2 Shtator 2026

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala deklaroi të mërkurën se ka dhënë dorëheqjen nga detyra që e mbajti për një vit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama.

Në një status në platformën X, ajo njoftoi se do t’i kthehej angazhimeve të saj ndërkombëtare në fushën e ekspertizës si mjeke.

“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion,” shkroi ajo, ndërsa pretendoi se gjatë këtij viti janë bërë “hapa të rëndësishëm në shëndetësi”.

Para se të pranonte ftesën e Ramës, Sala kishte ndërtuar një karrierë akademike dhe shkencore në fushën e imazherisë onkologjike në nivel ndërkombëtar.

E papërfshirë në politikë më parë, ajo u prezantua nga kryeministri si ‘shpresë për të ardhmen e shërbimit shëndetësor’, por sektori vijoi dhe nën drejtimin e saj të ishte një nga sektorët më problematikë në ofrimin e shërbimeve bazë për të sëmurët dhe mungesën e pajisjeve mjekësore .

Evis Sala Edi Rama

Shqipëria shënon shpenzimet publike më të ulëta në rajon për shëndetësinë për vitin 2025, teksa qytetarët vijojnë t’i mbulojnë vetë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të tyre shëndetësore.

Kryeministri Rama nuk e ka komentuar largimin e ministres Sala, ndërsa në media ka raportime se ajo u largua pasi nuk pranoi të firmoste planet e kryeministrit për të privatizuar dhe monopolizuar edhe sektorin e medikamenteve mjekësore.