Dëmtohet kambanorja e kishës së Shën Kollit në Kolonjë, rrezikon shembjen. –

Kambanorja e kishës së Shën Kollit në fshatin Vodicë në Bashkinë e Kolonjës rrezikon shembjen për shkak të dëmtimeve dhe çarjeve që ka pësuar struktura e saj.

Kisha e Shën Kollit në Vodicë sipas banorëve daton që në shek.18. Ajo është mjaft e frekuetuar nga besimtarët veçanërisht gjatë festave fetare, por shumë pelegrinë e vizitojnë gjatë gjithë vitit këtë vend të shenjtë. Sipas kujdestarit të kishës, kjo kishë mban statusin e monumentit të kulturës, por pavarësisht kërkesave deri tani nuk është kryer asnjë ndërhyrje për mirëmbajtjen e saj.

Statusi si monument kulture sipas kryeplakut të fshatit Vodicë pengon edhe banorët të kryejnë ndërhyrje për mirëmbajtjen e kishës, ndërkohë që situata kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Një tjetër problem është lagështia në disa pjesë të kishës, e cila ka qenë edhe shkak i prishjes së pikturave murale. Prej disa vitesh ka premtime për ndërhyrje restauruese në këtë objekt, por deri tani nuk është bërë asgjë.

Konica.al -3 Qershor, 2018, 4:00