Gërmime Arkeologjike në Gajtan

24 Shtator 2026

Në fshatin Gajtan, pranë shpellës me të njëjtin emër, rifilluan për të dytin vit radhazi kërkimet arkeologjike në kuadër të projektit “Gajtan, kërkime arkeologjike paleolitike në Shqipëri” (GRAAL).

Projekti drejtohet nga arkeologu Rudens Ruka dhe është rezultat i një bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Institutit të Arkeologjisë dhe disa institucioneve kërkimore-shkencore franceze.

Fshati Gajtan ndodhet në lindje/juglindje të qytetit të Shkodrës, në varësi të pikës së referimit dhe rrugës së përdorur. Ndërsa fortifikimi ilir i quajtur Qyteza e Gajtanit është një vendbanim i epokës së hekurit, i vendosur mbi një kodër në verilindje të fshatit Gajtan, rreth 5 km në lindje të Shkodrës. Fortifikimi përbëhet nga mure rrethuese prej guri dhe është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I.

Rikthehen kërkimet arkeologjike në Gajtan për vendbanimin

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bëri të ditur se, vëmendja është përqendruar në sektorin qendror të shpellës, në pjesën e sipërme dhe të shembur të saj, pikërisht në zonën ku u ndërprenë gërmimet e viteve 1980, të kryera nga Anton Fistani. Metodologjia e punës konsiston në heqjen e depozitimeve shtresë pas shtrese, me synim rikuperimin e mikrofaunës dhe të treguesve të ndryshëm mjedisorë.

Gërmime Arkeologjike në Gajtan

Përmes ndërhyrjeve në terren dhe përfshirjes në procesin kërkimor, projekti synon të nxisë interesin dhe vëmendjen ndaj arkeologjisë paleolitike në Shqipëri.

Kjo fushatë pritet të kontribuojë në krijimin e një panorame më të plotë mbi potencialin paleolitik të zonës së Gajtanit, duke ndihmuar në identifikimin dhe përzgjedhjen e zonave prioritare për kërkimet arkeologjike të vitit 2027.