Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një 'detyrim' kryeministror

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 14 vite më parë

Rexhep Meidani
Një 'detyrim' kryeministror

"Zgjimi" nga gjumi! Ky tranzicioni shqiptar ka shfaqur dhe vazhdon të shfaqë gjëra nga më të çuditshmet. Bile, dhe vetë qytetarit, deri duke e fyer inteligjencën e tij, i ofrohen lloj-lloj çorbash demagogjike, paradokse e gënjeshtra politike. Bile, pa lëvizur qerpiku! Në jo pak raste, për ta "paralizuar" memorien e tij, çdo protagonist faji luan rolin e viktimës (ndërsa jo rrallë vetë viktimës i vishet lehtësisht faji). Për më tepër, vetë fajtori shitet sikur godet fajin, sikur sakrifikon e lufton për të korrigjuar pasojat e tij! Sjellje të tillë si sot ka manifestuar në kohë të ndryshme dhe ndonjë kryeministër tjetër tranzicioni. Madje, për këtë qëllim ai ka shfrytëzuar median, sidomos atë që punon për kockën qeveritare të radhës!...Pra, nuk është vetëm politika e tillë. Edhe media e analiza, në jo pak raste, e parapëlqen "zgjidhjen binomiale".

Për arsye të ndryshme, por dhe për "shkaqe" të kuptueshme. Sidomos kur bëhet fjalë mbi veprimtaritë, sjelljet apo deklarimet politike, që mbushin pa pushim ekranet televizive, hapësirat radiofonike apo ato të shkruara. Duke qenë pak më i lirë, këto ditë të para të fillimvitit, fillova të ndiqja reagime politike e publike nga më të ndryshmet. Më çuditi, për më tepër nuk më pëlqeu servilizmi, p.sh., i ndonjë kanali televiziv me transmetime familjare të porositura, që në një mënyrë apo tjetrën e "frymëzojnë" dhe e ushqejnë konceptin autokratik të "great leader"-it. Ndërsa, po ashtu, pak ditë më parë, në median e shkruar më bënë përshtypje dy pozicionime, njëri i drejtpërdrejtë e goditës dhe tjetri më mbulues, duke e nënkuptuar tërthorazi gozhdën për "qyrkun e fajit". I pari futet në kategorinë e shkrimeve-analizë me përmbajtje kritike, sidomos në komentet e tij të ashpra mbi reklamën e turizmit shqiptar me "gojën" e CNN; kurse tjetri, edhe pse "përsëriste" shqetësimin e drejtë mbi tarifat e larta të kompanive celulare apo shërbimet tepër të shtrenjta bankare, dukej sikur e justifikonte ninullën apo nina-nanën e anestezisë (më saktë analgjezisë) të shefit të qeverisë ndaj çmimeve të shërbimeve dhe, nga ana tjetër, mbështeste të kundërtën: pikërisht, zgjimin e tij. Por, pa u marrë fare me arsyet e këtij ndryshimi të papritur, pas 5-6 vjetësh qeverisje!...

Po a ka "fajtor"?

Sidoqoftë, në të dy rastet, pavarësisht "teknologjisë" së shfrytëzuar, synohet zgjimi, zgjimi për realitetin konkret shqiptar, zgjimi për abuzimet ndaj konsumatorëve shqiptarë për çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, etj. Veçse në rastin e parë për "suksesin" apo më saktë gënjeshtrën e turizmit, vihet gishti mbi fajtorin, ndërsa në rastin e dytë kalohet ky përcaktim i drejtpërdrejtë, duke ia lënë "zbulimin" apo këtë gjetje vetë lexuesit. Për ta bërë më mirë dallimin në "stil", po japim vetëm dy copëza nga këto shkrime, jo patjetër ato më tipike.

Kështu, në rastin e parë ndeshen, p.sh., këto pohime: "A e sheh kryeministri se çfarë fëlliqësirash janë plazhi i Durrësit, Golemit e Kavajës? Çfarë u ofrojnë turistëve këto plazhe, përveç varganëve pa fund, me pallate të shënuara dhe detit të mbushur me fekale?...Po ende, a e ka parë kryeministri se për të shkuar në Butrint duhet të kalosh nëpër gërmadhat e fshat-qytetit të bombarduar Ksamil, që kanë mbetur atje së bashku me shtëpitë e pa bombarduara, të cilat janë dhe ato gërmadha nga pikëpamja estetike"...

Në rastin e dytë, me gjithë deklarimet apo emërtimet e panevojshme për "banka grabitqare dhe kompani celulare rrjepëse", ndeshen me të drejtë dhe këto pohime: "Autoritetet rregullatore të këtyre dy shërbimeve bazë, ose kanë qenë të atrofizuara, ose kanë qenë krejtësisht të varura politikisht, ose kanë qenë të kontrolluara rreptësisht nga institucionet ndërkombëtare. Këto organe kanë dështuar deri tani në rregullimin në favor të zhvillimit të vendit dhe në interes të konsumatorit për këto shërbime...". Pikërisht në varësinë e tyre nga politika, nënkuptohet aty dhe përgjegjësia e politikës. Natyrisht, mbi të gjitha e politikës qeverisëse dhe e vetë kryeministrit, që e ushtron këtë detyrë që prej një periudhe gati 6 vjeçare. Përfshirë dhe "politikën e kuadrit", krejtësisht partizane, klanore e nepotike, të ushtruar prej tij dhe shumicës përkatëse. Dhe mos të harrojmë se histori të ngjashme mund të na shfaqen në kohë, dhe për shërbime të tjera, sikur këto të sipërmet janë thjesht vetëm të sotmet!...

