Drita nga Izraeli dhe Ahmeti nga Shkodra megjithëse kanë lindur në një shtëpi dhe sot janë me “kokën e zbardhur”, takohen për herë të parë në Shkodër pas 75 vitesh. “Drita”, vajza e hebrejes Mimi Kamhi Ergas Faraxhi dhe Alberto, e pagëzuar me këtë emër shqiptar ka një histori të gjatë dhe krenare për ne.

Në vitin e largët 1943 një familje hebre u detyrua të udhëtojë nga Shkupi në Shkodër për ti shpëtuar përndjekjes naziste.

Alberto mbante në dorë një copë letër ku shkruhej adresa e Xhemil Shurdhës.

Libri me kujtime “Jeta ime nën pushtimin nazist”, të Mimi Kamhi Ergas Faraxhi, i botuar në tre gjuhë, shqip, maqedonisht, anglisht nga autori Skender Asani u promovua dje në Shkodër në kuadër te ditës në kujtim të holokaustit.

Libri memoristik tregon jetën e një familje hebreje e cila ka gjetur mbështetje tek një familje shkodrane.

Mimi, autorja e kujtimeve në këtë libër, lindi në Shkodër vajzën e saj Drita, e cila sot udhëtoi nga Izraeli, për tu kthyer në vendlindje pas 75-vjetësh.

Në muzeun Marubi, të pranishmit nuk i mbajtën dot emocionet teksa Drita u takua me Ahmetin, djalin e Xhemilit që para 75 vjetësh i kishte hap derën dhe mikë pritur në shtëpinë e tij prindërit e saj.

Drita dhe Ahmeti janë fëmijët e dy familjeve, një hebreje dhe shqiptare që shtojnë dëshmitë e “gjalla”, mbi kontributin që populli shqiptar ka dhënë për të shpëtuar hebrejtë.

Këtë vit Ministri Ditmir Bushati kishte zgjedhur që aktivitetin në ditën përkujtimore të Holokaustit ta zhvillonte në Shkodër duke përuruar librin me kujtime “jeta ime nën pushtimin nazist”.

Duke folur para të pranishmëve jo pa emocion, Drita u shpreh “ Shkodrën e mbaja mend si nëpër ëndrra, si diçka që nuk e dija sa ishte e vërtetë dhe sa fantazmë, por tani që erdha dhe e pashë, jam e lumtur që mu rikthyen kujtimet, Shkodra është po aq e bukur”.

Ahmet Shurdha, e çoi më tej kujtimin e atyre ditëve, ndërsa shpjegoi me detaje si u miqësua Mimi me vajzat dhe gratë e familjes ndërsa Alberto punonte.

Momenti më prekës i këtij takimi ishte kur Ahmeti tregon fotot e vjetra por të ruajtura me kujdes te atyre viteve.