“Kemi vendosur bombë”/ Mesazhi kërcënues në institucione ngre në këmbë policinë

Blogu i UdhëtaritNjoftime ShtypiShoqerore

“Kemi vendosur bombë”/ Mesazhi kërcënues në institucione ngre në këmbë policinë

27 Gusht 2026

Mëngjesin e sotëm në 27 gusht, disa institucione në qytete të ndryshme të vendit kanë marrë e-maile kërcënuese, ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur një bombë.

Policia e Shtetit reagoi pas marrjes së kërcënimeve dhe nisi kontrollet në disa institucione. Deri më tani, nga verifikimet nuk është konstatuar asnjë bombë apo material tjetër eksploziv.

Kontrolle po zhvillohen edhe në institucionin e SPAK, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Autoritetet bëjnë me dije se e-mailet janë dërguar nga një adresë elektronike ende e paidentifikuar. Për zbardhjen e rastit është angazhuar edhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike.

Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Policia vijon punën për identifikimin e autorit.

Policia e Shtetit

Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se strukturat e saj janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive“, njofton policia.

Mesazhi kërcënues: Kemi vendosur bombë, do shpërthejë për 2 orë. Do copëtoheni

Është zbardhur mesazhi kërcënues që është dërguar në disa institucione në vendin tonë.

Siç raporton gazetari i Klan News Besar Bajraktaraj, mesazhi ka përmbajtje të qartë kërcënimi.

“Përshëndetje, ky është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë për 2 orë. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do ju vrasim. Allahu Akbar”, shkruhet në mesazh.

Adresa nga ka ardhur mesazhi është nisur nga një domain i një universiteti në Argjentinë.

Alarm për bombë në Gjykatën e Lezhës, evakuohet personeli

Alarm për bombë është dhënë paraditen e kësaj të enjteje në ambientet e Gjykatës së Lezhës.

Pas alarmit, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, ndërsa personeli i gjykatës është evakuuar nga godina, për arsye sigurie.

Mësohet se gjatë ditës në Gjykatën e Lezhës kanë qenë planifikuar disa seanca gjyqësore, përfshirë edhe seanca për vlerësimin e masave të sigurimit, raporton gazetari i Klan News Martin Marku.

Forcat e Policisë kanë nisur kontrollet në ambientet e gjykatës, ndërsa pritet të përcaktohet nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo alarm të rremë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga Klan.tv.

Leave a reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *