Esat Pasha donte ta ta helmonte majorin holandez ne shtepine e tij

Esat Pasha donte ta ta helmonte majorin holandez ne shtepine e tij

Komandant i Misionit Ushtarak Holandez ishte Gjenerali Willem J. H. De Veer. Ai ishte një oficer me karrierë të gjatë ushtarake, ish-efektiv i Regjimentit të III-të të Artilerisë Fushore. Ai ishte në moshën 56-vjeçare kur erdhi në Shqipëri. Fillimisht ndihmoi në hartimin e dokumentacionit pranë Shtabit Madhor dhe në strukturat e Ministrisë së Luftës. Shpesh ai u përball edhe me anëtarët e KNK, duke kërkuar pavarësi për krijimin e xhandarmërisë. Gjenerali De Veer u angazhua nga KNK në veprimet e kryera për zbulimin dhe dënimin e Komplotit të Beqir Grebenesë në fillimvitin 1914. Ai ishte kryetar i Gjyqit Ushtarak, që u krijua në Vlorë, pas këtij komploti. Gjenerali De Veer nuk u përul para intrigave të shumta, si në Vlorë, ashtu edhe në Durrës. Gazeta “Përlindja e Shqipënisë” e përshkruan me respekt veprimtarinë e tij. Gjenerali De Veer drejtoi shumicën e operacioneve ushtarake, sidomos në mbrojtje të krahinave të Jugut. Ai ndoqi në terren veprimet luftarake, shpesh dokumentoi masakrat e ushtarakëve grekë, sidomos në zonën Gjirokastër – Tepelenë.

Shumë i njohur është përshkrimi i masakrave greke në fshatin Kodër, në Tepelenë. Megjithëse ai ishte zyrtarisht Komandant i Misionit Ushtarak Holandez, autoritetet e KNK, por edhe ata të Qeverisë së Ismail Qemalit, fillimisht, si dhe të Princ Vidit më pas, komunikonin më shumë me Kolonelin Tomson. Kjo vinte për faktin se Koloneli Tomson ishte me një përgatitje të gjithanshme, politike si ish-deputet, ushtarake si oficer këmbësorie, hartograf, si dhe botues e publicist me përvojë në Holandë. Pavarësisht se shpesh Gjenerali De Veer mënjanohej nga këto autoritete, ai e kreu me dinjitet ushtarak detyrën e tij në Shqipëri. Oficeri holandez më me autoritet ishte Koloneli Lodevijk W. J. K. Tomson. Në ato vite, ai ishte një nga oficerët më të spikatur në Mbretërinë e Holandës, si nga arsimimi dhe nga përvoja ushtarake, ashtu edhe nga intelekti dhe nga angazhimet konkrete ushtarake dhe politike. Si deputet, Tomsoni bëri përshtypje me fjalimet e tij për organizimin ushtarak në Holandën e fillimshekullit. Opozita e parashikonte Tomsonin si ministër të ardhshëm të Luftës, me treguesit më popullorë të mundshëm në atë kohë. Edhe si natyrë njerëzore, Koloneli Tomson ishte shumë i afrueshëm dhe i hapur. Ai është i ftuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe në pritjet dhe darkat e shumta, që shtronin konsujt e ndryshëm në Vlorë dhe në Durrës. Gazeta “Përlindja e Shqipënisë” përshkruan një të tillë, ku Koloneli Tomson ishte bashkë me Ismail Qemalin.

-Koloneli Tomson

 ishte oficeri më i shquar i Misionit Ushtarak Holandez në Shqipëri, në vitet 1913 – 1914. Ai ishte 44 vjeç kur erdhi në Vlorë. Siç shkruhet në faqen e përgatitur në internet nga Dr. C. M, Shulten, Lodewijk Willem John Karel Thomson, lindi më 11 qershor 1869. Pas nënshkrimit të kontratave me KNK, në ditët e para të qëndrimit në Vlorë, oficerët holandezë u trajnuan nga Koloneli Tomson për detyrat e tyre në Shqipëri. Koloneli u dha njohuritë e domosdoshme për vendin dhe për zonat ku do të caktohej çdo oficer. Ai u rekomandoi edhe lidhjet dhe kontaktet më të mira për secilën zonë. Me stilin e tij të saktë, Tomsoni u shpjegoi oficerëve edhe problemet e psikologjisë popullore dhe sociale të shqiptarëve, aq e nevojshme në punën e komandantëve të sapo emëruar. Ai u foli edhe për vështirësitë, por dhe për objektivat ku duhet të arrinte çdo oficer në vendosjen e autoritetit shtetëror dhe mbrojtjen e territorit shqiptar. Këto ishin dy nga detyrat kryesore për çdo oficer holandez. Në Vlorë të gjithë oficerët u angazhuan në përgatitjen e disa nënreparteve të xhandarmërisë për të siguruar pritjen e Princ Vidit më 7 mars 1914. Në Gazetën “Përlindja e Shqipënisë”, tregohet se “Të dielën, më 16 mars, duke u gdhirë e diela, shkuan për në Durrës 110 gjendarmë të gjendarmërisë së këtushme. Këto gjendarmë do të marrin pjesë në Garnizonin Mbretëror, që po formohet në Durrës. Bashkë me këta ushtarë shkuan edhe dy veta, të veshur me petka Shqyptarishte të Jugës, me fustan dhe me pushkë të artë, të cilët do të zënë vend si portierë në Pallat”.

