27 Gusht 2026

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me operacionin për arrestimin e Ergys Agasit, i cili u vu në pranga më 26 gusht në Durrës, pas disa muajsh në kërkim.

Sipas Lalës, Agasi kishte kryer lëvizje të shpeshta mes Elbasanit dhe Durrësit, ndërsa agjentët e BKH-së dhe strukturat e Policisë kishin monitoruar lëvizjet dhe takimet e tij gjatë dy javëve të fundit.“Bënte lëvizje nga Elbasani në Durrës. Janë vëzhguar të gjitha takimet që ai ka patur për dy javët e fundit”, tha gazetarja Lala.

Lala tha gjithashtu se “Agasi kishte krijuar lidhje të forta brenda Policisë së Shtetit, sidomos në kohën kur kjo strukturë drejtohej nga Ilir Proda”.

Po ashtu Lala tha se “Agasi kishte ndikim brenda radhëve të policisë dhe e konsideronte veten të paprekshëm. Filet që kishte ndikuar edhe në emërimet e policisë. Konsiderohej me fuqi të jashtëzakonshme në Policinë e Shtetit”.

Sipas gazetares, në momentin kur u ndalua nga forcat e policisë, Agasi nuk ka bërë rezistencë fizike, por ka reaguar me një fjalor të ashpër.

“Në momentin që është ndaluar ka pasur jo kundërshtim, por reagim me një fjalor jo normal. Më pas e ka kuptuar dhe është detyruar të dalë dhe të zbatojë të gjitha procedurat”, tha Lala.

Gjatë kontrollit të kryer pas ndalimit, sipas informacioneve të bëra publike, janë gjetur dy çanta dhe një shumë prej rreth 4 mijë eurosh.

Lala dha edhe një tjetër detaj që lidhet me një automjet luksoz, i cili është gjetur në ambientet e një vile të sekuestruar në kuadër të hetimit. Kjo makina u zbulua ndërkohë që po bëheshin procedurat për dhënin e pronës me qira.