Mjerimi i inteligjences

Mjerimi i inteligjences

“Liria e shkencës kuptohet si e drejta që ka secili të shkruajë për ato gjëra që ai nuk i ka studjuar dhe t’i paraqesë këto si të vetmen metodë me të vërtetë shkencore. Dhe z.Dyring është një nga tipat më karakteristikë të kësaj pseudoshkence mendjemadhe, e cila në ditët tona në Gjermani mundohet të dalë kudo në plan të parë duke mbytur çdo gjë me zhurmën e fjalëve të veta të mëdha, por të zbrazëta. Fjalë të mëdha, por të zbrazëta në poezi, në filozofi, në politikë, në ekonominë politike, në histori, fjalë të mëdha, por të zbrazëta nga katedrat dhe nga tribunat, fjalë të mëdha, por të zbrazëta kudo, fjalë të mëdha, por të zbrazëta, që pretendojnë të kenë epërsi dhe thellësi mendimi, ndryshe nga fjalët e mëdha banale e vulgare të kombeve të tjera, fjalë të mëdha, por të zbrazëta, si produkti më karakteristik e më i përhapur i industrisë intelektuale gjermane, me devizën: ‘e lirë, por e dobët’...”


Historia si nocion shënon tri gjëra: 1) rrjedhën e ngjarjeve (ose historinë reale); b) të ashtuquajturën histori të shkruar (domethënë shkrimet e studiuesve dhe kujtimet e shkruara të njerëzve të ndryshëm); ndërgjegjen historike të një populli (të lënë përmes krijimtarisë gojore).


Ajo që vlen të mbahet parasysh këtu është fakti që as e ashtuquajtura histori e shkruar dhe as ndërgjegjja historike e një populli nuk përbëjnë detyrimisht një të vërtetë. E vërteta lind vetëm atëherë, kur dija jonë arrin të përputhet me zhvillimin objektiv të dukurive të ndryshme, në rastin tonë me zhvillimin dhe domethënien objektive të asaj që ka ndodhur, të historisë reale.
Vlen gjithashtu të mbahet parasysh se i vetmi faktor shoqëror që ka luajtur dhe luan rol në të tria rastet (pra, në historinë reale, në të ashtuquajturën histori të shkruar dhe në ndërgjegjen historike të një populli) është inteligjencia.


Ndërkohë tema e rolit të intelektualëve (ose të inteligjencies) në shoqërinë tonë, veçanërisht këtë çerekshekullin e fundit, është prekur fare rrallë dhe vetëm si çështje teorike, si çështje studimore e shkëputur nga jeta. Veprimtaria e intelektualëve si dukuri reale, pra, si pjesë e vetë historisë, nuk është trajtuar asnjëherë, ndërkohë që nuk do të duhej të ishte kështu.


Pse nuk do të duhej të ishte kështu? Sepse roli i kësaj shtrese – aspak dhe asnjëherë të pavarur – mbetet gjithsesi tejet i rëndësishëm për jetën e shoqërisë. Rrjedhimisht, trajtimi i temës së rolit të intelektualëve në shoqëri është kusht për të shpjeguar historinë e sotme dhe për të ndërmarrë të gjitha ndryshimet e domosdoshme, me qëllim që kjo histori të mos rëndojë si mallkim mbi popullin, por të jetë vepër e tij në shërbim të lumturisë së përgjithshme. Po: të lumturisë së përgjithshme!


Po përse tema e intelektualëve është kaq e patrajtuar në publicistikën tonë? Jeta e përditshme na tregon se të gjithë e kanë të lehtë të flasin për gjithçka, por jo për fushën e veprimtarisë së tyre. Intelektualët në përgjithësi, intelektualët tanë në veçanti, nuk bëjnë këtu përjashtim nga njerëzit e tjerë. Vështirë të pritej kësisoj që intelektualët tanë do t’i bënin gjyqin vetes për rolin e tyre në histori (me gabimet e fajet dhe jo vetëm meritat). Deri më sot kjo nuk ka ndodhur. Po të dëgjosh (dhe lexosh) intelektualët, fajin për të gjitha e kanë qytetarët e thjeshtë, e ka populli.


Le të renditim disa tipare të asaj pjese të intelektualëve tanë të sotëm, që në një mënyrë a në një tjetër ndikon në vendosjen e fatit të gjithë shoqërisë dhe që shpesh cilësohet si elitë (pari) e shoqërisë.