-Majori Johan M. Sluys,

Oficer Këmbësorie, Komandanti i Mbrojtjes së Durrësit, ishte 41 vjeç kur mori detyrën në Shqipëri. Duke vlerësuar përvojën e tij, si dhe autoritetin ushtarak, që zotëronte, Gjenerali De Veer dhe Koloneli Tomson e caktuan Majorin Sluys në detyrën më të vështirë në Shqipëri, atë të mbrojtjes së Kryeqytetit të Principatës Shqiptare, të sapo krijuar nga Fuqitë e Mëdha. Majori Sluys u përball me dinjitet me autoritetet ndërkombëtare dhe diplomatike, që kryenin veprimet në Durrës. Si komandant ushtarak, Majori Sluys vendosi rregullin në Kryeqytet, sistemoi trupat ushtarake në një kazermë, afër kodrës dhe vendosi sistemin e rojeve dhe të sigurisë për rendin publik, me patrulla, në bashkëpunim me policinë e qytetit.

Në pritje të Princ Vidit

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit këmbënguli të vinin edhe oficerët e tjerë holandezë, pas Dekretit Mbretëror që i kishte emëruar gjeneralin De Veer dhe kolonelin Tomson në shërbim të Xhandarmërisë Shqiptare për 2 vjet. Kjo bëhej e domosdoshme pasi po afronte dita që të vinte Princ Vidi, i caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Njëkohësisht, po përgatiteshin kontingjentet e para të Xhandarmërisë Shqiptare, që do të vendoseshin në Shqipërinë e Jugut, sipas Dekretit të miratuar në dhjetor 1913. Ja se si e përshkruan punën e dy oficerëve madhorë holandezë, z. Nadolni, përfaqësuesi gjerman në KNK, në fund të janarit 1914: “Ç’është e vërteta, xhandarmëria e krijuar dhe komanduar nga oficerët holandezë, duke shfrytëzuar bazat e krijuara prej Ismail Qemalit e me paratë e marra nga arka e tij qeveritare, nuk mund të përdoret prej tij sipas dëshirës dhe pa kufizime. Nga njëra anë, ajo duhet t’i shërbente në radhë të parë një qëllimi të caktuar, paqësimit të Jugut, e në anën tjetër, oficerët holandezë mbështeteshin më tepër te Komisioni i Kontrollit, sesa tek ai. Pas marrjes së pushtetit nga KNK, shumë veprime u kryen në bashkëpunim me Katundarinë (Bashkinë) e Vlorës, që drejtohej nga Ibrahim Avdullahu. Dr. Bardhosh Gaçe në monografinë e shkruar për këtë patriot, titulluar “Rilindasi i Vlorës” sjell foto e dokumente, që botohen për herë të parë. Aty shkruhet se më 14 shkurt 1914, Ibrahim Abdullahu e Ymer Radhima thirrën në Katundari Hasan Sharrën, të cilit i kërkuan që shtëpia e “Vëllezërve Sharra”, të shërbente si selia e KNK dhe e organeve të tjera.” Në monografinë e mësipërme, sillet edhe kopja e procesverbalit të firmosur nga Kryetari i Katundarisë, Ibrahim Abdullahu, Fezi bej Alizoti, Hasan Sharra, Krajevski. Një i tillë, shprehet Dr. Gaçe, është edhe për sistemimin e dy ushtarakëve të lartë holandezë, Gjeneralin De Veer dhe komandantin Tomson. Lista e oficerëve, që përbënin Misionin Ushtarak Holandez në Shqipëri, përfundoi më 23 janar 1914. Ajo iu dërgua Gjeneralit De Veer dhe Kolonelit Tomson në Vlorë. Administrata e Ministrisë së Luftës në Holandë po kryente veprimet përfundimtare, duke e zyrtarizuar listën e të gjithë oficerëve, që do të dërgoheshin në Shqipëri, si dhe duke përcaktuar rrugën e lëvizjes së tyre. Me një Dekret Mbretëror të datës 24 shkurt 1914, të firmosur nga Mbretëresha Vihemlina, oficerët Holandezë u emëruan në shërbim të Xhandarmërisë Shqiptare, duke u dhënë nga një gradë ushtarake më të lartë. Fabius shkruan: “Ne ishim 9 veta, majorët Kroon, De Waal, Verhulst, Roelfsema dhe Sluys, kapitenët Sar, De Iongh, Doorman dhe Fabius, ndërsa kapitenët Reimers dhe Sonne do të vinin me anijen tjetër.”

