Ergys Agasi udhëtonte me makinat e SHISH, Edi Rama e strehoi në vilat qeveritare në Durrës për t’i shpëtuar kontrolleve të SPAK

23 Shtator 2026
Ofensiva e djeshme e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni, si dhe bastisja e vilës së ish-kryepolicit Ilir Proda, i cili njihet gjerësisht si “ushtar i Ergys Agasit”, ka rikthyer në vëmendje një mega-aferë, ku dyshohet se është përfshirë drejtpërdrejt vetë kryeministri Edi Rama. Bëhët fjalë për një skandal të paprecedentë, i cili ka zbërthyer me fakte tronditëse mënyrën se si pushteti ekzekutiv transformohet në një strehë të sigurt për personat që kërkohen nga drejtësia.
Për t’i shpëtuar kontrolleve të befasishme të policisë dhe interceptimeve të SPAK-ut, Ergys Agasi, i cili u arrestua në gusht pas 8 muajsh në arrati dhe në kërkim sa i takon aferës së “AKSHI-t”, lëvizte lirisht nëpër territor (Shqipëri) me mjetet zyrtare të Shërbimit Informativ Shtetëror. Përdorimi i logjistikës sekrete të inteligjencës tregon qartë se si strukturat më të ndjeshme të sigurisë kombëtare u vunë në shërbim të një personi në arrati. Burime të besueshme konfirmojnë se me bekimin e plotë dhe mbrojtjen direkte të kryeministrit Edi Rama, Agasi jo vetëm lëvizte pa asnjë pengesë me makinat e SHISH, por edhe akomodohej lirisht në vilat qeveritare në Durrës.
Rezidencat zyrtare të shtetit, të cilat ruhen me protokoll të rreptë ushtarak e policor, u kthyen në bazë operativo-strehuese për t’i garantuar atij paprekshmëri absolute nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Ky fakt zbulon një skemë të mirëfilltë ku organet e hetimit pengohen direkt nga kupola më e lartë e ekzekutivit. Rasti pikturon panoramën e një shteti-bandë, ku vija ndarëse mes pushtetit shtetëror dhe të kërkuarve nga drejtësia është fshirë plotësisht. Në vend që të zbatonte urdhërarrestet e prokurorisë, aparati shtetëror me dijeni e plotë dhe bekimin e kryeministrit Rama u vu në alarm për të garantuar mborjtjen e një njeriu në arrati, sikundër është Ergys Agasi, të cilin SPAK e akuzon si “koka” e një grupi të strukturuar kriminal që bënte ligjin në zyrat e shtetit.
Mbështetja me mjete sekrete dhe nga strehimi në pronat shtetërore tregon se mbrojtja nuk ishte me iniciativë private, por një operacion i mirëfilltë me leje nga zyra e kryeministrit. Kjo ngjarje provon se sa thellë ka depërtuar kapja e institucioneve, ku vetë Kryeministria shndërrohet në mburojë për t’i ikur llogariadhënies para SPAK-ut.
Denocimi
Ndërkohë një denoncimi për lidhjet e Ergys Agasit me kupolën e shtetit e bëri dje edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. Nga selia blu teks akomentoi zhvillime e fundit që lidhen me drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ai ngriti akuza të forta ndaj saj dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë një konference me gazetarët, Berisha e cilësoi çështjen si një nga ngjarjet më të rënda për institucionet e sigurisë kombëtare, ndërsa pretendoi se drejtuesja e SHISH kishte vënë institucionin në funksion të krimit.
“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit”, tha Berisha. Kreu i PD-së përsëriti gjithashtu akuzat e tij për lidhje të afërta mes Hysenit dhe Ergys Agasit, duke pretenduar se ky i fundit kishte ndikim mbi SHISH. Sipas Berishës, Hyseni dhe Agasi takoheshin rregullisht në Tiranë. “Në mënyrë të përsëritur kam denoncuar se SHISH e kontrollonte Ergys Agasi. Se sa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën, këtë e tregon dhe një fakt. Është një lokal aty afër shtëpisë sime. Të paktën dy herë në javë drekonin së bashku”, deklaroi ai.
Berisha u ndal edhe te rasti i Belinda Ballukut, duke pretenduar se Vlora Hyseni ishte përfshirë në ushtrimin e presionit ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me një vendimmarrje që kishte të bënte me Ballukun. “Vlora Hyseni, famëzeza, u mor në mënyrë aktive me presione ndaj gjykatësve kushtetues në rastin e vendimit të Ballukut”, deklaroi Berisha. Ai ngriti më tej akuza ndaj kryeministrit Edi Rama dhe pretendoi se Hyseni kishte lidhje edhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiç. Sipas Berishës, situata ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e SHISH, ndërsa përgjegjësinë politike për këtë ia atribuoi kreut të qeverisë.
Nga: Gazeta Sot