Gjëja e parë që të bie në sy te ky grupim shoqëror tejet larash është mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë shoqërore. Kaq e dukshme është kjo ndjenjë mungese përgjegjësie, sa ajo merr pothuaj gjithmonë përmasat e paturpësisë. Nuk ka ngjarje në vend, sado e rëndë ajo qoftë – përmbytje fushash, djegie pyjesh, vrasje, vetëvrasje etj.etj. –, të kthejë sadopak në fytyrat e të shquarve tanë hijen e seriozitetit. Në këto fytyra mbizotëron kurdoherë ndërkryerja ose vetëkënaqja – shenja të cenimit ose plotësimit të interesave të tyre – por nuk shfaqet asnjëherë serioziteti, shqetësimi, mendimi – shenja të përjetimit për gjendjen e shoqërisë. Duke parë këto fytyra duket sikur të gjithë të tjerët jetojnë falë tyre dhe për ta. Me të vërtetë kult!


Mungesa e ndjenjës së përgjegjësisë shoqërohet pashmangësisht me mungesën e plotë të logjikës. Nuk ka çështje shoqërore që elita jonë të mos e trajtojë, në thelb, pa argumente dhe pa kurrfarë lidhjeje logjike. Të gjitha parregullsitë gjuhësore, që të vrasin syrin dhe veshin në ligjërimet e shkruara dhe të shqiptuara të elitarëve tanë, nuk janë veçse pasqyrë e kaosit logjik, në të cilin jeton mendërisht kjo shtresë shoqërore. Kaq e dukshme është tek elita jonë mungesa e logjikës në të kuptuarit e ngjarjeve dhe në të shprehurit e pikëpamjeve, sa përbën njërin nga shkaqet e thellë të mosbesimit – për të mos thënë përçmimit – të shqiptarëve kundrejt intelektualëve dhe kundrejt punës mendore në përgjithësi, por edhe njërën nga arsyet më të forta të zhvlerësimit të vendit tonë në sytë e botës (krahas gjendjes katastrofike të fushave, maleve, pyjeve dhe bregdetit, të qyteteve dhe fshatrave, të jetës sonë shoqërore).


Një tjetër tipar i dobët i intelektualëve tanë është mungesa e sistemit të parimeve, e parimësisë në të menduar dhe të vepruar. Jemi të detyruar të pranojmë që të pasurit e një sistemi parimesh, të udhëhequrit nga parimësia, nuk përbën një dukuri dalluese për ne shqiptarët. (Këtu nuk ka përse të ngushëllohemi me faktin që edhe kombe shumë më të mëdhenj e më të fuqishëm janë tmerrësisht të paparimtë). Por nëse kjo është pikërisht kështu (dhe nga kjo rrjedhin në fund të fundit të gjitha dështimet tona në përpjekjen për të krijuar një shtet të vërtetë), shkaku kryesor qëndron pa mëdyshje te fakti që inteligjencia shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë tërësisht e paparimtë. Le të shtrojmë disa pyetje: A kemi parë në jetë shumë mësimdhënës parimorë, domethënë që vlerësojnë drejt – mbi bazën e parimit të vërtetësisë, saktësisë dhe interesit shoqëror – edhe lëndën edhe nxënësit e tyre? A janë të shumtë në këtë periudhë historike ata mjekë, parimi i vetëm i punës së të cilëve është: “Gjithçka për shëndetin e qytetarit”? Mos vallë parimi artistik i krijuesve tanë është: “Arti i përket popullit”? A thua oficerët tanë në  përgatitjen ushtarake të efektivave udhëhiqen nga parimi: “Atdheu mbi gjithçka”? A është vërtet parimi i politikanëve tanë “Shërbimi ndaj Shqipërisë është e vetmja detyrë dhe më i larti nder”?


Dhe nëse këto figura kyçe të shoqërisë në pjesën e tyre më të madhe nuk udhëhiqen (sikurse nuk janë udhëhequr as në të shkuarën) nga interesi i popullit, nga parimi i shërbimit shoqëror, atëherë nuk kemi pse çuditemi që edhe qytetarët shqiptarë nuk dallohen për parimësi. Madje jam i bindur se megjithatë sjellja shoqërore e njerëzve të thjeshtë është më parimore nga sjellja e së ashtuquajturës elitë.


Elita jonë, inteligjencia, dallohet edhe për një tjetër tipar dobësie: mungesën e forcës morale. Me termin “forcë morale” nuk kam parasysh aftësinë e kësaj shtrese për t’u bashkuar në kor, sa herë që shihet ndonjë perspektivë për përfitime lëndore vetjake dhe për çlirim nga të gjitha detyrimet shoqërore. Në këtë pikë elitat, jo vetëm në Shqipëri, janë të paarritshme, ndërsa aftësia e tyre për kompaktësim ndërkombëtar është vërtet befasuese dhe do të ishte me të vërtetë një cilësi e mahnitshme, sikur të mos ishte aq e neveritshme.


Me “forcë morale” unë kuptoj aftësinë për të përballuar me dinjitet ngjarjet e jetës dhe për të mos tradhëtuar kurrë të vërtetën. Elita jonë ka dhënë dhe vijon të japë çdo ditë shembuj të panumërt mungese dinjiteti si për çështje profesionale ashtu – madje edhe më shumë – për çështje shoqërore. Dhe kjo squlltësi e saj shoqërohet në mënyrë të pashmangshme me përlotje mjerane. Ka mbi dy dhjetëvjeçarë që intelektualët tanë të të gjitha profileve dhe zejeve vijojnë të qaraviten pa pikë turpi në sy të shoqërisë duke u hequr si njerëzit më të nëpërkëmbur, më të shtypur e më të përndjekur të vendit! Ka mbi dy dhjetëvjeçarë që intelektualët tanë janë zhveshur lakuriq përpara shoqërisë me të gjitha veset e tyre kundërshoqërore, të cilat mundohen t’i paraqesin si virtyte. Dhe guxojnë të presin që për këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie shoqërore, mungese logjike, paparimësie dhe ultësie morale shoqëria t’i nderojë e t’ua qajë hallin si shpërblim për përçmimin dhe moskokëçarjen, që intelektualët tregojnë në çdo rast e me çdo mënyrë ndaj popullit.


A është për t’u çuditur pastaj që në pjesën më serioze të shoqërisë vihet re një mosbesim i vjetër, një ftohtësi dhe shpërfillje për fatin e doktorë Adhamudhëve dhe profesorë Zenove? Dhe kjo është më e pakta!


Ç’mund të presin nga populli kompozitorët tanë, që e braktisën tërësisht shkollën amtare të muzikës dhe iu kushtuan vetëm një krijimtarie të sunduar nga ligjet e fitimit, ku nuk ka më as melodi, as poezi dhe as moral shoqëror? Ç’nder mund të ketë një zgjedhje e tillë?


Ç’mund të presin piktorët a skulptorët, që befas u ndjenë të lodhur nga realizmi, i vetmi drejtim i kuptueshëm për popullin, dhe u dhanë pas çdo lloj abstraksioni, shkarravine e thyerjeje imazhesh duke e shpallur kësisoj largimin nga realiteti si të vetmin qëllim të krijimtarisë së tyre?  A nuk do të kishin të drejtë soditësit e thjeshtë të arteve figurative t’i merrnin këto abstraksione, shkarravina dhe thyerje figurative të mjeshtrave tanë si pasqyrë shpirtrash të arratisur nga realiteti, shpirtrash të shkarravitur e të thyer?


Përse do të duhej të tregonte përfillje publiku ynë për kinematografinë, për sa kohë që të gjithë ata, që në Shqipëri merren me prodhimin e filmave, mezi pritën të merrnin paratë e të huajve (duke u vënë në shërbim të tyre) dhe shpërfillën pagesën e popullit të tyre, pra, hoqën dorë nga shërbimi ndaj tij? Dhe të mos harrojmë që, edhe atëherë kur mjeshtrat kërkuan para nga buxheti i shtetit, produkti i tyre ishte helm për ndërgjegjen e qytetarëve.


Tani disa eksponentë të kësaj kaste po ankohen për gjendjen, në të cilën lëngon kinematografia jonë. Pse, vallë ekziston ajo? Vallë jeton, qoftë edhe duke lënguar? Në cilën kinema shfaqet, në cilin program televiziv?


Po njerëzit e artit dramatik ç’mund të presin nga publiku? Çfarë i kanë dhënë në thelb ata atij: mund të krenohen që nuk e kanë kthyer dramën në estradë dhe komedinë në cirk?


