Pa politikë të pastër nuk ka as qeverisje të pastër

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Pa politikë të pastër nuk ka as qeverisje të pastër

 Barometri 2013
      

Transparenca Ndërkombëtare (TI) boton çdo vit raportin e saj mbi Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit (CPI), tashmë në 176 vende, bazuar në analiza të specializuara dhe një ndërveprim të ngushtë me përfaqësues të biznesit, me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë. Kurse Barometri Global i Korrupsionit është rezultat i një sondazhi publik mbi korrupsionin, mbështetur në përvoja të drejtpërdrejta të qytetarëve mbi mitmarrjen, me perceptimin e tyre për korrupsionin në disa nga institucionet kryesore të vendit. Në dallim nga CPI-ja, që është më e specializuar, Barometri bazohet në intervista me njerëz të rastit. Aty, çdo i intervistuar jep perceptimin e tij mbi korrupsionin në një shkallë pesëshe (1-5), ku vlera 1 e nënkupton si të pakorruptuar institucionin e dhënë, dhe vlera 5 kur niveli i korrupsionit është i skajshëm. Vetë Barometri 2013 është i teti në radhitje. Ai analizon përgjigjet e mbledhura për korrupsionin nga mbi 114 000 të intervistuar në periudhën shtator 2012-mars 2013, në 107 vende.
      

Siç shihet në këtë raport, në shumicën e vendeve, publiku i sheh partitë politike si institucionet më të korruptuara në shoqëritë e tyre. Kështu, treguesi mesatar për nivelin e korrupsionit të partive politike rezulton 3.8 në shkallën pesëshe; ndërkohë që për policinë ky tregues në mesatare është vlerësuar 3.7, e ndjekur nga kategoria e nëpunësve civilë, parlamenti e gjyqësori secili me tregues 3.6; sektori privat dhe shërbimet shëndetësore kanë si tregues secili 3.3, të ndjekur nga sistemi arsimor me tregues 3.2, dhe median me tregues 3.1. Si institucione më pak të korruptuara janë perceptuar ushtria me 2.9, OJQ-të me 2.7 dhe institucionet fetare me 2.6. Por, kjo radhitje ka edhe specifikat e saj vendore. P.sh., në Australi, si tejet të korruptuara janë perceptuar media e partitë politike, me tregues përkatës 3.6 (i rritur me 0.3 nga sondazhi i vitit 2010/2011). Edhe në Mbretërinë e Bashkuar media e partitë politike konsiderohen si më të korruptuarat. Në Shqipëri, edhe pse disa analistë e konsiderojnë median (më saktë, disa pronarë kryesorë të saj) të lidhur ngushtë me politikën, ajo, siç do të shihet më poshtë, e ka reputacionin publik më se pozitiv…

Disa rezultate globale në përqindje

Të dhënat bëhen shumë më të lexueshme kur jepen në përqindje. Të intervistuarve iu kërkua opinioni vetjak mbi nivelin e korrupsionit në institucionet kryesore të mëposhtme: parti politike, polici, gjyqësor, zyrtarë publikë e nëpunës civilë, parlament (legjislaturë), shërbime mjekësore-shëndetësore, media, institucione fetare, biznes (sektor privat), sistem arsimor, ushtri e OJQ-të. Gjithashtu, tipik për korrupsionin, krahas evazionit e abuzimit elektoral, është mitmarrja, ryshfeti. Kështu, në nivel global, 28% e intervistuarve pretendojnë që kanë dhënë ryshfet (kjo përqindje për gratë është 25%). Midis tyre, në periudhën që raportohet, 31% pretendojnë që ia kanë dhënë atë policisë dhe 24% gjyqësorit. Shërbime të tjera publike ku ndeshet mitmarrja janë përkatësisht ai shëndetësor me afro 17% dhe ai arsimor me 16%. Përqindje tepër të larta mitmarrjeje (me mbi 75%) janë konstatuar në Republikën Demokratike të Kongos, Ganë, Indonezi, Kenia, Liberi, Nigeri e Sierra Leone. Ndeshet një nivel i lartë mitmarrje në shërbimet e regjistrimit, sidomos për pronësinë e tokës dhe transferimin e saj, sidomos pas një konflikti të armatosur apo në vende ende në tranzicion. 
        

