Hotelet me 5 yje zero takse, fermerët, do të duhet të paguajnë edhe mbi 3,000 euro. Taksa e ndërtesës. –

Hotelet me 5 yje, status special, janë kategoria e vetme e biznesit që përjashtohet nga taksa e ndërtesës. Kjo ishte një nxitje që qeveria vendosi ta jepte mes shumë të tjerave, për të tërhequr investimet në sektorin e turizmit.

E ndërsa një hotel me pesë yje do të paguajë zero lekë për vendorët, një fermë e cila mund të jetë në kushtet e mbijetesës mund t’i duhet të paguajë deri në disa mijë euro, në varësi të sipërfaqes.
Petrit Ago, sipërmarrës, i cili ka një fermë blegtorale në Fushë-Krujë, pohon se më parë nuk ka pasur taksë për sallat blegtorale. Me ligjin e ri, pohon ai, referenca për vlerën e stallave, mbi të cilën më pas do të llogaritet taksa e pronës, është sa 35% e çmimit të referencës të apartamenteve në zonën ku ato janë të vendosura. Sipërfaqja minimale e ndërtesës (stalla plus magazina) e një ferme me 70 lopë është 1000 metra katrorë, pohon ai. Si rrjedhojë e sipërfaqes së madhe, taksa e pronës rezulton e konsiderueshme, sidomos për fermat e mëdha.


Ndërsa taksa e pronës së shtëpisë është 0.05% e referencës, taksa e stallës është 0.2% e referencës, pra katër herë më e lartë. Në varësi nga sipërfaqja dhe nga zona, pronari i ndërtesës së një ferme blegtorale do të paguajë nga rreth 150-200 euro në vit në zona me referencë të ulët të pronës dhe me sipërfaqe rreth 1000 m², në 3500 euro në vit për sipërfaqe të mëdha, mbi 10 mijë metra katrorë (shih tabelën)
“Për blegtorinë edhe 10 qindarka më shumë japin efekt”, thotë Ago. “E gjithë Europa i subvencionon fermat blegtorale, këtu po na marrin edhe kafshatën e fundit”, pohon ai. “Si mund të paguajë stalla katër herë më shumë sesa shtëpia?!”.