Nga Mentor Kikia

Gazetari Mentor Kikia ka dalë me një reagim të fortë në rrjetet sociale pas zhurmës që ka shkaktuar largimi nga detyra e zv.kryeministrit të Arben Ahmetajt.

Kikia shkruan se teksa po përflitet në rrjet se Ahmetajn e pret SPAK-u, apo edhe që i është bërë vendi tek 313, gazetari shkruan se shumë indicie ka pasur për këtë politikan por nuk është hapur asnjë çështje.

Postimi i plotë:

Mbi “harenë” publike për shkarkimin e Arben Ahmetajt!

Arben Ahmetaj nuk është më zv/kryeministër për çështjet e rindërtimi. Vendimi i kryeministrit shkaktoi shumë “hare” në rrjet, madje edhe shumë hipoteza se tashmë Ahmetajn e pret SPAK-u, apo edhe që i është bërë vendi gati tek 313…

Shumë indicje, thashetheme dhe hamendësime për korrupsion ka patur për këtë njeri, por ende asnjë provë zyrtare dhe asnjë cështje e hapur.

Por, mendoj se shkaku i shkarkimit është shumë i thjeshtë. Ahmetaj nuk është më ministër për rindërtimin pasi mbaroi rindërtimi, ose mbaruan lekët e rindërtimit, nuk ka shumë rëndësi.

Tek e fundit, nëse Z.Ahmetaj ka qenë një zyrtar i korruptuar, asgjë nuk zgjidhet me shkarkimin e tij(apo kushdo qoftë). Në vend të tij do të vijë një tjetër si ai.

Mbi të gjitha,

Sepse askush nuk shkon më në burg për korrupsion të “madh”.

Sepse korrupsioni nuk bëhet më me valixhe si “qëmoti”.

Sepse korrupsioni bëhet me ligj.

Sepse këtu është korruptuar ligjvënësi, si instrumenti më i rëndësishëm i një shteti.

Sepse, këtu, nëse duan të marrin një mal, nuk bëjnë dokumente false. Por bëjnë një ligj dhe e marrin malin me vendim parlamenti, dhe kjo nuk është më vepër penale.

Nëse duan të marrin detin, bëjnë sërish një ligj, dhe kjo nuk është një vepër penale.

Nëse duan të legalizojnë paratë e vjedhura, bëjnë sërish një ligj.

Korrupsion quhet deri në një farë niveli, kur shteti është në luftë me të keqen. Por kur shteti bëhet vetë e keqja, atëherë quhet një e keqe e madhe dhe kaq.