Ekspozitë brezash në Durrës, familja Llukaçi realizon 130 punime

Shtator 2020

Mbi 130 punime në pikturë dhe skulpturë, të përmasave dhe teknikave të ndryshme, vijnë si pjesë e shpirtit artistik të familjes së skulptorit të mirënjohur durrsak Nelo Llukaçi, që vjen në ekspozitën e titulluar ”E thjeshtë” së bashku me të birin Romirin dhe mbesën Leopoldina.

”Kjo është një ekspozitë që me emocionon shumë dhe besoj që kështu do të vazhdojë edhe mbesa nëse do të ndjekë rrugën e pikturës. Ajo ka marrë nga ne dhe jeton me të bukurën, duke parë format e dëgjuar mbi artin”.

Ideimi dhe kurimi i ekspozitës u bë nga Romir Llukaçi, i cili që herët u mbrujt me dashurinë për artet figurative në studion e të atit dhe piktorëve të tjerë durrsakë dhe këtë po e transmetojnë natyrshëm te anëtarja më e vogël e familjes.

Një botë e bukur fëminore, plot ngjyra dhe personazhe të dashura, vjen përmes punimeve të Leopoldinës. Ajo sjell qasjet e saj ndaj familjes, së bukurës dhe gjithçkaje që e rrethon. Deri më 16 shtator, ekspozita familjare do të qëndrojë e hapur për dashamirësit e arteve figurative.