Banka Botërore: Në Shqipëri 56% e të anketuarve e shohin korrupsionin si pengesën kryesore

Edi Rama Luftojmë Korrupsionin, karikaturë (fragment)
2 Shtator 2026
Korrupsioni shihet si pengesa kryesore që frenon reformat ekonomike dhe sociale në Shqipëri.
Ky është një nga përfundimet më të forta të anketës së Bankës Botërore për vitin 2026, ku 56 për qind e të pyeturve e rendisin korrupsionin si faktorin kryesor që ngadalëson ose pengon reformat në vend.
Pas tij renditen kapacitetet e pamjaftueshme të qeverisë me 35 për qind, mungesa e llogaridhënies me 34 për qind dhe presionet apo pengesat politike me 33 për qind.
Problemi shfaqet po aq fort edhe kur pyetja zhvendoset tek sfidat e biznesit.
Sipas anketës, 52 për qind e të pyeturve konsiderojnë mungesën e fuqisë punëtore dhe po 52 për qind përmendin korrupsionin.
Sipas të dhënave, 47 për qind përmendin mjedisin rregullator dhe 39 për qind aksesin në financim.
Raporti evidenton edhe fushat ku kërkohet më shumë mbështetje për zhvillimin e Shqipërisë.
Bujqësia dhe siguria ushqimore kryesojnë me 49 për qind, të ndjekura nga arsimi me 47 për qind, shëndetësia me 36 për qind dhe punësimi me 34 për qind.

Edi Rama Luftojmë Korrupsioni. karikaturë nga Bujar Kapexhiu
Infrastruktura digjitale vlerësohet si prioritet nga 32 për qind e të anketuarve.
Për krijimin e vendeve të reja të punës, turizmi shihet si sektori me potencialin më të madh, por me kërkesën që të mos mbetet i varur vetëm nga sezoni veror.
Pas tij përmenden bujqësia dhe agropërpunimi, teknologjia e informacionit, shërbimet digjitale, energjia e rinovueshme dhe infrastruktura.
Në të njëjtën kohë, të anketuarit kërkojnë nga Banka Botërore më shumë fokus te zbatimi konkret i reformave, rezultate të matshme, më pak burokraci dhe bashkëpunim më të gjerë me biznesin, pushtetin vendor, shoqërinë civile dhe universitetet.
Anketa e Bankës Botërore u zhvillua nga marsi deri në maj të këtij viti. Nga 680 persona të ftuar, morën pjesë 219 përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, medias dhe akademisë.
