Hsan Ulqini. –

“Ky reliev është shumë më i hershëm se vetë kalaja”.

Specialistët e trashëgimisë Kulturore, njëkohësisht anëtarë të Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, Auron Tare dhe Artan Shkreli denoncojnë një akt barbar që ka ndodhur në Kepin e Rodonit, ku është shkulur një basoreliev disa-shekullor që ata e identifikojnë me krye-engjëllin Mikael (Mikel / Mëhill), ose sikurse thotë historiani Ulqini një objekt pagan (Redoni ilir zinte një hapësirë shumë më të gjerë në bregun lindor të Adriatikut se sa territoret e qytetit të Durrësit). Tare dhe Shkreli ndiejnë keqardhje për dhunimin e kalasë, e cila në fakt u ka rezistuar shekujve me radhë.

“Edhe pse për shekuj me radhë, kjo kala arriti ta mbronte vetminë e saj tragjike, edhe falë një basorelievi të krye-engjëllit Mikael, i cili me shpatë në dorë mbante larg saj hordhitë barbare, kjo kala nuk mundi të rezistojë gjatë ditëve të sotme. Krye-engjëlli Mikael e mbrojti kalanë e Skënderbeut nga otomanët, nga venecianët dhe nga banorët e zonës përreth, që të mos i shkulnin gurët për shtëpi. Krye-engjëlli Mikael për çudi arriti të shpëtonte edhe nga komunizmi, sistem i dhunshëm ndaj simboleve fetare. Dhe, sot në korrik të vitit 2013-ës, statujën arritën ta shkulin nga muret e Kalasë së Skënderbeut. E shkulën mu në hundën e shqiptarëve, të cilët për të mbrojtur kulturën e tyre, kanë krijuar edhe institucione”, deklarojnë anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Auron Tare dhe Artan Shkreli.

“Me sa duket, krye-engjëlli nuk e ka ditur se ky shtet i falimentuar, i cili kërkon të përfitojë edhe në minutën e fundit në kurriz të publikut, nuk pyet asfare për trashëgiminë e vet kulturore, duke i braktisur njëherë e mirë të gjitha sitet arkeologjike apo historike. Me firmën e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Kulturës po jepen koncesionet e fundit dhe po merren përfitimet e fundit në kurriz të trashëgimisë. “Askush nuk e ka mendjen te krye-engjëlli i Rodonit, i cili për turpin e shqiptarëve, u shkul ditën për diell”, përfundojnë Tare e Shkreli.

Ndërkaq “Dyrrah”-u po riboton dhe një studim të anëtarit të Shoqatës së Historianëve të Mesdheut, shkrimtarit dhe shkencëtarit durrsak Hasan Ulqini, në revistën italiane “Cimbas” nr. 17, tetor 1999 (Leggenda della fondazione della città di Durazzo e di Rodoni (Redonio) illirico). Në këtë shkrim Ulqini hedh tezën se “ky reliev është shumë më i hershëm se vetë kalaja. E përforcojnë këtë mendim thyerjet e paplotësuara, çka tregon se ky reliev është marrë diku, në një nga objektet e shumtë të kultit që gjenden përreth.

Relievi paraqet pjesën e sipërme të një burri, që krahas krahëve ka edhe dy fletë, ndërsa koka është e mbështjellë me një aureolë. Kjo ka bërë që studiuesit ta identifikojnë me një engjëll… Mos kemi të bëjmë me një reliev të Rodonit (Redonit), perëndisë së lashtë ilire? Nga sa shihet, trifurku i Poseidonit te Rodoni (Redoni) ilir është një element tjetër (por që ka lidhje të ngushtë me detin) – rremi i një anieje”.