Rebelimi i Esat Toptanit

Esat Toptani u bë tepër i rrezikshëm dhe majori Sluys i kërkoi Princ Vidit arrestimin e tij. Ai ia miratoi kërkesën. Sluis, pas rezistencës me armë të njerëzve të Esat Pashë Toptanit, i drejtoi grykat e topit dhe e goditi shtëpinë e pashait, i cili u dorëzua, duke ngritur një flamur të bardhë. Kështu përfundoi përplasja e majorit Sluys me Esat Pashë Toptanin, ministër i Luftës dhe i Brendshëm në qeverinë e Princ Vidit. Pa u mbushur dy muaj nga kjo ngjarje, gazeta holandeze “Nieuve Tilburgsche Courant” e datës 14 Korrik 1914 boton një intervistë me Esat Pashë Toptanin. Gazetari holandez e kishte takuar në Paris pashain shqiptar. Thelbin e intervistës e përbëjnë përpjekjet e gazetarit për t’i marrë mendime Esat Pashës për oficerët holandezë, por pashai shqiptar vazhdonte të ishte i zemëruar me holandezët, pasi majori Sluys, komandanti i Durrësit e kishte arrestuar atë për lidhjet me rebelët e Shijakut. Ja si përgjigjet pashai i dëbuar prej Princ Vidit: “Unë i kam dhënë Vidit mbështetjen time të plotë, që nga ana tjetër kjo e ka shtuar shumë pakënaqësinë ndaj meje në Shqipëri. Por me këtë që ka bërë Vidi kundër meje, unë e kam rikthyer sërish këtë ndikim, i cili është ma i madh se përpara, sepse fanatikët janë të bindur tash se unë e kam pësuar për të mbrojtur interesat e tyre. Që ta përmbledh gjykimin tim për oficerët holandezë: Unë kisha konsideratë për ta dhe u mrekullova me ta për shume vepra të mira që bënë, mirëpo ata më lënduan shumë. I kishte kundërshtuar apo mashtruar dikush, apo mungesa e përvojës i kishte çuar në moskuptimin e drejtë të rolit të tyre. Këto ishin të metat e tyre. Nga këto unë e përjashtoj eprorin Tomson.

Ai kishte përvojë dhe e kishte kuptuar shumë mirë rolin e vet. Por për fat të keq ai ishte shumë nervoz. Kjo u acarua dhe më tepër nga problemi i Epirit. Është kritikuar për mënyrën se si e trajtoi këtë problem. Ishte krejtësisht e gabuar. Po ky nuk ishte faji i tij. Ky ishte krejtësisht faji i Mbretit. Pa qenë ne të pranishëm e kishte instruktuar Tomsonin për problemin e Epirit. Këto instruksione dolën krejtësisht të gabuara. Për më tepër, Tomsoni nuk ishte shumë i informuar, jo për faj të tij, por ngase ai thjesht nuk e njihte fare këtë problem. Ai s’duhej të kishte bashkëbiseduar për problemin e Epirit me Zografin. Ky ishte një truk i Zografit, që të bashkëbisedonte me princin shqiptar rreth një problemi, të cilin ai përpiqej që të bëhej subjekt në Evropë. Por Zografi e dinte mirë që, nëse Fuqitë e Mëdha nuk do të flisnin rreth këtij subjekti, ai s’do të mund të bënte kurrë atë që donte. Marrëzia e kryer me këtë problem është dhe shkaku i të gjitha ngjarjeve të rënda. Ndoshta ne ishim pak të padrejtë kundrejt Tomsonit, duke i folur ashpër dhe e kritikuar, por në fakt ky ishte një gabim i Mbretit”.

