Edi Rama edhe në varr nuk ndahet nga Aleksandër Vuçiq!

1 Mars 2026
Nga Enver Bytyçi
Gazeta më e njohur gjermane „Frankfurter Allgemeine Zeitung“ ka publikuar të shtunën një letër të përbashkët të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në të cilën i kërkohet Bashkimit Evropian që të pranojë Serbinë dhe Shqipërinë në union pa të drejtë vote, pa të drejtë komisionerësh, pa të drejtë vendimmarrje. Ata thonë se u mjafton të qenit në Tregun e Përbashkët Evropian, që të pranohen rregullat e Shengen edhe në tregti, ekonomi dhe qarkullimin e mallrave. Të tjerat nuk kanë rëndësi, sipas dy vëllezërve siamezë në politikën ballkanike.
Çfarë përmban letra e dy auto dhe kriptokratëve të Ballkanit Perëndimor?
Ata shkruajnë se “që nga viti 2013 asnjë anëtar i ri nuk është bashkuar me BE-në”. Por në kujtesën tone viti 2013 vjen si momenti kur të dy këta, Vuçiq dhe Rama, erdhën në pushtet. Njëri në Serbi dhe tjetri në Shqipëri. Në memorie ne kemi shënuar makijazhin propagandistik dhe “garën” midis të dyve për të luajtur rolin e “liderit global”! Dhe e vërteta është se të qenit lider global apo i Ballkanit e joshte më shumë këtë padishahun e Shqipërisë, sesa atë të Serbisë. Vendosja e kufirit me vitin 2013 mund edhe të lidhet me pranimin e Kroacisë (1 korrik 2013) në BE. Por në letër kjo nuk përmendet. Jo për shkurtim teksti. Thjesht se as Rama nuk ka dëshiruar ta mërzisë mikun e tij Vuçiq, duke përmendur Kroacinë, Hezitimi për ta përmend Kroacinë si vendin e fundit anëtar të BE-së ka arsye xhelozie, cmire. Këta dy liderët globalë zvogëlohen, nëse përmendin emrin e Kroacisë,. E shohin veten “më lart akoma zonjë, – si skulptorë”!
Kujtesa na çon gjithashtu te paradat në qilimin e kuq në Berlin që të dy këta bënin kur priteshin nga kancelarja Merkel. Të dy parakalonin me gjoks të fryrë, kokën lart dhe besimin se tashmë ata ishin bërë zotër të Ballkanit. Ndërsa sot, pas 13 vitesh në pushtet, “liderët globalë” kuptuan se integrimi evropian është mision i pamundur për ta. Megjithatë në letrën e publikuar ata e “kanë gjetur” fajtorin. Ja çfarë shkruajnë: „Edhe pse kjo nuk pasqyron domosdoshmërisht një mungesë angazhimi, por një mjedis më kompleks – reforma të brendshme, tensione gjeopolitike, kufizime institucionale dhe shqetësime legjitime në shtetet anëtare – e vërteta e ashpër mbetet: ky realitet i trishtueshëm dhe dekurajues ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë“. Dmth faji nuk është se këta dy auto dhe kleptokratë e kanë zhytur qeverisjen e tyre në korrupsion gjigant dhe kriminalitet mafioz. Nuk është te angazhimi autokratik dhe anti-demokratik i të dyve! Por na qenkan reformat e brendshme në BE, tensionet gjeopolitike, kufizimet institucionale në Bruksel etj. A do të pajtohet Bashkimi Evropian me këto përkufizime sofiste?! Të shohim! Megjithatë besohet se nuk ka gjasë që një kërkesë e tillë të miratohet nga Këshilli Evropian.
Letra e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq duket si gomardare shpëtimi për ta në kushtet kur këta të dy janë në shënjestër të qytetarëve të tyre dhe të kritikave të ndërkombëtarëve për lidhjet që ata, si edhe qeveritë e tyre, kanë me krimin e organizuar dhe organizatat mafioze. Edhe si gomardare shpëtimi nga akuzat e tmerrshme për korrupsion. Por ajo që duhet marrë si shqetësim serioz për shqiptarët ka të bëjë me faktin se kryeministri i Shqipërisë edhe në këtë rast dëshiron ta shpëtojë mikun e tij Aleksandër Vuçiq nga goditjet e shumta që po merr si kriminel, deri te Sarajevo Safari. Personalisht nuk çuditem. Kam thënë vazhdimisht se ata të dy kanë marrëveshje të fshehta kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve dhe sidomos kundër Kosovës. Nuk tërhiqem kurrë nga kjo dhe jam i bindur se këtë do ta provojnë dokumentet arkivore, kur ato të jenë publike. U duk se kanë krijuar një lloj distance.