Tepër shqetësues është fakti që në shumicën e përgjigjeve (mbi 54%) qytetarët i konsiderojnë qeveritë e tyre si struktura të kontrolluara nga individë e njësi, që veprojnë vetëm në interes të vetes. Kjo ndeshet aty-këtu edhe në vende të pasura. Po ashtu, në nivele problematike globale është mitmarrja e zyrtarëve të institucioneve publike të tillë si policia e gjykatat (që së bashku kap në mesatare vlerën afro 27%), veçse ajo është e ndryshme sipas vendeve të regjistruara. P.sh., në Australi, Danimarkë, Finlandë e Japoni, vetëm 1% e të intervistuarve kanë qenë “pre” e mitmarrjes në shërbime të ndryshme publike, ndryshe nga mitmarrja në vende të varfra. P.sh., në Afrikë, në vende të tillë si Kameruni, Kenia, Liberia, Libia, Mozambiku, Sierra Leone, Uganda e Zimbabve, 6 në 10 të intervistuar pretendojnë se kanë qenë viktima të mitmarrjes, ndërkohë që në Jemen ky numër është 3 në 4 të intervistuar. Po ashtu, shumë nga të intervistuarit besojnë se korrupsioni në vendet e tyre është përkeqësuar gjatë vitit të fundit. 

Sipas numrit të vendeve, më të korruptuarat janë partitë politike

Në nivel global, institucionet me të prekura nga korrupsioni (si më të korruptuarat dhe tejet të korruptuara) janë partitë politike. Kështu, sipas numrit të vendeve, 51 prej tyre (ndër 107 vendet e përzgjedhura) i konsiderojnë këto institucione si më të korruptuarat, veçanërisht në Meksikë, Greqi e Nepal, ku ky tregues ka rezultuar 4.6 në shkallën pesëshe dhe në Nigeri, ku ky tregues është 4.7. Midis këtyre 51 vendeve përfshihen edhe vende të tilla si Argjentina, Brazili, Britania e Madhe, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Finlanda, Franca, Gjermania, India, Iraku, Izraeli, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Norvegjia, Palestina, Portugalia, Spanja, Tailanda, Turqia, SHBA dhe Uruguai. Pas partive politike, në nivelin global pasues është policia. Ajo shihet si më e korruptuar në 36 vende, përfshirë aty Bangladeshin, Bolivinë, Egjiptin, Etiopinë, Ganën, Indonezinë, Kenian, Malajzinë, Meksikën, Mozambikun, Nigerinë, Pakistanin, Filipinet, Ruandën, Senegalin, Afrikën e Jugut, Siri Lankën, Tanzaninë, Ugandën, Venezuelën e Vietnamin. Më tej është gjyqësori në 20 vende, parlamentet dhe zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë në 7 vende, shërbimi shëndetësor në 6 vende, media në 4 vende, biznesi e sektori privat në 3 vende, institucionet fetare në 3 vende, kurse forcat e armatosura, institucionet arsimore dhe OJQ-të në 0 vende. Këto shifra në nivel global duhen krahasuar me kujdes me treguesit përkatës në Shqipëri e rajon…

 

Korrupsioni si shqetësim parësor në Ballkanin Perëndimor
     

Me gjithë progresin e bërë, korrupsioni mbetet një problem serioz në zhvillimin politik, ekonomik e social në Ballkanin Perëndimor. Kalimi në demokracinë shumëpartiake në rajon ka krijuar mundësi të reja për pjesëmarrjen qytetare dhe llogaridhënien e drejtpërdrejtë të lojtarëve politikë, por në të njëjtën kohë ka krijuar po aq mundësi e “gradë lirie” për korrupsionin dhe veprimtaritë e lidhura ngushtë me të. Në mënyrë të veçantë, për mjaft qytetarë të Ballkanit Perëndimor, sistemi politik partiak konsiderohet si më i prekuri nga korrupsioni. Por kjo mungesë besimi ndaj sistemit politik është një kërcënim real për demokracitë e reja në rajon. Aq më tepër që me fuqizimin e veprimtarive politike janë sofistikuar dhe rritur në mënyrë të dukshme, gati “astronomike”, shpenzimet e partive politike, gjë që e ka bërë të gjithanshme nevojën për financime e donacione më të mëdha. Por, çdo financim e dhurim privat, në mungesë të transparencës, mund të shoqërohet me favore e abuzime shtetërore. Kjo është, në fakt, blerja e influencës me anë donacionesh materiale e financiare që, në një mënyrë apo tjetrën, mund të dëmtojë rëndë vetë bazamentin e demokracisë përfaqësuese. Për këtë arsye, një kërkesë e domosdoshme është transparenca e llogaridhënia financiare e partive politike në të gjitha vendet e rajonit; dhe, në radhë të parë, pengimi i financimit joligjor të partive politike nga burime të dyshimta ose ilegjitime. Për këtë qëllim kërkohen përmirësime legjislative mbi financimin e partive politike, një reformim i mëtejshëm i strukturave mbikëqyrëse dhe, mbi të gjitha, një pavarësim real i tyre. Ato, të konsideruara si pjesë të reformës antikorrupsion në Ballkanin Perëndimor, duhet të jenë  pjesë thelbësore e procesit të integrimit europian të këtyre vendeve.

Para zgjedhjeve të qershorit 2013, radhitja e institucioneve kryesore të Shqipërisë sipas përqindjes së intervistuarve që i konsiderojnë ato si më të prekura nga korrupsioni (si më të korruptuara ose tejet të korruptuara), është si më poshtë: Gjyqësori 81%, shërbimi shëndetësor 80%, partitë politike 72%, sistemi arsimor 70%, Parlamenti 66%, Policia 58%, zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë 52%, media 34%, ushtarakët 33%, biznesi (sektori privat) 29%, OJQ-të 16% dhe institucionet fetare 9%. Siç shihet, edhe në Shqipëri, ndër 3 institucionet e para më të prekura nga korrupsioni janë po ashtu partitë politike. Ndërsa qytetarët e Kroacisë, të Maqedonisë e Serbisë i konsiderojnë partitë politike si më të korruptuarat ndër institucionet e analizuara. Në fakt, një demokraci e fortë dhe zgjedhje të ndershme janë të lidhura ngushtë me transparencën e financimit politik të partive. Pa një politikë të pastër nuk mund të ketë qeverisje të pastër. Në njëfarë kuptimi, Kroacia pati një progres të kapshëm  në transparencën financiare të fushatave elektorale në krahasim me fqinjët e saj. Por po aq e rëndësishme është dhe transparenca e financimit të partive politike jashtë fushatave elektorale.

Blerja e influencës: Para dhe zgjedhje në Ballkan 
    

Në pjesën e raportit me titull “Blerja e influencës: Para dhe zgjedhje në Ballkan” (të publikuar më 25 qershor 2013) bëhet fjalë për mungesën e besimit publik mbi partitë politike në vendet e Ballkanit, gjë që prek e kërcënon jo pak proceset demokratike në këto vende. Deri diku, ecuri pozitive ka pasur ky proces në Kroaci edhe nën trysninë e kërkesave të integrimit europian. E tillë është, p.sh., rritja e transparencës për financimin e partive politike. Sipas raportit, me këtë çështje kritike duhet të merren seriozisht edhe Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Serbia.
    

Në raport analizohen dobësitë dhe epërsitë e legjislacioneve mbi financimin e fushatave elektorale dhe zbatimin e tyre në 4 vende si Kroacia, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Ekzaminohen po aty edhe disa aspekte të financimit vjetor të partive politike në Shqipëri (nuk janë përfshirë aty zgjedhjet e qershorit 2013). Në material trajtohen edhe disa elemente bazë të financimit të fushatave elektorale, thelbësore për garantimin e transparencës dhe reduktimin e rrezikut të korrupsionit, fshehjes së burimeve monetare gjatë fushatave elektorale. Të tilla janë: raportimet në agjencinë e mbikëqyrjes, thellësia dhe saktësia e tyre, hapja publike, parandalimi, sanksionet, mbikëqyrja institucionale e mbikëqyrja publike.
            

