Mediat dhe Politika: GAZETARIA DHE FJALA E LIRË

Mediat dhe Politika

 

GAZETARIA DHE FJALA E LIRË

 

Gëzim Mekuli

 

 

Gazeta e parë në botë doli në Romën e vjetër, në vitin 59 para Krishtit. Gazeta quhej ”Acta diurna” (Ndodhitë e ditës). Kjo gazetë doli pas kërkesës së Jul Cesarit. ”Acta diurna” doli si gazetë e përditshme dhe kjo botohej çdo paradite. Gazeta në fjalë u botua në epokën më të ndritur të Romakëve.

Gazeta ishte e shkruar me dorë, dhe shkruhej nga tridhjetë skllevër që dinin shkrim-leximin. Këta skllevër shkruanin sipas diktatit nga lartë.

Fillimisht gazeta filloj të publikohej në Romë, e më pas edhe në tërë mbretërinë Romake. “Acta diurna” arriti të shitet në qytetet e Evropës, Afrikës veriore dhe në qytetet e lindjes së mesme. Gazeta filloj të shkruhej në shumë kopje e tirazh. Përpos kësaj, romakët u interesuan që gazeta të lexohej në mes të qendrave të qyteteve e të turmave njerëzore me qëllim që lajmi të depërton edhe tek ata që nuk dinin shkrim-leximin.

Mirëpo gazetarinë në një masë të madhe e përshpejtoj dhe e ndihmoj shtypshkronja e zbuluar nga Johannes Guttenberg, rreth vitit 1450, në Mainz të Gjermanisë. Ky zbulim mundësoi shtypjen dhe shpërndarjen e shpejtë dhe jo të shtrenjtë të informatës dhe të fjalës. Zbulimi i shtypshkronjës u shpërnda shpejt në tërë botën. Kështu, në vitin 1609 dolën për herë të parë gazetat e shtypura. Ato përmbanin lajme private si dhe lajme shtetërore. Si rrjedhim i këtij zbulimi, në fund të shekulli XVII kishte më se 60-70 gazeta "gjermanofolëse", me një tirazh prej 300-400 ekzemplarësh dhe një numër lexuesish prej 20.000 deri në 25.000. Në këtë kohë vetëm në Gjermani kishte më shumë gazeta sesa në tërë Evropën e atëhershme.

 

Ngadalë e sigurt te lexuesit filloi të lindë tendenca për mendimin politik. Kështu liria e shtypit fitoi peshë më të madhe në rëndësinë e saj. Kërkesat për lirinë e shtypit që nga shekulli XVIII u bënë më të fuqishme dhe, diku-diku kjo tentohej të mbrohej edhe me ligj. Për shembull, në SHBA liria e shtypit mbrohet që nga viti 1776 në të ashtuquajturën "Bill of Rights" të Virgjinias. Në Francë kjo mbrohet që nga viti 1789, ndërsa në Angli akoma më herët, që nga viti 1695.

 

Publicistët dhe objektiviteti

Duke u bazuar në keqtrajtimin e lirisë së shtypit dhe në instrumentalizimin e mundshëm të mediave nga publicistët, shtrohet pyetja: A janë publicistët të pandikuar e objektivë dhe se a janë publicistët gazetarë?

Një shenjë dalluese e publicistëve të sotëm është se ata ”kokë e këmbë” janë partiakçinj. Publicisti ”ynë” është një avokat i një interesi të ngushtë ideologjik dhe ekonomik. Ai është një aktivist i maskuar partiak, i cili me pasion dhe me shumë dëshirë përfaqëson dhe ”laton” një mendim dhe një interes. Mund të themi se për shumë publicistë vendi dhe funksioni i tyre është, ndër të tjera, edhe në aktivitetet dhe organet politike.

Ky fakt bën që besimi, profesionalizmi dhe paanshmëria e lajmit dhe e informacionit medial të zbehet, të humbasë e ndoshta edhe të mos dalë fare në sipërfaqe të opinionit publik.

Qëndrimi i gazetarëve dhe i gazetareve do të duhej të ishte qëndrim i pastër, indiferent, faktik dhe objektiv. Gazetari dhe gazetarja jonë do të duhej të provonin që të raportojnë dhe të “alarmojnë” shumanshmërisht, ta respektojnë interesin e opinionit dhe mundësisht të mbledhin sa më shumë të reja rreth një informacioni a ndodhie në hapësirën dhe në kohën në të cilën veprojnë.

 

Është fakt i vështirë që publicistët dhe gazetarët shqiptar të mbajnë qëndrim prerazi. Gazetari, megjithatë, gjatë seleksionimit të lajmeve anon "pavetëdijshëm" për dhe kundër një partie politike, individi, organizate apo institucioni, ndërsa publicisti këtë e realizon në mënyrë të vetëdijshme. Kështu mund të përfundojmë se gazetari ”ynë” është gjithashtu publicist dhe publicisti gjithashtu gazetar.

Gazetarët duhet të kenë parasysh që çdo njeri duhet të gjejë në media informim të kënaqshëm mbi ndodhitë politike, ekonomike dhe kulturore. Gazetarët llogarisin, prezantojnë dhe komentojnë informacionin. Ata, nëpërmjet mediave, "prodhojnë një opinion", i cili është më sesa jetik për proceset demokratike të një rendi shoqëroro-politik. Andaj, pavarësia, kujdesi dhe respekti ndaj konsumatorit, guximi intelektual, si dhe respektimi i parimeve të gazetarisë, është fondamenti bazë që kjo gazetari të jetë objektive.

 

Është fakt se në mesin e gazetarucëve dhe të gazetaruceve ka shumë hajna, rrenacakë dhe ”kokëderra”, si në çdo fushë dhe profesion tjetër. Por kujdes! Këta gazetaruc partiak mund të vrasin e të shkatërojnë popuj të tërë.

Dihet se gazetaria e sotme, me të mirat dhe me të ligat, është prodhim i marrëdhënieve midis pronarëve, gazetarëve, qeverisë dhe shoqërisë. Të katër këta aktorë kanë problemet e tyre, që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndikojnë në prodhimet mediale të cilat ne i kemi sot në treg.

Mungesa e emancipimit është e pranishme te të katër këta aktorë. Por, aktori kryesor dhe vendimtar është rrethi shoqëror si konsumator i prodhimeve mediale. Po nuk ndryshoi rrethi shoqëror, po nuk ndryshoi populli, nuk ka shpresë për ndryshime as në fushën e medias. Arsimimi dhe edukimi për mediat në popull dhe presioni i tyre mbi to do të sjellë shpresa të reja edhe për ne; për popullin shqiptar.

Gezim Mekuli

--------------------------------------------------------------------------------
- M A in Media Science and Rhethoric, University in Bergen
- Communication, University in Agder
- Film, Media and Communication, University in Oslo
- Political science, University in Mainz, Germany
- English language and litteratur, University in Prishtina
- German in communication, Østfold University college (1)
- Education theory in a multicultural context, Oslo University college (1)


--------------------------------------------------------------------------------

www.mekulipress.com

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama