15 Prill 2024

Piktori Buron Kaceli hapi ekspozitën “Dhoma e Pasme” në Galerinë e Arteve Tiranë, një ekspozitë kujtesë, me një vështrim nga e shkuara, në kohën kur regjimi komunist vinte korniza të forta për artistët.

Ekspozita e hapur më 12 prill zbulon një koleksion punësh të paekspozuara të piktorit tiranas. Bëhet fjalë për tablo që mbajnë deri në 50 vite histori, që dallohen për një penel që sfidonte kornizat kokëforta të regjimit.

“Unë e pëlqej shumë natyrën, jemi të dashur për të. Por natyra nuk është vetëm peisazhi, është edhe njeriu. Më pëlqejnë shumë dhe ambientet ku njeriu këndon, jeton. Janë disa vepra të kësaj natyre.”

Një numër punësh në këtë ekspozitë bëjnë përjashtim. Ato janë të realizuara nga Kaceli në 30 vitet e fundit, ku si gjithçka, edhe arti mori frymë.

“Dhoma e Pasme” është një ekspozitë e rrallë personale e piktorit me titullin “Mjeshtër i madh” dhe do të qëndrojë e hapur deri më 5 maj.