Në raport vihet re hendeku i qartë i ligjeve përkatëse me zbatimin e tyre në praktikë, aq më tepër që agjencitë përgjegjëse duhet të raportojnë sipas ligjit mbi financimet e partive politike gjatë fushatave elektorale dhe jashtë tyre. Pika të dobëta aty janë niveli i ulët i përgjegjësisë së këtyre agjencive apo parregullsia e tyre në raportim, sanksionet konkrete në rastin e shkeljes së ligjit, masat parandaluese dhe ato për shmangien e abuzimeve gjatë financimeve elektorale. Sipas raportit, ekspertë të pavarur e vlerësojnë afro 50-60% sasinë e financimeve të deklaruara në krahasim me shumën e plotë, ndërkohë që në Serbi, në zgjedhjet e majit 2012, gati gjysma e fondeve kishin një origjinë të panjohur, gjë që lidhet dhe me vrimat e lëna në legjislacion për moslejimin e donacioneve në kesh si në Maqedoni e Kosovë, ndërkohë që në Kroaci, në rastin e financimeve të deklaruara nga korporatat shfrytëzohet edhe incentiva për ulje taksash. Po ashtu, edhe sipas ligjit, agjencitë e mbikëqyrjes shtetërore janë ende të dobëta: konkretisht, në rastin e Kroacisë e Serbisë edhe në pikëpamje të burimeve, apo në rastin e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë në sajë të varësisë prej partive politike kryesore, sidomos atyre në qeverisje. Siç është konstatuar më parë në mjaft fushata elektorale në Shqipëri për KQZ-në, agjencitë përgjegjëse edhe ndaj sanksioneve për shmangie ligji rezultojnë relativisht të dobëta. P.sh., në Serbi apo Maqedoni, asnjë nga partitë politike nuk iu janë nënshtruar sanksioneve kur kanë dhunuar rregullat mbi financimet e fushatës. Në Shqipëri është kërkuar nga KQZ-ja kthimi i plotë apo i pjesshëm i parave pas zgjedhjeve, por në pjesën dërrmuese të rasteve kjo nuk është realizuar. Shtojmë se në rastin e zgjedhjeve të fundit (qershor 2013) në Shqipëri, një nga vendimmarrjet e KQZ-së është dhe ajo që lidhet me mosrespektimin e ligjit të barazisë gjinore në listat e kandidimit të partive politike. Edhe shoqëria civile e media kanë filluar të rrisin ndjeshmërinë publike dhe debatin në monitorimin e financimit të partive politike, p.sh., në Kroaci, Serbi e Maqedoni, por shpesh një gjë e tillë vlerësohet e anësuar politikisht. Ndërkohë, në rastin e Shqipërisë kjo ndjeshmëri publike është ende e ulët; aq më tepër që mjaft kandidatë për deputetë të dy partive politike kryesore janë ndër më të pasurit në vend…


Disa rekomandime shtesë


Sidoqoftë, ndër rekomandimet kryesore të raportit janë:


-Garantimi i pavarësisë së agjencive të mbikëqyrjes dhe i përzgjedhjes së anëtarëve të tyre me konsensus politik.


-Raportimi transparent i të ardhurave dhe shpenzimeve gjatë periudhës elektorale dhe pas saj (i realizuar në njëfarë mënyre, p.sh. në Kroaci e Maqedoni, madje në rastin e Maqedonisë partitë politike kanë si detyrim ligjor dorëzimin e 3 raporteve financiare: atë në ditën e 11-të të fushatës elektorale, në gjysmën e kohës të saj dhe 30 ditë pas përfundimit të fushatës). 
-Vendosja si kërkesë ligjore e publikimit të listës së unifikuar të çmimeve dhe pagesave për reklamat politike gjatë fushatës elektorale dhe në përfundim të saj (si p.sh. në Maqedoni). Paralelisht me këtë duhen fuqizuar rregullat për barazinë e përdorimit të medias.

- Transparencë e raportim i saktë për financimin prej vetë partive politike, pra edhe partitë politike duhet të publikojnë raportet e tyre financiare. (Përndryshe i lihet një derë apo dritare e hapur korrupsionit e abuzimit brenda sistemit demokratik nëpërmjet përfitimit të donacioneve të paregjistruara nga bizneset, që më vonë mund të shndërrohen në një peng të një qeverisjeje të pastër).
Në përfundim, pa transparencën financiare të partive politike, jeta demokratike në Ballkan do të mbetet e kërcënuar, por dhe qytetarët do të vazhdojnë të humbasin më tej besimin mbi përfaqësuesit apo të deleguarit e partive politike në institucionet qeverisëse, mbi vetë këto parti apo strukturat shoqëruese, si ato të gruas dhe të rinisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama