Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi u fokusua sot tek transporti urban në Tiranë i cili është në gjëndje të mjerueshme. Në paraqitjen e gjendjes aktuale, Bojaxhi tha se transporti është i shtrenjtë, ka cilësi të dobët, nuk është lehtësisht i arritshëm dhe se operatorët abuzojnë me cilësinë e shërbimit. Sipas tij kjo situatë është rezultat i keqmenaxhimit dhe korrupsionit të drejtuesve të Bashkisë.
Nën drejtimin e Gjergj Bojaxhi, Bashkia e Tiranës do të këtë si prioritet përmirësimin e transportit urban. Ai paraqiti planin konkret të transformimit rrënjësor të këtij shërbimi.
Ai tha se “Ne do sjellim biletën unike për të gjitha linjat, do të dyfishojmë numrin e autobuzëve, do mundësojmë që çdo stacion autobuzi të jetë jo më larg se 7 minuta nga shtëpia e çdo qytetari të Tiranës. Do të vendosim sisteme GPS në çdo autobuz, në mënyrë që qytetarët të kenë tabela elektronike tek stacionet dhe të dinë vendodhjen dhe orarin e saktë të mbërritjes se autobuzëve. “
Në planin konkret të reformimit të sektorit të transportit do të jenë:
- Futja e biletës unike që mund të përdoret në çdo linjë dhe çmimi të jetë me bazë kohë.
- Biletat do të menaxhohen në mënyrë elektronike.
- Do të monitorohet lëvizja e autobuzëve në mënyrë elektronike.
- Do të krijohet një sistem elektronik për monitorimin dhe koordinimin e transportit urban.
- Në një hark më të gjatë kohor, do të shndërrhet e gjithë flota në autobuza elektrikë me bateri.
Kandidati i pavarur, Bojaxhi theksoi faktin se përmirësimi i transportit urban do të sjellë; përmirësim i cilësisë së ajrit, përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve.