1908-1912 Mes Osmaneve dhe Ballkanasve

1908-1912, Mes Osmaneve dhe Ballkanasve
Që shumica e popullsisë shqiptare është myslimane apo siç po thuhet me prejardhje të tillë nuk është një zbulim, qoftë dhe në thonjëza, por një realitet. Që islamizimi i shqiptarëve ka ndikuar për t'i ruajtur ata nga sllavizimi dhe greqizimi tejet agresiv është një tezë e pranuar prej kohësh jo vetëm nga analistë në Kosovë dhe në Shqipëri, siç thuhet jo rrallë, por dhe nga autorë perëndimorë seriozë, që janë marrë me këtë temë që më parë.

Shtjellimi i kësaj teme i kapërcen caqet kohore të marra në shqyrtim. Kërkon të kihen mire parasysh veçori dhe momente të rëndësishme të rrjedhave historike në të cilat u përshkua populli ynë gjatë Rilindjes jo vetëm në prag të Pavarësisë, por dhe pas saj.

Pikë së parit mendoj se duhet pasur mire parasysh pozita tejet e vështirë e kombit shqiptar të ngritur mbi ndarjet fetare në kuadër të sistemit osman të mileteve. Kjo pozitë mbetej e pakuptuar a më mire të thuhet e keqkuptuar me dashje nga interesa të caktuara. Uniteti i kësaj bashkësie etnike të formuar historikisht, rrezikohej jo vetëm nga sundimi osman, i karakterizuar  nga ngjyresa teokratike, por dhe nga Patrikana greke e Stambollit dhe shteti teokratik  helen, dhe ndërhyrjet e fuqive të mëdha, në radhë të pare, të atyre adriatike në jetën fetare të popullit tone me anën e kapitulacioneve. Rivalitetet midis tyre e bënin dhe më të rrezikshme këtë ndërhyrje.

Përfytyrimi i kombit shqiptar në qarqet evropiane mbeti më së shumti me dashje, i mangët dhe i paplotë. Ai nuk delte nga kornizat fetare të trashëguara nga mesjeta bizantiniste. Të diktuara nga interesa të caktuara imperialiste dhe shoviniste gjykimet e kancelarive politike, diplomatike e gazetareske të fuqive evropiane dhe të monarkive ballkanike mbi shqiptarët nuk merrnin mundimin ta perceptonin objektivisht realitetin shqiptar në tërësinë e vet.

Ata ushtruan një ndikim të ndjeshëm mbi studimet evropiane kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Këtë ndikim e kanë ndjerë sidomos, e, madje, deri në ditët tona tema si kjo që po përpiqemi të sqarojmë në këtë shkrim. Prej këtij ndikimi nuk kanë arritur të shpëtojnë as vetë shqiptarët si në fushën e mendimit politik ashtu dhe në rrjedhën e praktikës së tyre politike dhe fetare.

Pozita specifike dhe delikate e shqiptarëve mes ballkanasve dhe osmanëve në prag të shpalljes së Pavarësisë nuk është karakteristike vetëm për vitet e marra në shqyrtim këtu. Në këtë lloj pozite ata patën qenë prej kohësh, kur ndodheshin midis kishës lindore dhe kishës perëndimore të mbështetur nga forca politike përkatëse. Pas ardhjes së osmanëve në Ballkan, fqinjët tanë, përgjithësisht, u bënë, njeri pas tjetrit, krushq dhe aleatë të sulltanëve përfshijë dhe Patrikanën e Konstandinopojës.  Ndarja e fronteve perëndimor dhe lindor në Ballkan dhe më gjerë mbi kritere fetare nuk ishte, tashmë, e prerë. Prandaj, shprehja që përdoret sot e kësaj dite jo vetëm në publicistikë për shqiptarët e ndodhur midis kryqit dhe gjysmëhënës, nuk shpreh realitetin historik gati pesëqindvjeçar.  
 