Por në fakt ata të dy komunikojnë vazhdimisht me njëri-tjetrin, flasin, dakordohen, punojnë së bashku për çdo projekt ose projekt-ide. Ata nuk ndahen kurrë, edhe në këtë botë, edhe në atë botë. Sepse mendojnë e besojnë njësoj. Kanë të njëjtat principe, të njëjtat ndjesi. Madje të njëjtë e kanë edhe urrejtjen kundër shqiptarëve. Analizoni fjalorin e Edi Ramës kundër psh Ramush Haradinajt, Sali Berishës, Albin Kurtit e dikur edhe kundër Vjosa Osmanit dhe do ta kuptoni se ç’është urrejtja e Edi Ramës ndaj lidershipit shqiptar! Për Vuçiq nuk ka nevojë të sillen prova. Lexoni gjithashtu deklaratat e Ramës në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe do të shihni se mallkimet shkojnë te kushdo tjetër, deri te Milosheviçi. Por ai nuk guxon ta përmendë e jo më ta mallkojë autorin kryesor të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, atë me të cilin sot bëri projektin e çerek-integrimit të Shqipërisë në BE, pra emrin e Aleksandër Vuçiq. Edhe kur ndodhi Banjska dhe Vuçiq mori në mbrojtje publike e praktike kryeterroristin Milan Radoiçiq, kryeministri i Shqipërisë nuk guxoi ta kritikojë Aleksandër Vuçiq!
Por më çudit një fakt: – Ne shqiptarët i besojmë më shumë e më me dëshirë mashtrimit dhe mashtruesit, sesa të vërtetës. Një deklaratë e Edi Ramës e nëntorit 2014 në Beograd për „njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë“ ende sot përshëndetet si akt heroizmi. „Në mes të Beogradit ia plasi Vuçiqit“, thonë! Po si u bë e mundur që pak javë më vonë ky “armiku i Serbisë” të promovojë librin e tij “Kurbani” në Beograd?! Si u bë që këta gladiatorët e provokacias së improvizuar për kapital politik në vendet respektive u pajtuan se duhet të punonin bashkë për ndarjen e kësaj Kosovës?! Si mundet që po këta dy gladiator të 2014-ës, në vitin 2019 të promovonin nismën e Minishengen e më pas atë të Open Balkan, me të cilën izolohej Kosova dhe Shqipëria u vu nën çizmen e diktatit prodhues të Serbisë?!
Tani shpikën jo pranimin në BE, por në Tregun e Përbashkët Europian. Çdo të thotë kjo? Do të thotë se nga pikëpamja ekonomike ne ju duam, por politikisht na qëndroni larg! Dhe “kanë të drejtë”! Këta nuk bëhen dot më demokratë, nuk mund të shkëpusin as lidhjet me mafien dhe krimin e organizuar. Nuk mund të durojnë prokurorët e policët t’u vijnë vërdallë me hekura në duar! Ndaj dhe duan të jenë të lirë politikisht. Se kështu fitojnë sërishmi „të drejtën“ të vjedhin zgjedhjet, të vjedhin fondet publike, të grabisin pasuritë kombëtare e t’ua japin ato favoritëve të tyre! I kanë bërë llogaritë për mrekulli! Janë mjeshtra të gjetjeve mashtruese.
Megjithatë, ajo që dhemb më shumë lidhet me faktin se nëse BE bie dakord me këtë propozim të çmendur, krijon kushte që Serbia ta zvarrisë pafund në kohë zgjidhjen e konfliktit me Kosovën. Është e çuditshme si e pranon diçka të tillë kryeministri i Shqipërisë, ai që mbahet si idhull edhe nga disa politikanë të Kosovës. Kosova dhe Bosnjë=Hercegovina do të mbeten gjithnjë në pritje të integrimeve dhe në bisht të zhvillimeve politike e ekonomike në Evropë. A ka interes Evropa të ndodh kjo?! Nuk besoj. Prandaj jam optimist se iniciativa djallëzore e dy djajve të Ballkanit Perëndimor do të dështojë. Edhe pse Rama dhe Vuçiq mund të kenë marrë miratimin e ndonjë lideri europian, si Emmanuel Macron p.sh!
