25 Mars 2024

Imzot Angelo Massafra ka dhënë dorëheqjen si Arqipeshkv i Shkodrës. Vatikani ka pranuar dorëheqjen e Arqipeshkëvit, i cili sipas një dekreti të ardhur nga selia e shenjtë dhe të firmosur nga Nunci Apostolik në Shqipëri Luigi Bonazzi do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e Arqipeshkëvit të ri të Shkodrës.

Besimtarët katolikë kanë hyrë në javën e madhe të pashkëve. Në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër u mbajt koncerti “Stabat Mater” dhe ketu u njoftua pranimi i dorëheqjes së tij nga detyra e Arqipeshvit të Dioqezës Shkodër- Pult.

Imzot Massafra falenderoi çdonjërin për besimin e dhënë në detyrën si Arqipeshkv i Shkodrës.

Imzot Angelo Massafra ishte një nga misionarët e parë që erdhi në vendin tonë pas regjimit komunist. Si frat françeskan, ai shërbeu për disa vite në Dioqezën e Lezhës dhe pranë kuvendit të fretërve në Laç të Kurbinit.

Më vonë u zgjodh Ipeshkëv nga Shën Gjon Pali II nga i cili u shugurua më 6 janar 1997. Më 28 Mars 1998 u emërua Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës, detyrë të cilën e ushtroi për plot 26 vite.

Gazetar: Marjo Gjini – rtsh.al