14 Janar 2023

Pesë vepra arti me vlerë mbi 400 mijë dollarë u gjetën në një dhomë hoteli në Lakewood, Kolorado të SHBA-së, së bashku me një grumbull armësh, pajisje elektronike dhe drogë.

Arti u vodh gjatë transportit nga një kamion i mbyllur në mbrëmjen e 14 dhjetorit. Pjesa e automjetit u pre derisa përgjegjësit për lëvizjen e veprave të artit po qëndronin në një hotel. Të shtunën e kaluar në mbrëmje, Departamenti i Policisë në Boulder mësoi vendndodhjen e veprave të vjedhura të artit. Me ndihmën e Departamentit të Policisë në Lakewood, ekipi kontrolloi dhomën e hotelit dhe arrestoi 31-vjeçarin Brandon Camacho-Levin si të dyshuar.

Vepra e artit u gjet ende e paprekur, së bashku me sende të tjera të vjedhura, duke përfshirë gati 2 mijë pilula fentanyl dhe 23 gramë metamfetaminë.

Vepra abstrakte e ekspresioniste e Elaine de Kooning, “Pa titull” (Seria e Madridit #3) dhe një skenë ferme e pikturuar nga Jane Freilicher, “Burnnet’s Barn” ishin në mesin e veprave të gjetura.

“Pamja e qytetit Taos” e Joseph Henry Sharp, bashkë me “Natë në qytetin Taos” e Eanger Irving Couse dhe “Laguna e qytetit” e Ernest Martin Hennings u blenë së fundmi në Bonhams, Los Angeles, dhe ishin rrugës për në Santa Fe.

Sipas një raporti të arrestimit, i dyshuari kishte ofruar t’ia shiste veprën artistike për 6 mijë dollarë një personi që njoftoi policinë.

“Reagimi im ishte i tërbuar”, ka thënë Colleen Fanning, këshilltare arti e pronarëve. “Ne ishim të tronditur dhe të tmerruar dhe nuk e kishim idenë se diçka e tillë mund të ndodhte”.

Korrikun e kaluar i dyshuari ishte arrestuar për vjedhje të automjeteve, sipas një raporti në “Forbes”. Camacho-Levin u dërgua në qendrën mjekësore “Rose” pasi u sëmurë ndërsa ishte në paraburgim, por u arratis pasi sulmoi një oficer.

Camacho-Levin po përballet me akuzat për shpërndarje dhe prodhim droge, vjedhje penale dhe posedim të një arme të një krimineli të dënuar.

“Jo vetëm që e rikuperuam këtë vepër arti ende të paprekur, por gjithashtu hoqëm nga rruga këto droga vdekjeprurëse që pllakosin komunitetin tonë”, ka thënë shefi i policisë, Maris Herold, në një deklaratë për media.

Gazeta Koha, Prishtine