Shqiptarët të vetëm

Gjatë Revolucionit Kombëtar të viteve 1908-1912 shqiptarët qëndruan të vetëm, për katër vjet rresht, në ballë të frontit antixhonturk. Me kryengritjet e tyre, njëra më e fuqishme se tjetra, përshpejtuan fundin e sundimit osman në Ballkan. Përballë përgatitjeve të Aleancës Ballkanike, 14 pikat e Hasan Prishtinës të paragjykuara tepër ligsht aso kohe dhe sot e kësaj dite duhen vlerësuar jo si një qëndrim otomanist. Ato ishin reflektim realist ndaj situatave plot rreziqe që po krijoheshin rreth e rrotull trojeve shqiptare me afrimin e Luftës Ballkanike. Qëndrimi i Hasan Prishtinës kushtëzohej në shkallë jo të vogël edhe nga raporti i forcave politike brenda Lëvizjes Kombëtare në rrafsh mbarëshqiptar dhe shkalla e angazhimit të tyre në frontin antixhonturk.

Mbajtja e qëndrimeve të duhura ndaj koalicionit ballkanik në prag të shpërthimit të luftës në gadishull u bë një detyrë jo e lehtë për forcat politike shqiptare: Në anën e aleatëve apo kundër tyre? Përkrah osmanëve apo asnjanës?

Më 1912, shqiptarët u ndodhën midis Skillës dhe Karibdës, të cilat përfaqësonin deri në nëntor, koalicione antishqiptare apo asnjanëse, gjithsesi, edhe këto të fundit pak dashamirëse ndaj shqiptarëve. Në këto rrethana, qëndrimet e shqiptarëve ishin kundërthënëse.

Cila do të ishte rruga e shpëtimit në kushtet e marshimit të shpejtë të forcave ballkanike: autonomia, pavarësia apo kalimi nën pushtetin e një fuqie tjetër të madhe?  Cili do të ishte princi i Shqipërisë autonome. Ishin këto pikëpyetje që qëndronin para forcave politike shqiptare asokohe? Këto qëndrime duhen parë në kushtet e ndryshimit të rrufeshëm të situatave politike dhe ushtarake në gadishullin tonë në vjeshtën e vitit 1912.  “Inercia” diplomatike evropiane me shumë vështirësi po i shkëpuste Fuqitë e Mëdha nga politika e tyre tradicionale e ruajtjes së statu quosë në Ballkan. Tejet kuptimplote mbetet mesha që dha Fan S. Noli oksidentalist për sulltanin-khalif.

Përpjekjet e shqiptarëve për t’u inkuadruar në rrjedhat evropiane në rrafsh ideor e politik  nuk kanë qenë më të pakta se ato të rrafshit letrar, për çka zakonisht bëhet fjalë më së shumti. Madje është mendimi i përparuar politik e shoqëror rilindas, ai që ka ndriçuar dhe frymëzimet letrare. Kur fjala e rilindasve ka arritur të depërtojë në mendjet dhe zemrat e luftëtarëve të lirisë dhe veprimtarët revolucionarë nga gjiri i tyre janë vënë në ballë të luftës është bërë i mundur orientimi plotësisht i drejt i luftërave të armatosura të popullit tone që me themelimin e Lidhjes së Prizrenit.

Projektimi mekanik i problemeve të shumta të aktualitetit tonë në rrjedhën e shekujve të kaluar, siç është anëtarësimi i vendit tonë në Konferencën Islamike nuk ndihmon në sqarimin e historisë së shekujve XIX-XX  aq më pak të problemeve të sotshme. Për t’u bindur mjafton të përmendim sot qëndrimin negativ të shumicës së anëtarëve të kësaj organizate ndaj çështjes së njohjes së Republikës së Kosovës.

Që shumica e popullsisë shqiptare është myslimane apo siç po thuhet me prejardhje të tillë nuk është një zbulim, qoftë dhe në thonjëza, por një realitet. Që islamizimi i shqiptarëve ka ndikuar për t'i ruajtur ata nga sllavizimi dhe greqizimi tejet agresiv është një tezë e pranuar prej kohësh jo vetëm nga analistë në Kosovë dhe në Shqipëri, siç thuhet jo rrallë, por dhe nga autorë perëndimorë seriozë, që janë marrë me këtë temë që më parë. Prandaj nuk ka pse të pozohen gjërat në mënyrë të shtrembër. Një projektim kësisoji i gabuar i aktualitetit në të kaluarën e popullit tonë nuk ndihmon në sqarimin shkencor të historisë. Si i tillë ai nuk shërben as si mbështetje shkencore për qëndrime të pretenduara kritike ndaj zhvillimeve të kaluara dhe të sotme.

Nisur nga paragjykime të mbështetura tashmë në klishe kinse euroatllantike, trajtohet dhe raporti i shqiptarëve me Luftërat Ballkanike dhe me Stambollin në prag dhe gjatë luftës ballkanike. Ende ndjehet e fortë pikëpamja se paska qenë psikologjia dhe fryma orientale, siç quhet sot, otomaniste, e drejtuesve të klasës politike shqiptare, otomanizmi i tyre, që e paska lënë Shqipërinë jashtë Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913 (?) Sot bëhen thirrje që edhe rishkrimi i historisë të orientohet kundër neotomanizmit. Harrohet se Lufta e Dytë Ballkanike nuk u drejtua kundër pushtuesit shumëshekullor osman, por u zhvillua ndërmjet vetë ish aleatëve ballkanikë. Shqipëria nuk u angazhua në të edhe pse "aleati i saj i natyrshëm", në luftërat për mbrojtjen e Janinës dhe të Shkodrës, Turqia mori pjesë në të dhe arriti të rimarrë Edrenenë.

Kjo gjë nuk ndodhi jo, sepse mungonin qëndrimet otomaniste dhe, për më tepër, nuk mungonte dhe interesi shumë i madh i shqiptarëve për një angazhim  të tillë. Ndjenjat “otomaniste” të shqiptarëve nuk arritën të marrin hov fill pas Shpalljes së Pavarësisë për shkak të dështimit të aleancës të sigluar turko-bullgare. Në të parashikohej që Shqipëria me angazhimin e saj jo të shpallur në këtë marrëveshje, të merrte një pjesë jot ë vogël të tokave të aneksuara nga fqinjët edhe me bekimin e Konferencës së Londrës.
 
A ishte hero Grebeneja?

Në këtë kuadër duhet vlerësuar drejtë dhe i ashtuquajturi komplot aq i përfolur dhe sot e kësaj dite i B. Grebenesë, heroi i forcave atdhetare që u rezistuan forcave shoviniste greke që u dyndën në trojet shqiptare. Kuptimplote është dhe nxjerrja e I. Qemalit në gjyqin e organizuar nga KNK, të drejtuar nga “miku”, i quajtur i madh i shqiptarëve, koloneli holandez Tomson.

Por le të kthehemi tek Lufta e Parë Ballkanike, e cila lidhej drejtë për së drejti me fatin e Shqipërisë. Me gjithë ekzistencën e qëndrimeve otomaniste në radhët e politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës, që nuk mund të mohohen kurrsesi, shqiptarët në shumicë myslimanë dhe jo vetëm myslimanë, me goditjet që i dhanë sundimit osman në Ballkan gjatë Revolucionit të tyre Kombëtar, më 1909-1912 përshpejtuan luftërat ballkanike dhe i hapën rrugën fitores së aleatëve. Por, me krijimin e Aleancës Ballkanike, shqiptarët jo vetëm u lanë jashtë saj nga monarkitë e gadishullit, por trojet shqiptare u bënë objekt pazarllëqesh dhe të një agresioni të drejtë për drejtë, i cili kishte për synim copëtimin e tyre tërësor.

Pra, shqiptarët u lanë jashtë koalicionit ballkanik jo për fajin e tyre, megjithëse qenë të parët që kishin hapur frontin antiosman, që para katër vjetësh, dhe e kishin përballuar atë të vetëm, heroikisht dhe me shumë sakrifica. Për të vërtetuar sa më sipër mjafton të theksojmë se aleatët ballkanas në frontin perëndimor nuk patën më shumë forca ushtarake se sa kishin përballuar shqiptarët gjatë Revolucionit të tyre kombëtar afro katërvjeçar. Këto janë fakte madhore të përmasave gadishullore, të cilët nuk mund të mos merren parasysh.

Si rrjedhim i kësaj situate, me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike shqiptarët u gjendën në një pozitë shumë të vështirë, midis sundimtarit disashekullor dhe disa pushtuesve të rinj. Në këto rrethana komplekse dhe të rrezikshme ata nuk e patën të lehtë të orientoheshin për të dale nga situata.

