“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”: Studentët përplasen me policinë përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë

13 Tetor 2926
Studentë dhe të rinj protestuan të martën para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar kushte më të mira dhe largimin e qeverisë. Policia ndërhyri me autobot me ujë, gaz lotsjellës dhe shoqëroi disa pjesëmarrës.
Protesta e studentëve dhe të rinjve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë u shoqërua me përplasje mes një pjese të demonstruesve dhe policisë, pasi protestuesit hodhën sende drejt godinës dhe dëmtuan rrethimin e saj.
Policia përdori autobotin me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa 16 protestues janë shoqëruar, sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit.
Tubimi ishte thirrur në orën 14:00, me një apel për pjesëmarrjen e studentëve nga i gjithë vendi. Pjesëmarrësit kërkuan kushte më të mira për arsimin dhe hodhën slogane kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”, ishte një nga thirrjet e protestuesve, të cilët ngritën shqetësime për vështirësitë ekonomike dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.
Protestuesit hodhën vezë drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa disa syresh shkulën kangjellat dhe pllakat e trotuarit dhe goditën xhamat e ndërtesës me gurë.
Gjatë ndërhyrjes, policia shtyu një pjesë të turmës përgjatë Rrugës së Durrësit, ndërsa mediat publikuan pamje ku shfaqen efektivë policie duke tërhequr zvarrë një protestues dhe duke e goditur me shkop gome.
Protesta e studentëve vjen pas më shumë se katër muajsh tubimesh kundër qeverisë në Tiranë, të nxitura fillimisht nga kundërshtimi ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit e të pronës.
Protestuesit i zgjeruan kërkesat, duke përfshirë dorëheqjen e qeverisë së Edi Ramës dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe investitorët strategjikë.
Tubimet dhe marshimet në kryeqytet kanë vijuar gjatë verës dhe vjeshtës, ndërsa largimi i qeverisë ka mbetur një nga kërkesat kryesore të pjesëmarrësve
