Kërkohet dorëheqja e kryeministrit hajdut, jo e Donald Trumpit
24 Qershor 2024
Nga: lir Dako
Fjalimi i i Ramës nuk ishte një akt komunikimi politik, por një seancë vetëmbrojtjeje. Ai nuk foli për vendin, por për veten
Ditën e djeshme kryeministri shqiptar në një orë e ca fjalim përballë deputetëve socialistë, por dhe publikut shqiptar rrëfeu panikun dhe frikën që e ka mbërthyer nga lëvizja qytetare që ka pushtuar sheshet e Shqipërisë dhe mbarë botës. Fjalimi i i tij nuk ishte një akt komunikimi politik, por një seancë vetëmbrojtjeje. Ai nuk foli për vendin, por për veten. Në vend të reflektimit, zgjodhi të ndërtojë një mur me fjalë, një mburojë prej termash teknologjikë që e ndajnë nga realiteti.
Ndërkohë që qytetari shqiptar, i madh e i vogël priste sy e veshë reflektimin e një pushtetari, që për 13 vite pushtet ka mbjellë dhe kultivuar farën e keqe të krimit dhe korrupsionit në çdo qelizë të shtetit, reagimi i kryeministrit shqiptar ishte një mori fjalësh dhe fjalish, të cilat evidentuan panik dhe frikë.
Të gjithë prisnim me kërshëri, por dhe me shpresë reagimin e kryeministrit shqiptar, duke menduar se në subkoshiencën e tij do ishin ndezur spiat e arsyes dhe përgjegjshmërisë, për të treguar nëse e ka merituar atë pushtet të pakufishëm që ka administruar nga shqiptarët. Shumëkush nga ne, duke njohur te Edi Rama qytetarin, artistin, por dhe frikacakun priste reagimin e një burrështeti që ka drejtuar vendin për 13 vite rresht, ku minimalisht duhet ti jepte dritën jeshile zgjidhjes së ngërçit që ka mbërthyer vendin.
Kryeministri shqiptar demonstroi qartazi se ndodhet në një rrugë pa dalje, ku e vetmja shpresë është gjuha e drunjtë me popullin e tij, duke konsideruar qindramijë bijë nënash si algoritme pa jetë, ndërkohë që përfaqësojnë denjësisht popullin e tij. Dje ne pamë para shqiptarëve kryeministrin Dielli, shefin e ministres Diella, i cili foli si softuer për algoritme, profile, formula,skripte, duke qenë larg nga humani Edi Rama, që duhet të fliste për jetët e shqiptarëve, hallet e tyre dhe shpresat e tyre.
Algoritmet, profilizimet, skriptet nuk janë më metafora, por simptomat e një pushteti që ka humbur kontaktin me njerëzit. Kur një lider flet për popullin si për një sistem të dhënash, ai ka kaluar nga politika te kontrolli. Algoritmi i Ramws wshtw algoritmi i frikës, një mekanizëm që prodhon panik për të ruajtur pushtetin. Rama nuk ka frikë nga opozita, por nga qytetari i lirë. Protesta e shesheve është për të një defekt në sistem, një “bug” që duhet riprogramuar. Kjo është arsyeja pse ai e zhvendos debatin nga realiteti te metafora, nga korrupsioni te “Trumpizmi”, nga përgjegjësia te “komploti global”. Është një strategji e vjetër e pushteteve të konsumuar, kur nuk ke më argumente, shpik armiq.
Po sot në podcastin e tij, Edi Rama përsëriste të njëjtat teori, duke filluar nga algoritmet deri te marrëzia që shqiptarët duan të rrëzojnë Donald Trumpin bashkë me Edi Ramën, pasi ky i fundit na paska dalë trumpist i thekur. O zot! E thënë nga goja e një njeriu që para disa vitesh e konsideroi Trumpin rrezik për mbarë rruzullin, të bën të vësh buzën në gaz për çfarë bën ky njeri për pushtet. I panikosur dhe i marrosur nga situata që i ka dalë nga kontrolli, Edi Rama kërkon me çdo kusht të tregojë se nuk ka forcë që e lëviz nga pushteti dhe kërkon me çdo kusht që të çojë qëllimin e protestës aty ku do ai dhe jo në arsyen e vërtetë që ka çuar në këmbë miliona shqiptarë.
Edi kërkon që të kanalizojë protestën në një nga arsyet e aktivizimit të revoltës qytetare siç është rasti i Zvërnecit, por nuk pranon kushtin e panegociueshëm të zërit që buçet nga sheshi: Dorëheqjen nga qeveria dhe largimin së bashku me patericën e tij Sali Berisha.
Metafora e përdorur me Odiseun e Homerit, ku personazhi i famshëm u lidh pas direkut të anijes për të dëgjuar sirenat, ishte një paralajmërim se Edi do lidhë veten me zinxhirë në dyert e kryeministrisë dhe ska për ta lënë pushtetin pavarësisht zërave të miliona shqiptarëve.
Në aspektin psikopolitik, Rama përfaqëson sindromën e liderit që ka kaluar nga karizma te paranoja. Ai e sheh çdo kritikë si sulm personal, çdo protestë si rrezik ekzistencial. Kjo e bën të ngjashëm me Ramizin e fundviteve ’80, që fliste për “armiqtë e klasës” kur turma ishte te dera. Por ndryshe nga Ramizi, Rama nuk ka sistem ideologjik për ta mbrojtur ka vetëm vetveten. Pushteti i tij nuk është më politik, por narcistik: një refleks për të ruajtur imazhin, jo për të mbrojtur shtetin.
Në aspektin historik, Shqipëria ka parë tri funde të pushteteve të ngjashme: Ramizi që u dorëzua për të shpëtuar sistemin, Berisha që u rrëzua nga revolta, Nano që u tërhoq për të shmangur gjakderdhjen. Rama nuk ka zgjedhur asnjërën. Ai ka zgjedhur ngrirjen, një fazë ku pushteti nuk lëviz, por as nuk jeton. Kjo është faza më e rrezikshme për një vend: kur lideri e di se fundi po vjen, por nuk pranon ta lexojë.
Kryeministri shqiptar në fakt nuk ngjason me asnjë nga këta. Ky personazh është njeriu që shndërroi shtetin në celulë krimi dhe qeverinë e tij në një megabandë që ka grabitur ditën për diell shqiptarët. Qeverisja e tij ka ndërtuar një model të ri korrupsioni, jo më klasik, por institucional. Krimi nuk është më jashtë shtetit, por brenda tij. Tenderat, koncesionet, portet, energjia janë bërë instrumente të një ekonomie të kontrolluar nga pak duar. Ky është “krimi i bardhë”, ai që nuk ka nevojë për armë, por për firma. Dhe kur drejtësia fillon të afrohet, frika kthehet në panik. Rama e di se fundi i tij nuk do të vijë nga opozita, por nga sistemi që vetë ndërtoi.
Zullumet e këtij kryeministri flenë si gjaku i Makbethit në duart e tij, ku çdo pasuri e grabitur, çdo krim apo bashkëpunim me krimin i rëndojnë ndërgjegjen dhe i kanë kallur datën nga shtëpia pa qera që ka përgatitur drejtësia. Frika e Edi Ramës është fundi i Ilir Metës, Sali Berishës, Ilir Beqjas, Erion Velisë, Belinda Ballukut dhe gjithë kolegëve të tij që grabitën Shqipërinë pa mëshirë.
Edi Rama nuk kupton dhe nuk lexon historinë. Fundi i tij është i pashmangshëm dhe çdo vonesë në reagim do të ketë pasoja serioze për të, por dhe për vendin, pasi nga qëndrimi i tij varet kolapsi ekonomik dhe politik që mund të vijë nga një eskalim i mundshëm i situatës. Protesta nuk është më një akt politik, por një akt ekzistencial. Ajo nuk kërkon ndryshim qeverie, por rikthim dinjiteti. Nuk kërkon pelikanin, por njeriun që ka shndërruar shtetin në laborator korrupsioni. Kërkon dorëheqjen e kryehajdutit me çizme jo si hakmarrje, por si pastrim moral. Sepse kur pushteti bëhet algoritëm, vetëm zëri i njeriut mund ta fikë sistemin.
Nga: Gazeta Sot

