Ritheksimi i edukimit laik në shkollën publike

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 7 vite më parë

Rexhep Meidani
Ritheksimi i edukimit laik në shkollën publike

KARTA E LAICITETIT NË SHKOLLËN FRANCEZE

Ministri i Arsimit, Vincent Peillon, një vit më parë hodhi idenë e një edukimi “moral laik” në shkollat publike franceze. Sipas tij, laiciteti stigmatizon mençurinë e republikës. Ai garanton lirinë e çdo besimi, të çdo kulti. Për më tepër, për të, vetë laiciteti nuk është çështje ndalimi, moslejimi, policie, drejtësie, etj., por një problem edukimi, i mënjanimit të presioneve, i eliminimit të dogmave në procesin e formësimit, i shmangies së presioneve nga grupime të ndryshme fetare. Në fakt, në disa shkolla publike franceze për programe e trajnime të ndryshme, p.sh., të notit, nxirret si pengesë nga nxënësit e prindërit feja (islame). Problem është dhe ai i ushqimit në mensat e shkollave. Situata të ngjashme ndeshen në mësimdhënie për lëndë të ndryshme; p.sh., në biologji, trajtimi i evolucionit ka gjetur reagimin e kundërshtinë e disa nxënësve të krishterë, deri largimin e tyre nga klasa, duke refuzuar ndjekjen e kursit mësimor mbi teorinë e Darvinit. Madje, është ngulur këmbë që të pranohet se bota jonë ka një moshë jo më shumë se 6000-vjeçare (absurditet ky radhe!)… Për të shmangur më tej situata të tilla, më 9 nëntor 2013, me nisjen e vitit të ri shkollor, u fut në shkolla Karta e Laicitetit. Me këtë rast, Peillon, midis të tjerash, theksoi se laiciteti “nuk është një betejë për të kundërvënë njërin ndaj tjetrit, por një betejë kundër atyre që dëshirojnë këtë kundërvënie”. Përkundrazi, sipas tij, kjo kartë rikujton parimet e tij themelore në funksion të kësaj përmbajtjeje.

Ja teksti i kësaj karte të afishuar në të gjitha mjediset shkollore publike:
1) Franca është një republikë e pandashme, laike, demokratike e sociale. Ajo garanton barazinë para ligjit, në të gjithë territorin e saj, për të gjithë qytetarët, duke respektuar të gjitha besimet.
2) Republika laike realizon ndarjen e feve me shtetin. Vetë shteti është neutral ndaj bindjeve fetare e shpirtërore. Franca nuk ka fe shtetërore.
3) Laiciteti garanton lirinë e ndërgjegjes për të gjithë dhe çdo njeri është i lirë të besojë apo të mos besojë. Ai mundëson shprehjen e lirë të bindjeve të individit, në respekt të bindjeve të të tjerëve dhe brenda kufijve të rendit publik.
4) Laiciteti zhvillon qytetarinë, duke pajtuar lirinë e gjithsecilit me barazinë e vëllazërinë me të tjerët në funksion të interesit të përgjithshëm.
5) Republika siguron respektin e këtyre parimeve në institucionet shkollore.
6) Karakteri laik i shkollës u ofron nxënësve kushte për të çimentuar personalitetin e tyre, për të ndërtuar lirinë në arbitrim e gjykim, për të mësuar e ushtruar qytetarinë. Ai i mbron ata nga çdo zell detyrues e propagandistik (proselitizëm) apo trysni që do t’i pengonte ata për të bërë zgjedhjet e veta.
7) Karakteri laik u siguron nxënësve mundësinë e marrjes së një kulture të përbashkët dhe të shpërndarë në mënyrë të ndërsjellë.
8) Laiciteti bën të mundur ushtrimin e lirisë së shprehjes të nxënësve brenda kufijve të mirëfunksionimit të shkollës në respektim të vlerave republikane dhe pluralizmit të bindjeve.
9) Karakteri laik i kundërvihet dhunës e diskriminimit, garanton barazinë midis vajzave e djemve, mbështetet mbi një kulturë respekti dhe të kuptuarit të ndërsjellë.
10) I takon personelit mësimdhënës t’u transmetojë nxënësve kuptimin dhe vlerën e laicitetit, si dhe të parimeve të tjera bazë të Republikës. Ai duhet të vigjilojë për zbatimin e tyre brenda shkollës. Po ashtu, ai duhet t’u transmetojë prindërve përmbajtjen e kësaj karte.
11) Një neutralitet i qartë është detyrim i anëtarëve të personelit. Në kryerjen e funksioneve të tyre, ata nuk duhet të manifestojnë bindjet e tyre politike dhe fetare.

12) Mësimdhënia është laike. Për t’u garantuar nxënësve një hapje sa më objektive të mundshme ndaj larmisë së vizioneve të botës apo shtrirjes e saktësisë së njohjes, asnjë subjekt nuk mund të përjashtohet a priori nga të shtruarit e pyetjeve në mënyrë shkencore e pedagogjike. Asnjë nxënës nuk mund niset nga një bindje fetare e politike për të kundërshtuar një mësues nga e detyra e tij për të trajtuar një çështje të programit.

13) Nisur nga përkatësia fetare, nuk i lejohet askujt refuzimi për t’iu bindur rregullave të zbatuara në Shkollën e Republikës.

14) Në institucionet arsimore publike, rregullat e jetës në hapësira të ndryshme, të përcaktuara në rregulloren e brendshme, janë të tilla që respektojnë karakterin laik të këtyre institucioneve. Është e ndaluar mbajtja e shenjave apo e veshjeve, nëpërmjet të cilave nxënësit manifestojnë qartësisht përkatësitë fetare.


15) Nxënësit, sipas refleksioneve dhe aktivitetit, japin kontributin e tyre në mbajtjen gjallë të karakterit laik në gjirin e institucionit të tyre.

POR Ç’ËSHTË LAICITETI APO SEKULARIZMI INSTITUCIONAL? Feja si institucion e pasuron besimin privat, duke pasqyruar një aspekt publik të këtij besimi. Në disa fe theksohet më tepër besimi, kurse në fe të tjera praktika konkrete, disa fokusohen në përvojën subjektive të individit, ndërsa të tjera vlerësojnë më tepër aktivitetet e bashkësisë fetare. Sidoqoftë, në mjaft vende, feja është aktualisht e ndarë nga shteti, në të tjera ajo vazhdon të jetë ende ndërvepruese me institucionet publike, sidomos me ato të lidhura me edukimin, shëndetin, familjen etj. Në fakt, për ta garantuar lirinë fetare – edhe si një e drejtë themelore e njeriut – institucionet e shtetit dhe institucionet fetare duhet të jenë të ndara, por në bashkëjetesë, respekt e bashkëpunim të ndërsjellë midis tyre. Kjo nënkupton që edhe formacionet politike (partitë politike) – prodhuese të institucioneve shtetërore – nuk duhet të jenë “unifetare” në kompozimin dhe përkatësinë e anëtarëve të tyre. Por, një formacion politik i tillë mund të shfaqë një karakter të njëanshëm religjioz në qeverisje, në kurriz të përmbajtjes laike të institucioneve shtetërore, në kundërvënie ndaj lirisë së grupimeve të tjera fetare.

Pikërisht për të garantuar këtë liri fetare të grupimeve të ndryshme, sistemi politik duhet të ketë karakter të qartë laik, sekular. Aktualisht, kjo është e pranishme në të gjitha hapësirat e banuara nga shqiptarët. Me të drejtë, në lidhje me këtë çështje, Janush Bugajski shkruan: “Për shqiptarët, feja nuk ndikon në politikë dhe kombi nuk identifikohet me ndonjë fe specifike. Nacionalizmi shqiptar është sekular, pa ndarje mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, dhe ekzistojnë ndjenja të pakta për identitet të përbashkët islam me myslimanët e tjerë joshqiptarë”. Kjo nënkupton që, edhe në një shikim të mprehtë të jashtëm, jo vetëm institucionet shtetërore por dhe vetë shoqëria shqiptare në mesatarizimin e saj është sekulare.

Pra, sekularizmi institucional nënkupton që qeverisja e entitetet shtetërore të jenë të ndara nga feja, nga besimi fetar. Ai mishëron të drejtën e të qenët i lirë në përzgjedhje ndaj vetë rregullave fetare, por dhe kundër çdo imponimi shtetëror të fesë. Kështu, shteti në vetvete duhet të jetë neutral ndaj çështjeve të besimit, madje veprimtaria e vendimmarrja e tij, sidomos ajo politike, duhet të jetë larg çdo ndikimi fetar e anasjelltas. Në njëfarë mënyre, feja kalon në hapësirën private, duke ia lënë hapësirën publike politikës, shtetit. Për më tepër, ky model i shtetit laik, nga njëra anë, i mbron institucionet fetare nga interferencat shtetërore, dhe, nga ana tjetër, e mbron pushtetin apo fuqinë publike nga interferencat e institucioneve fetare.

NJË HISTORI E GJATË VEÇIMI


Në historinë e njerëzimit janë të panumërta përplasjet e përzierjet e kishës me shtetin, zëvendësimet e saj prej tij. Fillimisht, mjaft mbretër e pretendonin mandatin nga qielli, se ishin të dërguarit e Zotit në tokë, kurse në perandorinë romake feja e krishterë u bë dhe fe shtetërore. Një nga trajtuesit e parë të marrëdhënieve midis kishës e shtetit ka qenë Shën Augustini, i cili në librin e tij “Qyteti i Zotit” nis ekzaminimin e një marrëdhënieje ideale midis “qytetit tokësor” dhe “atij hyjnor”. Në periudhën e monarkive absolute, shumica e monarkëve, në funksion të pushtetit të tyre, qeverisnin në bazë të së drejtës divine, pra si autoritete të vetme, përçuese të vullnetit të Zotit në tokë.

Madje, në disa raste, brenda mbretërisë së tij, monarku e shpallte veten edhe drejtues të kishës, ndryshe nga doktrina katolike, që e konsideronte papën si autoritetin më të lartë. Kjo çoi dhe në një luftë të egër fuqie midis monarkut (shtetit) dhe klerit (kishës). Në fillim të reformimit protestant, Luteri formuloi doktrinën e dy mbretërive. Ajo, sipas Xhejms Medisonit (James Madison), shënoi dhe fillimin e përpunimit të konceptit modern të ndarjes së kishës nga shteti. Ndërsa, më 1530, Henri VIII, i pakënaqur nga mosanulimi i martesës së tij me Katerinën e Aragonëve (Catherine of Aragon) bëri “divorcin” me Selinë e Shenjtë. Ai e shpalli, kështu, veten udhëheqës të Kishës së re të Anglisë – Kishës Anglikane, duke hedhur poshtë përpjekjet e mëparshme për ndarjen e kishës me shtetin, në Angli.

Ndërkohë, në vende të tjera vazhdoi kjo betejë, diku e hapur, diku e fshehtë. Më qartë, kjo ndarje midis kishës e shtetit filloi të krijojë “fizionominë” e vet teorike e praktike, në shekuj pasues, në kuptimin e një feje të organizuar dhe të një shteti-komb. Është interesante që shprehja e “ndërtimit të murit të ndarjes midis kishës dhe shtetit” ndeshet në një letër të Tomas Xhefersonit (Thomas Jefferson), më 1802-shin. Më kalimin e viteve, koncepti i ndarjes u adoptua në mjaft vende të zhvilluara, natyrisht edhe në pasqyrim të strukturave legale, rolit konkret të fesë në shoqëri. Një sukses i madh, në fillim të shekullit të 20-të, ishte dhe sekularizmi i Turqisë, nën udhëheqjen e Ataturkut.

Sidoqoftë, formulimi i parë më i qartë i ndarjes së kishës nga shteti u arrit në Francë, gati një shekull më parë. Aty, ky versioni francez sekularizmi, i quajtur ndryshe laicitet, u saktësua në ligjin e vitit 1905 (të miratuar nga deputetët më 9 dhjetor 1905). Ai realizoi përfundimisht ndarjen e kishës nga shteti, të fesë nga pushteti politik. Tri parimet bazë të laicitetit francez, të mishëruara në këtë ligj, ishin: neutraliteti i shtetit, liria e ushtrimit të fesë dhe fuqitë publike përkundrejt institucioneve fetare.

NENI 10 I KUSHTETUTËS SË SHQIPËRISË
Tashmë, një koncept bashkëkohor ndarjeje është adoptuar në shumë vende, por shkalla konkrete e saj varet nga strukturat legale dhe roli i besimit në shoqëri. Në shumë raste, ai ndeshet edhe si element fondamental kushtetues. Kështu, në rastin e Kushtetutës së Shqipërisë në nenin 10 thuhet:
1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare.
2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.
3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare.
4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjellë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mire të secilit dhe të të gjithëve.
 5 Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend.
6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cenohen interesat e të tretëve. Kjo ndeshet edhe në vende të tjera. P.sh., në Indi, ndarja shtet-fe është e përfshirë në kushtetutë, kurse në vende të tjera si Maldivet ndalohet praktika e feve të tjera, veç asaj zyrtare. Po ashtu, ndryshe nga Franca, edhe në shoqëri të sekularizuara nga ana sociale si Danimarka dhe Mbretëria e Bashkuar, është pranuar në mënyrë ligjore njohja e një feje zyrtare shtetërore, por pa krijuar shqetësimin më të vogël në ushtrimin e besimeve të tjera. Kurse, në rrjedhje të viteve, në mjaft vende europiane, krahas thellimit të karakterit sekular, shteti ka marrë përsipër dhe mjaft çështje sociale, duke administruar kështu një sferë publike përgjithësisht të sekularizuar.

***

Karta e Laicitetit është, në thelb, një kujtesë sintetike e rregullave të bashkëjetesës në mjedisin shkollor francez. Ai mishëron çështje që ekzistojnë, por që janë lënë në harresë, çështje që mund t’u jepet përgjigje më lehtë sot sesa nesër, kur ato mund të bëhen problematike. Parë me këtë sy, kjo kartë, në Francë, përbën një dokument themeltar, një mjet të dobishëm për nxënësit e mësuesit. Nisur nga disa ngjarje konkrete në mjedisin shqiptar, një dokument i ngjashëm vlen të formulohet në mënyrë sintetike, në bashkëpunim me mësuesit, nxënësit e prindërit, edhe për shkollën publike shqiptare.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama