Edhe problemet demografike kërkojnë vëmendje!

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 6 vite më parë

Rexhep Meidani
Edhe problemet demografike kërkojnë vëmendje!

I ndodhur në një takim të rëndësishëm për punësimin shumë larg Shqipërisë, pata mundësi që të shfletoja shtypin ndërkombëtar. Në njërën prej gazetave (International New York Times, 6.12.2013) ndesha një artikull interesant me titull “Greece’s dismal demographics”. Aty analizohej situata ekonomike problematike greke që, në thelb, kishte prekur edhe demografinë e atij vendi. Duke e lexuar me kujdes atë, sidomos duke ndaluar tek analiza e të dhënave, shqetësimi m’u bë akoma më goditës në konsiderimin paralel të situatës shqiptare. Pikërisht këtë shqetësim gërryes dëshiroj ta ndaj me këtë shkrim edhe me lexuesin e gazetës “Panorama”.


Situata problematike greke. 


Në një situatë krize të stërzgjatur, grekët i kanë shtuar përpjekjet për mbijetesë. Por, lufta aty nuk duhet të ndalojë vetëm në planin ekonomik. Në të vërtetë, me bailout-in ndërkombëtar prej 240 miliardë eurosh janë reduktuar të ardhurat personale, janë ngritur taksat, janë rritur kostot e mallrave e shërbimeve, por është rritur edhe pasiguria qytetare. Megjithatë, edhe në shtrëngesa të tilla nuk mund të ndalohet thjesht këtu, sepse kriza greke po bëhet gjithnjë e më bazike. Kështu, vdekjet po kalojnë lindjet, mjaft qytetarë po largohen nga vendi dhe popullsia po vjetrohet më shpejt se dekada më parë. Ky reduktim demografik po prek fuqinë e punës dhe cenon biznesin, madje, në përkatësi, edhe vetë sigurimet shoqërore e shëndetësore. Në fakt, sipas të dhënave, viti 2011 ishte viti i parë ku ra numri i rezidentëve në Greqi (me vdekjet që i kaluan lindjet me 4671). Kurse, sipas shërbimit statistikor të BE-së, në vitin 2012 vdekjet i kaluan lindjet me 16 300 veta, ndërsa numri i largimeve kaluan atë të prurjeve me 44 200 veta.


Nuk mohohet që situata të përafërta demografike po përjetojnë dhe disa vende të tjera, ndërsa vetë popullsia po vjetrohet brenda BE-së. Por, në rastin e Greqisë, situata kritike ekonomike i ka bërë fare të parëndësishme shqetësimet e tjera, sidomos ato me natyrë demografike. P.sh., duke u marrë me shkurtime drastike shpenzimesh dhe për të dalë nga skemat e dhimbshme të huamarrjes, politika greke ka lënë jashtë vëmendjes inkurajimin e familjeve të reja për të pasur fëmijë apo shtuar numrin e tyre, ndërkohë që ajo që po ndodh sot është prirja për t’u martuar, për të krijuar familje apo për të lindur fëmijën e parë (ndoshta dhe të vetme) shumë më vonë në kohë. Kështu, sipas shërbimit statistikor grek, numri i martesave ka rënë nga 59 212 në vitin 2009 në 55 212 në vitin 2011. Po ashtu, rënia te vlera 1.4% e riprodhimit njerëzor ndaj një vlere gjeneruese minimale prej 2.1% është mjaft shqetësues për të ardhmen e Greqisë, për fuqinë ekonomike e mbrojtëse, për zërin, peshën e rolin e saj, të paktën në Ballkan.


Në të vërtetë, për të përballuar kosto të larta mjekësore apo ato të pensioneve në një popullsi që vjetrohet, kërkohet prosperitet ekonomik, që arrin të garantojë standardin e duhur të sigurimeve shëndetësore e shoqërore. Prandaj vende si Gjermania janë fokusuar tashmë në punësimin e të rinjve, në mbajtjen në punë të moshave dhe tej asaj të pensionit, në gjetjen e balancës midis një niveli të pranueshëm mirëqenieje familjare dhe punësimit. Ndërsa në Greqi, përkundrazi, megjithëse mosha e pensionit është rritur në 67 vjeç nga 65 vjeç, përpjekjet për shkurtime në sektorin publik e privat kanë imponuar këto 3 vitet e fundit një nxjerrje në pension të afro 150 000 vetave përpara kësaj kohe (për një numër në total të rrotull 2.7 milionë pensionistësh). Aty papunësia ka arritur vlerën 27.3% (afro 1.4 milionë njerëz), kurse për të rinjtë, me moshë nën 24 vjeç, ajo e ka kaluar vlerën mbi 60%. Nga ana tjetër, ata që janë në punë paguhen më pak se më parë dhe përballojnë taksa më të larta, duke përjetuar një pasiguri në rritje për të nesërmen. Ka arritur puna deri aty që jo pak emigrantë, të ardhur nga vende tepër të varfra, kanë filluar të largohen nga Greqia. Po aq problematik është raporti: të punësuar- pensionistë+të papunë. Kështu, në vitin 2012, numri i të punësuarve në Greqi ishte 3.8 milionë, ndërkohë që numri i pensionistëve dhe i të papunëve ishte afro 4.1 milionë njerëz në totalin e popullsisë prej 11 062 500 vetash. Në thelb, rënia me afro 25% e prodhimit të brendshëm, që nga viti 2008, pasqyron pakësim në të ardhura, reduktim në shërbime apo plotësim kërkesash të tjera; madje deri duke ngrënë për të mbijetuar kursimet e deritanishme. Shifrat më të frikshme janë ato të projeksionit prej Eurostat-it (2007), sipas të cilit, në vitin 2050, rreth 32.1% e popullsisë greke do të jetë mbi 65 vjeç, krahasuar me vlerën prej 16.6% në vitin 2000. Po të kihen parasysh dhe pasojat tepër të dhimbshme të krizës ekonomike, ky projeksion do të rezultonte shumë më i keq!


Rasti shqiptar.


Sot, në Shqipëri, kriza ekonomike, më së fundi është pranuar haptazi nga politika (sidomos nga ajo që sapo ka ardhur në qeverisje). Ajo, e zbukuruar apo e mbuluar për vite me radhë, tashmë e ka prodhuar ngërçin e saj në prodhim e konsum. Por kjo nuk është e gjitha. Ka dhe një pamje tjetër tepër shqetësuese bashkëshoqëruese të kësaj situate kritike ekonomike-financiare, krahas konfuzionit aktual administrativ-qeverisës. E tillë është, p.sh., rënia demografike në popullsinë e Shqipërisë. Në fakt, nisur nga viti 1990, popullsia e Shqipërisë ka njohur një rënie të konsiderueshme, e cila erdhi si pasojë e emigracionit masiv. Kjo dukuri mbeti vepruese dhe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Kështu, vlerësohet se edhe gjatë periudhës midis dy regjistrimeve, 2001-2011, kanë emigruar disa qindra mijë persona. Praktikisht, më 1 tetor 2011, popullsia banuese e Shqipërisë është konsideruar 2 821 977 banorë. Pra, është vënë re një rënie e dukshme prej afro 8,0% në numrin e banorëve, krahasuar me censusin 2001 (ku popullsia e numëruar ishte vlerësuar 3 069 275 banorë). Kjo rënie popullsie gjatë këtyre 10 vjetëve ka ardhur në radhë të parë nga emigracioni i konsiderueshëm, por dhe ulja e fertilitetit.


Në fakt, dinamika e popullsisë përcaktohet nga katër faktorë: lindjet, vdekjet, imigracioni dhe emigracioni. Ekuacioni i bilancit të popullsisë, që i përfshin këto faktorë, është: P2011 = P2001 + L – V + I – E, ku P2011 dhe P2001 janë respektivisht numri i popullsisë sipas censusit 2011 dhe atij 2001, kurse L, V, I dhe E janë përkatësisht lindjet, vdekjet, imigrantët dhe emigrantët në periudhën 2001-2011. (Për dijeni, në tabelën bashkëngjitur jepen të dhënat mesatare vjetore për popullsinë, lindjet, vdekjet, ndryshimi natyror e fertiliteti. Shtojmë se vlerat e dhëna në tabelë i takojnë një vlere mesatare vjetore, ndryshe nga të dhënat e INSTAT-it për 1 janar të çdo viti). Siç shihet, gjatë periudhës midis dy regjistrimeve (2001-2011), numri i lindjeve ka pësuar rënie çdo vit, nga rreth 53 mijë në vitin 2001 në rreth 34 mijë në vitin 2011. Pra, rënia e lindshmërisë është një nga faktorët që ka influencuar në reduktimin e numrit të popullsisë. Ndërkohë, numri i vdekjeve ka mbetur në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë çdo vit. Sidoqoftë, mbetet ende një shtesë pozitive natyrore, e cila karakterizohet nga një prirje në rënie, po që tejkalohet nga emigrimi.


       Po ashtu, është rritur mosha mesatare e popullsisë banuese: nga 30,6 vjeç në vitin 2001 në 35,3 vjeç në vitin 2011. Edhe indeksi i moshës së vjetër (raporti i popullsisë mbi 65 vjeç ndaj popullsisë gjithsej), është më i lartë se në çdo census të mëparshëm të kryer në Shqipëri; bile ky tregues është rritur nga 8% në vitin 2001 në 11% në vitin 2011. Ndërkohë, indeksi i zëvendësimit (raporti i popullsisë nën 15 vjeç ndaj popullsisë gjithsej), është ulur nga 29.0% në censusin 2001 në 21% në censusin 2011, gjë që flet për tendencë plakjeje të popullsisë. Po aq shqetësues është raporti i varësisë. Ai është një masë matjeje për varësinë ekonomike individuale dhe përcaktohet si raport i numrit të individëve të moshës 0-14 vjeç dhe të moshës mbi 65 vjeç ndaj popullsisë (pjesës produktive) me moshë 15-64 vjeç, të shprehur në përqindje. E thënë ndryshe, ai është një tregues mbi raportin e njerëzve në moshë jo pune ndaj atyre në moshë pune. Në vetvete, një raport i tillë i lartë flet për një ngarkesë të madhe ekonomike të vendosur mbi shpatullat e popullsisë në moshë pune (pra dhe të ekonomisë në tërësi). Në rastin tonë, sipas censusit 2011, ai del afro 47%, gjë që pasqyron një peshë të konsiderueshme mbi popullsinë aktive prodhuese. Shqetësimi bëhet akoma më i madh për një papunësi në rritje! Aq më keq po të harrohet ç’është premtuar për uljen e saj!…


* * *


A janë konsideruar apo analizuar këto ndryshime demografike njëzetvjeçare nga politika? A janë bërë ato pjesë thelbësore e debatit publik dhe e problematikës së shoqërisë civile? A përbëjnë ato fokusin real të trajtimit në media? Nuk duket se po? Madje, çdo gjë duket si e lënë në harresë. Por, me vetë demografinë nuk bëhet shaka. Nga ajo varet zhvillimi e mirëqenia, varet e ardhmja, varet pesha e Shqipërisë, fuqizohet zëri i kombi, rritet mundësia për dinjitet e mbrojtje të qytetarit shqiptar kudo në botë. Kjo duhet të kihet parasysh, sidomos sot në prag të hedhjes së një hapi të rëndësishëm drejt BE-së; për këtë kërkohen të vendosen këmbët mbi tokë dhe jo të pompohen fryrje individuale, aq më pak ëndrra madhështish qiellore e fluturimesh pindarike!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama