Jeta, krishtërim pa Krisht dhe poezia mbijetuese e Petrit Nikës. –

Reçension mbi librin poetik “Nën hijen e pyllit urban” nga Akademik Moikom Zeqo

Nga Moikom Zeqo

Nëse poezia “ka temperaturë”, zbehet, zvetënohet, asfiksohet, meket, ahere vdekja e saj do të ishte vdekja e kombit, – kjo ide është shprehur nga mjeshtri i papërsëritshëm i poezisë, Ezra Pound! Një paradigmë e tillë vlen dhe për poezinë shqipe. Ndonëse, për mua, kronologjia poetike është vetëm konvencionale, dhe jo përcaktuese, megjithatë, kur flasim për poezinë mbas viteve “90, të shekullit XX, ku parakuptohet një liri më e madhe krijuese, paralelisht mund të mendosh, se një gjeneratë e re poetësh do të përjetonte një shkëlqim, ose zhvillim të ri. Mundësi e re, prurje më adekuate! Në fillim, në etapën post-totalitariste, me zhbërjen e të ashtuquajturit realizëm socialist, poetët e moshës së re shkruan krijime që premtonin shumë. Mbas njëzet e pesë vitesh, unë, që isha asokohe përkrahës, stimulues, mbështetës i të rinjëve, shoh me trishtim, se mbas çerek shekulli, vargjet që shkruajnë, mbas kësaj periudhe të gjatë, nuk kanë arritur atë vision dhe cilësi që kasha shpresuar. Pse? Sepse poezia është më tepër kredenciale e talentit se sa e lirisë poetikë. Përgjatë 25 viteve të fundit një poet ka krijuar një profil të pakrahasueshëm dhe të spikatur Brenda gjeneratës së tij. Ky poet ëshe Petrit Nika! Ai është një poet i lindur, tek ai poezia është gjithçka!

Petrit Nika, nën parzmoren e një jete të vështirë, të pengesave të pafundme, e ka të gjallë, të fuqishme zemrën e tij poetike. Siç ka nënvizuar Harold Bloom, plotfuqishmëria e argumenteve poetike është shumë më tepër se sa konteksti social, madje edhe në forma poetike. Poezia është zbulesë. Poezia ka përmasa të papërcaktueshme të krijesave madhore dhe tronditëse të imagjinatës. Koordinatat krijuese të librit më të ri poetik të Petrit Nikës “Hija e pyllit urban”, që i dedikohet bijës së tij, Donjetës, në tetë vjetorin e lindjes, janë më cilësore dhe më të vërtetat. Ky libër është një ankth i pamatë ekzistencial, ku strukturat janë të ngrira, që parandjejnë një shpërthim të brendshëm:

Ti prêt në shi dhe shiu s’ka të mbaruar,

rrugët, drurët, dherat mbi ujë janë anuar,

ti kujton Krishtlindjen që sa ka kaluar,

por ëngjëjt prap rrinë në gjumë të amshuar.

Nje metaforë komplekse; jeta është më shpesh, një Krishtlindje, pa ëngjëj,pa Krisht. Kjo subastancë e vështirë, universale, kozmogonike, e errët, e neveritshme, e pamëshirshme, e egër, grishëse, dinake, shkatërruese, është jeta e përditshmërisë, gracka biologjike e shpresave dhe zhgënjimeve, por megjithatë, megjithatë, megjithatë, është pikërisht kjo jetë e pabesë, që plazmon, lind, shpërthen poezinë, shpikje dhe madhështi e intelektit njerëzor, e fuqisë së epërme mendore.

Kodi poetik i Petrit Nikës është testamental. Ai është poet autentik, i pashtershëm, mjeshtër i subjektit ekzistencial, i ankthit, i mbijetesës triumfuese.

Poezitë e tij janë sublimimi dhe jetësimi i një poste shpirtërore, të letrave për botën, për bijën e tij, për njerëzimin, kohërat, motivet, kundërthëniet, të ardhmen.

Tiranë më, 20 XII. 2016