Në mbrojtje të Korçës

 Majori Johan E. Snellen van Vollenhoven, oficer këmbësorie, u caktua Komandant i Mbrojtjes së Korçës. Ai siguroi një nga bashkëpunimet më të mira me autoritetet lokale në Shqipëri. Ashtu si dhe Majori Kroon, në Veri, Majori Vollenhoven kishte qindra luftëtarë vullnetarë, që i përgjigjeshin të gjitha situatave luftarake. Me të mbërritur në Korçë, ai e sistemoi xhandarmërinë e bashkëpunoi me Themistokli Gërmenjin, që ishte Prefekt dhe siguroi kushte shumë të mira për të dy oficerët Holandezë, që ishin caktuar në Korçë. Në një letër, që ruhet në Arkivin Qëndror Ushtarak, në Hagë, Major Snellen van Vollenhoven shkruan: “Unë jam caktuar Komandant i krahinës më të shëndetshme, Korçës, e cila është ende e pushtuar nga grekët, por ata, me dëshirë ose pa dëshirë, kanë për t’u larguar. Pres disa ngjarje të rëndësishme…” Sipas kronikave të kohës, ushtria greke filloi ta linte qytetin më 3 mars 1914, ndërsa Majori, në krye të repartit të xhandarmërisë më 5 mars mori në dorëzim qytetin. Menjëherë ai vendosi administrimin ushtarak në emër të Qeverisë Shqiptare. Për këtë qëllim vuri në përdorim edhe një vulë zyrtare me një shqiponjë dykrenare e nënshkrimin “Comission de Controle Provisore Korça”.

Përballimi i sulmeve greke

 Kronikat e kohës tregojnë se Majori Snellen van Vollenhoven dhe Kapiteni Jetze Doorman përballuan sulme të shumta greke, të organizuara haptazi me forca të mirëfillta ushtarake, por edhe me ushtarë të veshur si andartë (komita). Këta luftëtarë grekë, të ndihmuar edhe nga peshkopi grek i Korçës, kërkonin që të destabilizonin situatën dhe të mbanin nën ndikimin e tyre këtë krahinë të rëndësishme shqiptare. Duke komplotuar kundër autoriteteve lokale, me forcat ushtarake, të fshehura në disa baza, afër qytetit, si dhe në Spitalin e Korçës, forcat greke e sulmuan përsëri qytetin duke u gdhirë data dy prill 1914. Xhandarmëria Shqiptare, nën komandën e Majorit Snellen van Vollenhoven reagoi me ashpërsi, duke i thyer keqas komplotistët dhe forcat greke, që i mbështetën. Forcave të xhandarmërisë iu bashkuan disa qindra luftëtarë, të komanduar nga Themistokli Gërmenji. Pas thyerjes së komplotit, forcat shqiptare marshuan për të marrë në dorëzim Kolonjën, Ersekën dhe Leskovikun. Oficerët holandezë në Korçë ishin ndër më të suksesshmit në kryerjen e detyrave ushtarake. Ata komanduan shumë beteja për vendosjen dhe mbrojtjen e autoritetit shtetëror, si dhe të territoreve shqiptare.

Intrigat dhe komplotet

Pas krijimit të Qeverisë së Princ Vidit, në Durrësin e trazuar filluan intrigat e komplotet. Përballja e parë filloi me Esat Pashë Toptanin, i cili u caktua ministër i Luftës dhe ministër i Brendshëm. Majorit Sluys nuk i jepnin furnizimet me armë e municione për trupat që përgatiste. Ai ishte ankuar shpesh tek Princ Vidi, pasi Esati armatimet e blera me fondet qeveritare i dërgonte me karvanë te njerëzit e tij, gjoja sikur po i përcillte në Jug. Madje ai hoqi oficerin holandez dhe emëroi një oficer italian si komandant të artilerisë. Por Sluys nuk e zbatoi këtë urdhër. Pas shumë ankesave, majori Sluys i shkoi në zyrë Esat Pashës. Zyra ishte në shtëpinë e tij, pasi vetëm aty pashai e ndjente veten të sigurt. Kapiteni Heaton Armstrong, e përshkruan kështu këtë çast: “Thuhej se kur Sluys shkoi për vizitë në shtëpinë e Esatit kundër emërimit të Moteldos, pashai urdhëroi njërin prej shërbëtorëve të tij t’i hidhte helm kafesë së majorit. Me sa duket, shërbëtori e ka refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se më mirë ta qëllonte me armë se sa ta helmonte një njeri. Për dinjitetin e tij, helmimi ishte një akt i ulët. Esati kishte pritur sa ishte larguar majori dhe pastaj e kishte vrarë shërbëtorin e tij”…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama