Jaho Brahaj

Gazeta Sot

20 Prill 20233

Ministrja është kthyer në ministre e Facebookut.

Mirëmbajtja dhe restaurimi i monumenteve të kulturës për specialistë të ndryshëm ka shumë rëndësi, por sipas tyre nga institucionet duhet treguar më kujdes.

Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike shënohet më18 prill, por këtë ditë studiuesi Jaho Brahaj riktheu vëmendjen te problemet që has sot trashëgimia kulturore, ku sipas tij duhet bërë më shumë për ruajtjen dhe promovimin e vlerave.

Studiuesi Brahaj shprehu gjithashtu shqetësimin se kjo ditë e gjeti vendin tonë me listë të zvogëluar monumentesh, por sipas tij nuk janë shtuar në këtë listë dhe objekte, që kanë rëndësi në trashëgiminë tonë kulturore. “Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike  e gjeti Shqipërinë me listë të zvogëluar të monumenteve të kulturës për mungesë të punës për mirëmbajtjen e tyre.

Dhe ajo që është më skandalozja, është sepse shumë monumente janë hequr për t’iu liruar rrugë edhe ndërtimeve. Kemi vite që neve nuk kemi shtuar në listën e monumenteve të kulturës objekte që kanë rëndësinë e tyre, sepse janë shtuar disa monumente edhe kot, si për të bërë muzeume, etj”, shprehet Brahaj.

Në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike që u shënua më datë 18, studiuesi Jaho Brahaj shprehu kritika dhe për Ministrinë e Kulturës.

Sipas tij puna për monumentet e kulturës nuk tregohet vetëm në rrjetet sociale, por duhet bërë më shumë për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. “Apeli për Ministrinë e Kulturës është që të lërë punën nëpërmjet Facebook, sepse kjo nuk i mbron monumentet, por të bëjë punën për monumentet. Të bëhen punë konkrete dhe te ato monumente të cilat rrezikohen. Ministrja shkruan në Facebook u restaurua një ikonë në Berat. Nuk del një Ministër Kulture për të raportuar për një punë të zakonshme, që është e planifikuar në një DRTK që është ajo e Beratit. Është një punë e mirë që po bëhet, por ministrja është kthyer në ministre e Facebook. Unë kërkoj që Ministria e Kulturës mos të vazhdojë vetëm me Facebook, sepse nuk sjell mbrojtjen dhe as punën për restaurimin e monumenteve të kulturës”, shprehet studiuesi.

Një organizim pune më i mirë

Studiuesi Jaho Brahaj shprehet se në punën e drejtorive të trashëgimisë kulturorë në vend duhet një organizim më i mirë. Brahaj thotë se problemi më i madh është te shpërndarja e fondeve. “Nuk është problemi të kenë më shumë staf DRTK-të, por një organizim më të mirë dhe më shumë fonde.

Në DRTK në vend ka specialistë të mirë, që mund të kryejnë restaurimin dhe t’i mbrojnë monumentet e kulturës. Problemi është që lihen monumente të rëndësishme pa fonde”, thotë ai.

Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Siteve) vendosi datën 18 prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Sitet, datë e cila u miratua si e tillë në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983.

Nga Julia Vrapi