Nga Leonard Zissi

 Dokumente te panjohura për Ndre Mjedën

Më 1 gusht të këtij viti mbushen plot 80 vjet nga vdekja e poetit tonë të madh Ndre Mjeda. Për të janë botuar shumë shkrime, por më i rëndësishmi është vepra në disa vëllime kushtuar atij e studiuesit të nderuar Mentor Quku. Kur në vitin 2005, ai po përgatiste për botim vëllimin e parë kushtuar rinisë së poetit, m’u drejtua me kërkesën për ta ndihmuar në gjetjen e dokumenteve të qëndrimit të Ndre Mjedës për studime në Krakov në vitet 1891-1893, sepse i mungonin ato. Me gjithë përçapjet që bëra në këtë drejtim, nga historianë polakë mora si përgjigje disa të dhëna të përgjithshme për Ndre Mjedën që i kishin siguruar nga arkivat që kishin shfrytëzuar. Ndërmjet të tjerave, në to thuhej se rezultatet në mësime të Ndre Mjedës kanë qenë të mira dhe se në përfundim të vitit të dytë ai ndërpreu studimet dhe u largua nga Polonia, pa ditur arsyet.

Ndre Mjeda ishte një prift katolik jezuit dhe për studime në Krakov nuk u nis nga Shqipëria, por nga Venecia. Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias dhe në vitin 1891, së bashku me një grup jezuitësh të rinj nga kjo provincë, shkoi për studime për Teologji Dogmatike në Kolegjin Jezuit të Krakovit.

Duke përfituar nga bashkëpunimi që kam me Arkivin e Shoqatës Jezuite të Provincës Jugore të Polonisë me qendër në Krakov, në sajë të të cilit u bë e mundur që përktheva dhe botova tri vepra të priftit jezuit polak Marçin Çerminjski kushtuar Shqipërisë, Dalmacisë dhe Malit të Zi si dhe Bosnjë e Hercegovinës, shkruar prej tij në shekullin XIX, iu drejtova këtij arkivi me kërkesën për të kërkuar në se në të kishte dokumente për qëndrimin e Ndre Mjedës në Krakov në vitet 1891-1893. Përgjigjja erdhi pozitive dhe arkivi më dërgoi faksimilet e 8 dokumenteve që lidheshin edhe me qëndrimin e Ndre Mjedës në Krakov në këtë periudhë. Për këtë ndihmesë duhet t’i jemi mirënjohës dhe ta falënderojmë përzemërsisht Atin Bogusllav Steçek, ish-drejtorin e këtij arkivi dhe sot administrator (Povincial) i Urdhrit të Jezuitëve për Shoqatën e Pavarur Jezuite të Rajonit të Rusisë ku, përveç Rusisë, bëjnë pjesë edhe Kirgizia, Ukraina dhe Bjellorusia, i cili iu përkushtua seriozisht kësaj çështjeje dhe zbuloi e na dërgoi këto dokumente.

Në shekullin XIX shteti polak nuk figuronte në hartën e Europës. Ai ishte copëtuar në tri pjesë: pjesa perëndimore ishte nën pushtimin e Prusisë, ajo lindore në pushtimin e Rusisë cariste, ndërsa pjesa jugore, ku përfshihej edhe Krakovi, quhej Galici dhe ishte nën pushtimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Është kjo arsyeja që Katalogët e Shoqatës Jezuite, faksimilet e të cilave iu bashkëngjiten këtij artikulli, emërtohen në latinisht: “Catalogus Provinciae Galicianae Societatis Jesu”.