Dhe cili është mendimi i qytetarëve për gazetarët tanë, shkrimet dhe diskutimet e të cilëve nuk përmbajnë as analiza dhe as përgjithësime, por sulme të rëndomta dhe të ulëta poshtë nivelit të qytetarisë? Jam i bindur që qytetarët janë lodhur dhe neveritur thellë nga shtypi grindavec dhe shpirtvogël, që ka traumatizuar e vazhdon pa kurrfarë lëkundjeje të traumatizojë një popull të tërë.
Ç’kuptim kishin për masën e gjerë të qytetarëve të Shqipërisë thirrjet e intelektualëve për një shoqëri të re, ku vendin e nderit të punës e zuri pandershmëria e biznesit të prostitucionit, narkotikëve etj.etj. dhe vendin e dashurisë për atdheun e zuri rendja në fund të botës për të gjetur fatin vetjak?


Të mos flasim për politikanët. Besoj se për asnjë nuk ka më dyshim se thënia e vjetër, që politika është grua e ligë, u vërtetua katërcipërisht. Me një saktësim të vockël: që e ligë nuk ishte politika – në fund të fundit një nocion, një emërtim abstrakt – por ata që merreshin me të dhe që bënë çmos për t’i larguar të gjithë qytetarët nga pjesëmarrja në jetën politike të vendit. Rezultati? Numri në rritje i qytetarëve, që nuk votojnë për askënd dhe që padrejtësisht cilësohen si elektorat i pavendosur. Jo, zotërinj intelektualë, kjo nuk është pavendosmëri, përkundrazi, është vendosmëri që buron nga zhgënjimi.


Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se:


Inteligjencia jonë e ka parë dhe e sheh përgjithësisht fatin e vet të shkëputur nga fati i popullit shqiptar. Praktikisht kjo do të thotë se inteligjencia jonë nuk e sheh veten në shërbim të popullit, përkundrazi është e gatshme t’i shërbejë çdo të huaji, mjaft që ky ta paguajë. Në vend që elita të ishte vlera morale e popullit dhe shërbëtorja e përkushtuar e tij, populli dhe vendi u kthyen në vlerë konsumi e mall tregu për elitën.


Për inteligjencien tonë ligji dhe detyra ndaj shoqërisë janë ndër gjërat më të urryera, ndërsa interesat vetjake – e vetmja busull. Prandaj kjo inteligjencie ka qenë kundërshtarja më e egër e pavarësimit të Shqipërisë dhe e forcimit të shtetit. Naim Frashëri shkruante se mes nesh kishte “shumë armiq e tradhëtorë”. Sot kjo e thënie e tij është shumë më aktuale. Për fat të keq!
Inteligjencia jonë i sheh me sy armiqësor gjuhën dhe historinë kombëtare, pasi këto i kujtojnë asaj nëpërkëmbjen që u ka bërë detyrave ndaj popullit, pra, i dëshmojnë se ndërgjegjja e saj është fajtore. Ndaj edhe ajo lëshohet mbi gjuhën dhe historinë tonë kombëtare (si dhe mbi këdo që mbron gjuhën shqipe dhe figurat e ngjarjet e mëdha të historisë së Shqipërisë) me cinizmin dhe përçmimin më të madh. Vetë gjuha e inteligjencies sonë – e mbushur me fjalë e ndërtime tërësisht të huaja për shqipen – është dëshmi e qartë e tradhëtisë së saj kombëtare. Vetë veprimtaria e kësaj inteligjencie në fushën e historisë, me shkasin e rishkrimit të historisë, ka synuar rrëzimin e vlerave të vërteta dhe ngritjen lart të të gjitha kundërvlerave.


Intelektualët tanë në përgjithësi duke rrojtur tmerrësisht larg fateve të popullit, duan s’duan, janë shndërruar në liliputë, të cilët rreken gjithë kohës e me gjithfarë horoskopesh gjojashkencore, gjojaartistike e gjojakulturore, të lidhin përjetësisht me pezhishkën e skllavërisë Guliverin-popull.


Pikërisht për këto arsye figura e intelektualit është aq pak e dashur (në të vërtetë, aq e përçmuar dhe në thelb e urryer) në popullin tonë. Dhe fati i popullit do të ndryshojë vërtet për mirë vetëm atëherë, kur inteligjencia e Shqipërisë t’i shërbejë me ndershmërinë dhe me përkushtimin më të lartë popullit e jo vetes, shoqërisë dhe jo klaneve të gjithfarshme, të ardhmes e jo të sotmes.
Por duket qartë që me këtë inteligjencie dhe me këtë sistem të përgjithshëm rregullash shoqërore, që ajo na ka gatuar, populli do të mbetet për shumë kohë “anës detit i palarë, anës dritës i paparë, pranë sofrës i pangrënë, pranë dijes i panxënë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama