Greqinë e brendshme ka pothuaj një milion shqiptarë, gati gjysma e të cilëve ende e flet gjuhën e vet të lashtë. Këta njerëz kanë një mall ideal për Shqipërinë dhe në të kaluarën kanë nxjerrë dëshmorë të çështjes shqiptare. Ata mund të shkëmbeheshin me grekët e rajonit të diskutuar dhe, më së fundi, të gjithë do të ishin të kënaqur. Porse, siç pohojnë grekët, Italia kërkon të arrijë qëllimet e veta duke zgjeruar kufijtë e Shqipërisë. Unë pajtohem me këtë plotësisht, por më duhet të shtoj se ky pohim nuk ka peshë dhe është thjesht një përpjekje për t’i bërë bisht çështjes. Çështja është a ka qenë gjithmonë pjesë përbërëse e Shqipërisë ish-krahina turke e Janinës? Në qoftë se kjo është e vërtetë, a mund të bjerë poshtë, automatikisht, kjo e vërtetë vetëm e vetëm sepse e thonë edhe italianët? Fakti është i qartë: Italia ka këtu një përgjigje të mirë e të fortë, sepse rastis që kërkesat e saj përputhen me një akt të vonuar drejtësie kundër Shqipërisë. Po ndodh që një herë perënditë hakmarrëse janë në anën e legjioneve të Cezarit.

(Faik Konica, “Ju rrëfej grekët”, botuar në “New York Times”, më 1940)