9 Dhjetor 2022

Policia e Kosovës është sulmuar në veri të Kosovës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatës natës.

Në njoftimin e policisë u bë me dije se sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit.

Për rrjedhojë, një nga efektivët ka mbetur i plagosur. Ai është dërguar në spital.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës shtoi prezencën e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i policisë për të shtuar praninë e saj në veri, ka për qëllim sigurimin e qytetarëve.

Ndërsa, Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç tha se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 000 forcave të saj të sigurisë në Kosovë. Ky veprim tha se do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.

Petkoviç ka thënë se policët kosovarë kanë bllokuar të gjithë veriun e Kosovës, ndonëse nuk është raportuar për ndonjë incident deri tani dhe qytetarët kanë qenë të lirë të filmojnë dhe të përcjellin lëvizjet e policëve. Sipas Petkoviç, policët kosovarë nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e Kosovës.

Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – pritet të mbahen zgjedhjet lokale më 18 dhjetor.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre. Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve.

Shefi i stafit të presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se Serbia nga verimet e fshehta e të dhunshme të strukturave ilegale në Kosovë, po kalon në kërcënim të hapur për të përdorur forcat policore e ushtarake për të kryer agresion në Kosovë. Vela deklaroi se sipas parimit të Rusisë, lëvizjes së Serbinë në Kosovë janë kërcënim i hapur.

“Regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të saj ilegale në Kosovë, në kërcënimin e hapur për të përdorur forcat policore dhe ushtarake për të kryer agresion kundër Kosovës. Sipas parimeve të Rusisë, ky është një kërcënim flagrant për ta rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Vela.

Gazeta Dita