Malësorët e Mbishkodrës, me shpresë se kjo luftë do të shënonte fundin e sundimit osman, shpejtuan të rreshtohen përkrah forcave malazeze. Jo pak prej klerikëve të lartë paten shkuar më larg. Ata punuan për një aleancë që do të çonte deri në përfshirjen e popullsive të dioqezave të tyre katolike në shtetin ortodoks malazez. Kur u pa qartë se marshimi i malësorëve, në vend që të shoqërohej me ngritjen e flamurit shqiptar, u pasua me shpalosjen e atij malazez, krerë të tyre u tërhoqën nga fronti antiturk. Në orientimin e tyre të ri ndikuan dhe mjaft priftërinj katolikë (midis tyre u dallua Nikoll Kaçorri). Këta, më pak se çdo shqiptar tjetër, mund të akuzohen për mendësi orientale apo otomaniste.

Kështu, për të gjithë shqiptarët u bë e qartë, që edhe rreshtimi përkrah aleatëve ballkanas do të ishte vetëvrasje për ta. Më e çuditshmja, në se mund të shprehemi kështu, lidhur me vështirësitë me të cilat ndesheshin shqiptarët për t’u orientuar në atë situate, ndodhi në Perëndimin e Largët, në Boston të Amerikës. Fan S.Noli, një nga personalitetet më oksidentalë, megjithëse prelat i kishës ortodokse, të Rilindjes sonë Kombëtare, personi që ishte shquar deri atëherë me thirrjet e tij për bashkim dhe luftë kundër sunduesit shumëshekullor, mban një qëndrim që për shumëkënd ishte, pak së pakut, i pashpjegueshëm. Sapo filloi Lufta e Parë Ballkanike ai mban meshë në kishën e tij, në Boston. Karakterin e krishterë të saj, edhe pse lindor, nuk ma merr mendja se do ta marr kush mundimin prej nesh për ta vënë në dyshim.

Në këtë ceremoni solemne fetare peshkop Fan Noli i uron jetë të gjatë sulltan Mehmet Reshatit të pestë, që ishte njëkohësisht dhe kalif i të gjithë myslimanëve të botës. Ai lutej për fitoren e armëve të ushtrisë osmane: “Zot i drejtë, fali mundje (fuqi) të shkëlqyer Perandorisë dhe ushtrisë sonë, që lëfton në kufiret kundër armiqve dhe jetë të gjatë dhe të lumtur perandorit tonë, - lutet i përndritshmi At Fan Stilian Noli, për sulltanin khalif, Mehmet Reshatin V - që të mundim ta shohëm Shqipërinë ashtu si dëshirojmë!"
 
Figura e Nolit

Është po ky Nol, i cili sapo e kishte kritikuar Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin për marrëveshjet gjysmake me qeverinë e Stambollit dhe i kishte quajtur tradhtar të kryengritjeve antisomane. Edhe ky qëndrim i Fan Nolit dhe i plot të tjerëve, për fatin tonë tragjik, nuk ishte shpëtimtar për shqiptarët. Qëndrimin më të drejtë dhe më realist në ato rrethana e mbajtën Komiteti "Shpëtimi" i Shkupit dhe rrethe të gjëra atdhetare jashtë dhe sidomos brenda vendit. Në krye të aksionit të tyre u vunë Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi për ta kurorëzuar me vendimin historik të Kuvendit Kombëtar të Vlorës për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë: Të luftohej për mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke kërkuar njëkohësisht dhe sigurimin e të drejtave kombëtare.

Sa u parashtrua më sipër, vështirë se mund të futen në skema psikologjike e antropologjike, kinse moderne, aq më pak në trajtime historike jo reale. Në këtë mes nuk duhet harruar që mendime si ato që parashtrohen në përsiatje të tilla kanë qenë dhe mbeten argumente shumë të preferuar të publicistëve, diplomatëve dhe historianëve në Ballkan dhe më gjerë. Ato janë përdorur që në atë kohë dhe veçanërisht, më vonë, për të përligjur copëtimin tërësor të trojeve të shqiptarëve të konsideruar thjesht "aleatë" të turqve.

Në trajtimin e historisë së rrugëve nëpër të cilat ka ecur Shqipëria për të arritur deri te fitorja e Pavarësisë nuk na shërbejnë argumentet kritike dhe vetkritike të huazuara prej atyre që kanë dashur t'i bëjnë varrin Shqipërisë.  Argumente të tilla u trumbetuan, kohët e fundit, me të madhe në mediat tona.

Oksidentalizmi i Fan S.Nolit, megjithëse ai jetoi në Amerikë dhe në Evropë, nuk arriti ta shkëputë, aso kohe, nga "orientalizmi" i të gjithë shqiptarëve. Për këtë kanë ndikuar fuqishëm zhvillimet e vrullshme politike dhe ushtarake në prag dhe në fillim të Luftës Ballkanike.

Siç na dëshmon M. Kruja, në mbledhjen e mbajtur në qelën e dom N. Kaçorrit, në prag të udhëtimit të delgatëve të Kuvendit të Pavarësisë për në Vlorë, “Salih Gjuka… Nji Shqiptar mysliman po deshironte, jo vetëm me e shkëputun vêndin e vet prej zotnimit të sulltanit kalif, por edhe me e shtimë nën hijen e perëndorit "fort katholik" t'Austro-Hungarisë. E kush âsht i pari qi e kundërshton? Prifti katholik Nikoll Kaçorri, i cilli do t'ishte gati me pranuem për nji Shqipni "autonome" mâ parë projën e perëndorisë othomane, "qi - kështu arsyeton Kaçorri - pa dyshim s'do të kishte mâ nji jetë të gjatë e me dekën e saj Shqipnija do t'a kishte të sigurtë pamvarësinë e plotë". Ky debat dëshmonte se te intelektualët shqiptarë të kohës, qofshin dhe klerikë, mbizotërontemendimi se “ndienja e ideja e kombsisë qëndronte përmbi ato të fesë.”

Edith Durham dëshmon se pikëpamjet e Nikollë Kaçorrit në ato momente përputheshin me ato të Preng Doçit: “Më mirë të mbahemi të lidhur me Turqinë derisa Shqipëria të forcohet dhe të organizohet më mirë e të qëndrojë në këmbë me këmbët ë e saj se sa të ndodhemi përballë një armiku më të egër siç është Serbi që do t’i binte vendit përsipër”.

Nuk ka dyshim se qëndrimi i dy klerikëve katolikë kushtëzohej në shkallë të madhe nga qëndrimet që vijonte të ndiqte Vjena deri në muajin nëntor për zgjidhjen e çështjes shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane. Lidhur me temën që po shqyrtojmë vlen të kujtojmë që në kushtet e mbizotërimit të kandidaturës së princit protestant V. Vid për fronin e Shqipërisë klerikët katolikë në Shqipëri parapëlqenin kandidaturën e princit mysliman, konkretisht, të Fuadit të Egjiptit. Gjithë kjo për arsye sektariste të kuptueshme. Po edhe “beu kristian” Faik Konica, pak kohë pasi u kishte bërë thirrje delegatëve të Kuvendit të Vlorës që të mos gabonin të kërkonin princ mysliman, mbështeti kandidatin më të fuqishëm mysliman brenda vendit për fronin e Shqipërisë Esad pashë Toptanin.

Ai hartoi dhe programin e tij për ta sjellë atë në pushtet duke rrëzuar Ismail Qemalin.  Siç shihet, “dumbabistët” më të pare dhe më të fuqishëm rezulton se kanë qenë, pa dallim feje dhe krahine, Esad pasha me “komisar” Faik beun, e përkrah tyre dhe priftërinjtë katolikë, me Preng Bib Dodë pashën e bajraktarë të tjerë pa përjashtuar mitropolitët ortodoksë me krerët e “vorioepirotëve”. Pra, nuk kanë qenë vetëm çifligarë, përveç Esad pashës, edhe Dervish bej Biçaku, Kadri bej Peqini e të tjerë, dhe klerikë myslimanë si myftiu Musa Qazimi në Shqipërinë e Mesme që u ngritën kundër princit të Shqipërisë Vilhelm Vid, ithtarë të një princi mysliman. Për këtë “gjynah” të rëndë antikombëtar fajësohen, pa të drejtë, katundarët e kësaj zone dhe komandanti i forcave antiesadiste, Haxhi Qamili.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama