Emigranti i përgjigjet Ramës: – Të ka votuar Diaspora? Ja ku e ke Diasporën. Jep dorëheqjen, do të të arrestojmë te Kryeministria ose në Surrel

14 Gusht 2026
Një nga folësit në protestën masive para godinës së Kryeministrisë i është drejtuar drejtpërdrejt kreut të ekzekutivit Edi Rama, duke denoncuar vendimmarrjet politike të dekadave të fundit dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimit qytetar.
Protestuesi theksoi se revolta popullore është përhapur në të gjithë vendin, ndërsa kërkoi që përgjegjësit e situatës aktuale të përballen me drejtësinë:
“Edi Rama, shikoje mirë! Ka shpërthyer gjithë Shqipëria në shesh. Në këto 35 vite keni zbatuar planin Katovica të Ramiz Alisë, ndaj të gjithë thonë: në burg Rama, në burg Berisha! E doni Ramën të vijë nga pushimet këtu në kryeministri, apo pa zbritur këtu SPAK-u ta çojë në qeli?!”
Më tej, ai kontestoi deklaratat e qeverisë për marrëdhënien me qytetarët, duke sjellë në vëmendje mesazhet e prerë që po vijnë nga bashkatdhetarët jashtë vendit:
“Rama, dëgjo zërin e popullit! Na përmend neve kontratë sociale, po me kë e ke kontratën more? Ja ku e ke diasporën, Rama, diaspora të do në burg! Gjithandej shesheve të Evropës, diaspora po ulëret: Rama në burg! Në një shtet ligjor e demokratik ti me kohë do kishe dhënë dorëheqjen dhe nuk do prisje dy muaj që ky popull ditë e natë po rri këtu kundër teje.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, ai i dha një paralajmërim të fortë kryeministrit për veprimet e mëtejshme të protestuesve:
“Je akoma në kohë, jep dorëheqjen një orë e më parë se ky popull do të vijë të të arrestojë në kryeministri, Surrel apo kudo të ndodhesh! Ky është zëri i popullit, i shqiptarëve. Dëgjoje popullin!”