Një shembull për kujtesë.

Sa për kujtesë! Bëhet fjalë për një ndërhyrje arrogante qeverisëse, në vitin 2009, për një arbitraritet të shumicës politike mbi një hallkë të rëndësishme në administratën shqiptare, mbi Këshillin Drejtues të AKEP-it. Bile, në mënyrë të menjëhershme, pa thellim dhe analizë, Kuvendi i Shqipërisë liroi nga detyra të gjithë grupin e 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues të AKEP-it (Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare). Akoma më keq, ky emërim nga Kuvendi ishte bërë vetëm një vit e gjysmë më parë, ndërkohë mandati i një anëtari të këtij këshilli është përcaktuar në ligj për një periudhë 5-vjeçare, me një të drejtë rizgjedhjeje. Ishte një veprim i "pazhurmshëm", për më tepër i pashoqëruar me ndonjë reagim minimal nga opozita e "fokusuar" në protestat masive!
Në thelb, edhe në këtë rast, ishte e njëjta shfaqje e pseudo-reformimit me emër të përveçëm, që kishte përshkruar të gjithë vjetët e qeverisjes 2005-2009. Pra, tjetër garanci ligjore jepte ligji përkatës, tjetër gjë ishte zbatimi i tij i fundit në praktikë! Kështu, p.sh., në nenin 116 të tij, që bën fjalë për "Lirimin dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues" thuhet, midis të tjerash, se: "Anëtari i Këshillit Drejtues lirohet ose shkarkohet nga organi, që e ka zgjedhur kur: a) është në pamundësi fizike dhe mendore, për të kryer funksionet e ngarkuara; b) gjatë ushtrimit të detyrës, është dënuar nga gjykata, për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë; etj.", gjë që nuk kishte të bënte fare me realitetin konkret, aq më tepër me deklarimet patetike të dikurshme për çrrënjosje korrupsioni, abuzimesh, etj. Dhe, ndërkohë, zërat kritikë, dyshues ndaj kësaj vendimmarrjeje urgjente u mbuluan me informacione të pasinqerta, për të mbuluar kontrollin politik të vetë AKEP-it, përfshirë dhe komandimin ekonomik të tij në interes të pak njerëzve. Si gjithnjë, edhe në këtë rast, me një arrogancë karakteristike, gjithçka u mbulua me gënjeshtër, spekulim e demagogji!...

"Ventilatori" i kryeministrit

Dhe, së fundi, nisur nga shembulli i mësipërm, apo raste të ngjashëm, a nuk mund arrijmë të ndërtojmë një reagim qytetar, që të ushtrojë një trysni mbi gënjeshtrën apo mashtrimet politike, mbartësit e saj? Pse jo edhe për ta detyruar politikanin kryeministër që të pohojë atë që nuk dëshiron të pohojë, që të bëjë atë që nuk dëshiron të bëjë, madje të ekspozohet në vetë "ventilimin" e tij. Pikërisht për këtë detyrim ventilimi flet dhe "barcaleta" e mëposhtme:      
Një ditë, një gazetar që merrej me "analizën" politike mori leje për të vizituar zonën e caktuar për politikën në ferr. Në këtë vizitë, ai u shoqërua nga Shën Pjetri. Ky i fundit, sapo mori vesh për qëllimin e vizitës së gazetarit, e çoi atë në një sallë të madhe, dyshemeja e së cilës ishte mbushur me orë të llojllojshme të shoqëruara me etiketa emrash të mjaft politikanëve. Çdo orë aty, sipas Shën Pjetrit, numëronte sekondat e jetës së politikanit përkatës. Madje, kur ai të vdiste do të ndalonin dhe akrepat e orës së tij. Gazetari, duke lëvizur midis këtyre orëve, konstatoi se në orë të ndryshme akrepat nuk lëviznin njëlloj: disa prej tyre lëviznin më shpejt, disa më ngadalë. I çuditur, gazetari pyeti Shën Pjetrin. Dhe ja shpjegimi: Sa herë që politikani mëkaton duke gënjyer njerëzit, ai dënohet me shkurtim jete, prandaj dhe akrepat e orës së tij rrotullohen më shpejt...

Duke lëvizur nëpër sallë, gazetari filloi të kërkonte orën e shefit të tij shpirtëror; pse jo dhe ta filmonte e përfshinte atë në emisionin e tij të natyrës "oborrtare"! Por, duke mos e gjetur orën në sallë, u entuziazmua aq shumë sa i kërkoi Shën Pjetrit që ta shoqëronte deri në parajsë. Shën Pjetri, që e kuptoi menjëherë "lumturimin" e gazetarit, iu përgjigj: Ah, jo, jo, është këtu! Ngri pak sytë, atë e kemi varur në tavan për ta shfrytëzuar edhe si ventilator!...

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama