26 Nëntor 2026

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë shtetin e së drejtës, duke theksuar se këto janë kushte të domosdoshme për tërheqjen e investimeve private dhe zhvillimin ekonomik.

Gjatë fjalës së saj në ditën e dytë të Konferencës së Investitorëve BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë, ambasadorja nënvizoi se fondet publike nuk janë të mjaftueshme për transformimin ekonomik të rajonit.

“Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm për ekonominë europiane. Rajoni mund të kontribuojë në konkurrueshmërinë e Europës. Ekonomitë tona po integrohen gjithnjë e më shumë.

Duhet të forcojmë lidhjet ekonomike dhe të nxisim zhvillimin e bizneseve rajonale. Duhet të krijojmë më shumë mundësi për investime në rajon. Synojmë forcimin e bizneseve lokale dhe përshpejtimin e anëtarësimit në BE”, deklaroi Moreira de Sousa.

Moreira de Sousa theksoi se integrimi ekonomik me BE-në duhet të shoqërohet me forcimin e bizneseve lokale, rritjen e konkurrueshmërisë dhe krijimin e mundësive të reja për investime.

Ambasadorja solli si shembull Poloninë, duke deklaruar se ekonomia e këtij vendi është trefishuar pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Anëtarësimi në BE krijon tregje konkurruese dhe rritje të qëndrueshme ekonomike. Ekonomia e Polonisë u trefishua pas anëtarësimit në BE. Përfitimet e integrimit fillojnë përpara anëtarësimit në BE. Synojmë afrimin e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian.

Fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik të rajonit. Qeveritë duhet të përshpejtojnë reformat dhe të forcojnë shtetin e së drejtës. Investitorët kërkojnë institucione funksionale dhe zbatimin e ligjit. Synojmë më shumë investime, konkurrueshmëri dhe rritje ekonomike”, tha ambasadorja e BE-së.