30 vjet kërkime, asnjë monument për publikun.

Autor: Gëzim Kabashi

Në qytetin antik të Durrësit zbulimi i fundit arkeologjik që është konservuar nga specialistët i përket fundviteve 1980, kur u bllokua projekti i ndërtimit të një grupi pallatesh pas godinës së teatrit “Aleksandër Moisiu”. Ekspedita e prof. Afrim Hotit në këtë zonë nxori në dritë Rotondën mesjetare, i njohur gjerësisht si Forumi Rrethor.

Zbulimet në pjesën veriore të lagjes 11 i takojnë periudhës pas viteve 1990. E njohur si Zona A arkeologjike – e rëndësisë së veçantë për nëntokën e Durrësit, ndërhyrjet ndërtimore në këtë territor para viteve ’90 kanë qenë shumë të kufizuara.

Megjithëse vazhdon të jetë pjesa më pak e prekur e qytetit nga ndërtimet, lagjia 11 në të gjitha rastet e gërmimeve me qëllime ndërtimi ka dhuruar mrekulli të çdo lloji, disa të shpallura dhe disa të tjera të fshehura e të betonuara nën tokë. Monumenti në mermer i Geas, perëndesha e tokës dhe pjellorisë ishte një prej tyre.

Në bodrumet e njërës prej godinave të banimit pranë rrugës “Aleksandër Goga” ruhen fragmente të një furre për prerjen e monedhave të qytetit në antikitet si dhe një mozaik me vlerë; një tjetër godinë pranë shkollës “Shaqe Mazreku” është ngritur pranë trakteve të fortifikimit verior të kalasë bizantine të Durrësit.

Mozaiku dyngjyrësh i Hipokampit, i njohur si mozaiku me kalë deti ndodhet i mbuluar në një kryqëzim rrugor, shumë pranë bulevardit të Dëshmorëve. Mozaiku bardhë e zi është  hapur dhe mbuluar tre herë që nga viti 1947, pasi sipas specialistëve ruhet më mirë nën tokë se sa nën veprimin e agjentëve atmosferikë. Një tjetër mozaik me rozetë dhe 12 petale shumëngjyrëshe ka mbetur pranë shkallares së një pallati të ri, ndërtuar pranë vendit ku ndodhet mozaiku me kalë.

Shumë pranë tyre, në ish-lulishten “1 maj” edhe një zbulim tjetër i mrekullueshëm, dy lagje mesjetare e antike mbi njëra-tjetrën, fati i të cilave duket se do të jetë ekspozimi pjesor në bodrumin e godinës së banimit që u ngrit mbi të.

“Që prej tre dekadash në Durrës nuk ka shpëtuar asnjë zbulim madhor dhe objektet arkeologjike ndonjëherë kanë përfunduar nën themelet e godinave shumëkatëshe,” shprehet prof. Brikena Shkodra.

Disa ditë më parë ajo ka mbuluar përsëri me dhe’ objektin e sondazhit të fundit, që dëshmon sistemin urban të furnizimit me ujë brenda qytetit në shekullin e 4-tërt të erës sonë.

“Nuk është e lehtë të bllokosh studimin deri në verën e vitit të ardhshëm, por në profesionin tonë dihet se strukturat e zbuluara i ruan më mirë nëntoka,” përfundoi arkeologia.