4 Qershor 2026

Në galerinë e përjetësisë që historia i ka ruajtur Egjiptit të Lashtë, arti muzikor përbën një nga shtyllat më delikate të shpirtit të tij. Një ndër objektet më domethënëse që mishëron këtë frymë është harpa harkore e datuar në Dinastinë e 19-të të Mbretërisë së Re (rreth 1295–1186 p.e.s.), një relike që i ka shpëtuar rrjedhës së shekujve për të dëshmuar përmasën estetike dhe shpirtërore të qytetërimit egjiptian.

E gdhendur në dru sykomori, një material i shenjtë dhe i lidhur me botën e përtejme në mitologjinë egjiptiane, kjo harpë përmban 16 tela, të cilat do të kenë prodhuar një rezonancë të pasur dhe një volum të ngrohtë e shtrues. Tingujt e saj, ndonëse tashmë të heshtur, ruajnë ende përfytyrimin e një muzike që jehonte në tempuj, në oborret mbretërore apo në pritjet e fisnikërisë.

Harpat, megjithëse me origjinë nga Mesopotamia rreth vitit 3000 p.e.s., në Egjipt morën një formë të re dhe origjinale që rreth vitit 2500 p.e.s. dëshmonte gjenialitetin e mjeshtërve vendorë. Instrumentet me tela, ndryshe nga ato me frymë apo ritëm, kërkonin një ndërtim më të sofistikuar. Harpa nuk ishte thjesht një objekt muzikor, por një simbol i përkatësisë sociale, i pasurisë dhe i përkushtimit shpirtëror.

Burimet historike dëshmojnë se figurat më të larta të shtetit, si Mbreti Ahmose, zotëronin harpa të punuara me dru abanozi, ar dhe argjend. Edhe më madhështore është porosia e Thutmose III për një harpë të stolisur me argjend, ar, lapis lazuli, malahit dhe çdo gur të çmuar të njohur nga mjeshtëria e kohës. Në këto objekte, muzika dhe arti dekorativ ndërthureshin në një bashkëbisedim të rrallë ndërmjet hijeshisë dhe shenjtërisë.

Harpa e Dinastisë së 19-të, harmonia e lashtësisë egjiptiane

Harpa në fjalë, që sot ruhet në Antikenmuseum Basel und Sammlung Ludwig në Zvicër, është një dëshmi e gjallë e kësaj tradite. Ajo nuk është vetëm një instrument i heshtur, por një kapitull i hapur i muzikës së shenjtë dhe artit fisnik. Prej saj, sot ne nuk mund të dëgjojmë më melodinë, por mund të ndjejmë ritmin e një civilizimi që i fali botës jo vetëm piramidat, por edhe harmoninë e tingujve të përjetshëm.

Ky instrument mbetet një ftesë për të dëgjuar të shkuarën jo me veshë, por me imagjinatë. Në një botë ku zëri i historisë shpesh dëgjohet më shumë në heshtje, harpa e Dinastisë së 19-të është një fije e artë që na lidh me shpirtin e Egjiptit të Lashtë, ku muzika nuk ishte zbavitje, por akt hyjnor dhe rrugë për tek e amshueshmja.

Përgatiti: Albert Vataj