‘Negociatat në 2028’/ Rama tërhiqet nga premtimi kryesor i mandatit të katërt

Edi Rama: -‘Negociatat në 2028’
10 Maji 2026
Pasi e përdori integrimin europian si premtimin kryesor të mandatit të katërt, Edi Rama u detyrua të pranojë shtyrjen e afateve për mbylljen e negociatave, ndërsa më parë kishte përgënjeshtruar kundërshtarët e tij politikë.
Në procesin e mundimshëm të negociatave me Bashkimin Europian, ka një moment kur propaganda manipuluese e qeverisë shqiptare ka kaluar në nivele qesharake. Në qershor 2018, në një inskenim të pacipë në ambjentet e Ministrisë së Jashtme, u organizua festa për hapjen e negociatave. Pasi hapi shampanjën, kryeministri Edi Rama shpërndau edhe medalje për ambasadorët, të cilët i falenderoi për punën e palodhur. Sot, data zyrtare e çeljes së negociatave njihet ajo që ndodhi 4 vite më vonë, në 19 korrik 2022, kur u mbajt Konferenca e parë ndërqeveritare BE-Shqipëri.
Një absurd i ngjashëm u përsërit edhe këtë të shtunë. Në një atmosferë festive me rastin e hapjes së Javës së Europës në Tiranë, nën tingujt e këndshëm të violinave dhe me tone triumfaliste u dha lajmi se afati i paracaktuar për mbylljen e negociatave nuk do të arrihet në vitin 2027, siç ishte premtuar, por do të shtyhet për në vitin 2028.
Kush priste një kryeministë të përmbajtur që po pranon dështimin për një premtim të përsëritur dhjetëra herë, le të konsiderohet i zhgënjyer. Pa u skuqur asnjë grimë Rama foli me siguri politike.
“Sa i përket çështjes së 2027, 2027 është një objektiv i vendosur bashkërisht, por është lënë edhe një hapësirë që, për një arsye ose një tjetër, mund të ketë edhe një zgjatje të mbylljes së negociatave deri nga mesi i vitit 2028. Jemi pak a shumë në të njëjtën gjatësi vale. 2030 është vendosur si një objektiv madhor. Pas negociatave ka ratifikime, miratime nga shtetet dhe kërkon një kohë” tha kryeministri.
Por çfarë do të thotë realisht kjo deklaratë? Në praktikë, është pranimi publik se afatet e shpallura nga qeveria për procesin e integrimit kanë rënë. Viti 2027 ishte paraqitur jo si dëshirë politike, por si objektiv strategjik, i dakordësuar me institucionet europiane dhe i përfshirë në Planin Kombëtar për Integrimin Europian. Për shumë kohë, qeveria e shiti këtë afat të sigurt dhe e shndërroi në devizën propagandistike të mandatit të katërt.
Afatet për integrimin ishin kryefjalë e fushatës së zgjedhjeve të 11 Majit, kur Rama kërkoi një mandat të katërt, ndërsa valëviste pa u lodhur flamurin e Bashkimit Europian, me premtimi ekskluziv të “Edit” për një pasaportë europiane.
“Ne kemi shansin historik t’i mbyllim për tre vjet, 2024-2027, po për këtë na duhet të mos humbasim as edhe një minutë, si dhe t’i çojmë BE një mesazh të fuqishëm: Nga populli shqiptar i 11 majit, një mesazh përtej shumicës aritmetike, duam pasaportën e BE-së për Shqipërinë dhe për çdo shqiptar dhe shqiptare”. (29 Mars 2025)
I njëjti premtim u përsërit në asamblenë e Partisë Socialiste në shtator 2025, që shenjoi fillimin e punës për mandatin e katërt qeverisës.
“Të mbyllim negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian në 27 muajt e ardhshëm, në fund të vitit 2027; të mundësojmë deri në fund të këtij mandati të ri ratifikimin në 27 Parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të Këshillit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE; të ngremë deri në fund të kësaj dekade flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit në oborrin e familjes së bashkuar europiane” (11 Shtator 2025).
Duhet thënë se në kohën kur qeveritarët shqiptarë eksitoheshin para kamerave për ritmin e shpejtë të çeljes së negociatave, zyrtarët e Bashkimit Europian kujtonin gjithnjë se ky ishte një proces që bazohej në merita. Pra, mbyllja e kapitujve nuk ishte çështje propagande, por çështje standardesh konkrete mbi shtetin e së drejtës, drejtësinë, korrupsionin dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Këtu Shqipëria ka probleme. Ajo që ndodhi muajt e parë të vitit 2026 tregoi se qeveria e Shqipërisë nuk është ende gati ta kalojë testin e njohur si IBAR, një raport i ndërmjetëm në negociatat për grupkapitullin e quajtur “Themeloret”, që përfshin zbatimin real të reformave mbi shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike.
Ishte momenti që Bashkimi Europian do të shihte se si funksiononin realisht ligjet e shkruara në letër.
Lapsi.al ka raportuar më herët për mbledhjet teknike të grupit COELA, ku Komisioni Europian ka shtyrë përpara Draftin e Përbashkët për Shqipërinë. Por paralelisht me këtë proces teknik, disa vende anëtare ngritën rezerva serioze politike.
Ndër më skeptikët kanë qenë përfaqësuesit gjermanë, të cilët nuk e kanë kaluar lehtë mënyrën se si Partia Socialiste bllokoi arrestimin e Belinda Balluku më 12 mars në parlament. Me 82 vota, mazhoranca u bë barrikadë politike përballë kërkesës së SPAK, duke krijuar pikërisht atë perceptim që Brukseli i druhet më shumë: kapjen politike të institucioneve dhe standarde të dyfishta për drejtësinë.
Reagimi ndërkombëtar ishte i fortë. Ambasadat e Gjermanisë, Holandës, Britanisë së Madhe dhe Delegacioni i Bashkimit Europian paralajmëruan se goditja ndaj pavarësisë së SPAK do të kishte pasoja për integrimin.
Por përgjigjia që i dha kryeministri Rama ishte flakë për flakë. Në një përplasje të hapur me ndërkombëtarët ai u përgjigj se “Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike” apo se “SPAK nuk ka karta bianka” dhe se PS bëri atë që do të kishte bërë çdo parlament në botën demokratike kur bllokoi arrestimin e Ballukut”
Rama tentoi t’i relativizojë pasojat e mbrojtjes së Ballukut, duke thënë se negociatat nuk “janë bllokuar”, nuk “janë ndaluar”, apo nuk “janë penguar”. Por spekulimet i rrëzoi vetë sot, kur u detyruar të pranojë realitetin dhe të ndryshojë afatet e premtuara të integrimit.
Këtë ama e bëri në tingujt e violinave dhe në një ditë feste, duke mos hequr dorë nga një talent ku mbetet i pakonkurueshëm; aftësia për ta paketuar dështimin si sukses e për ta shitur disfatën si moment festiv, me pak fjalë, për ta shitur sapunin për djathë./Lapsi.al/
